Eksodi
26 Tabernakullin+ bëjeni me dhjetë pëlhura prej liri të dredhur hollë, filli blu, leshi në ngjyrë të purpurt* dhe filli në të kuqe të ndezur; në to do të qëndisni+ kerubinë.+ 2 Çdo pëlhurë e tendës do të jetë 28 kute* e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të gjitha pëlhurat e tendës duhet të kenë përmasa të njëjta.+ 3 Pesë pëlhura të tendës të qepen me njëra-tjetrën që të formojnë një pjesë dhe pesë pëlhurat e tjera të qepen me njëra-tjetrën që të formojnë një pjesë tjetër. 4 Me fillin blu bëni iliqe* në buzë të njërës pjesë, aty ku do të bashkohet me tjetrën; bëni të njëjtën gjë edhe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkohet me të parën. 5 Do të bëni 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, që të jenë përballë me njëri-tjetrin kur të bashkohen. 6 Bëni edhe 50 kapëse ari dhe me to bashkojini pjesët e tendës me njëra-tjetrën, që të bëhet një tendë e vetme për të gjithë tabernakullin.+
7 Bëni edhe pëlhura me lesh dhie+ për tendën sipër tabernakullit; do të bëni 11 pëlhura të tilla.+ 8 Çdo pëlhurë e tendës do të jetë 30 kute e gjatë dhe 4 kute e gjerë; të 11-të pëlhurat e tendës duhet të kenë përmasa të njëjta. 9 Pesë pëlhura të qepen bashkë dhe gjashtë të tjerat të qepen me njëra-tjetrën; pëlhurën e gjashtë që mbulon hyrjen e tendës, paloseni. 10 Bëni 50 iliqe në buzë të njërës pjesë dhe 50 iliqe në buzë të pjesës tjetër, aty ku do të bashkohen me njëra-tjetrën. 11 Bëni pastaj 50 kapëse bakri, futini tek iliqet dhe bashkojeni tendën që të bëhet një e vetme. 12 Pjesa që mbetet nga pëlhurat e tendës, domethënë gjysma e njërës pjesë, do të varet në anën e pasme të tabernakullit. 13 Pjesët e pëlhurës së tendës që dalin më të gjata, do të varen një kut në një anë dhe një kut në anën tjetër të tabernakullit për ta mbuluar.
14 Bëni për tendën edhe një mbulesë me lëkurë dashi të ngjyera në të kuqe dhe, mbi këtë, një mbulesë me lëkurë foke.+
15 Skeletet+ për tabernakullin do t’i bëni me dru akacieje dhe vendosini pingul.+ 16 Çdo skelet duhet të jetë dhjetë kute i gjatë dhe një kut e gjysmë i gjerë. 17 Çdo skelet do të ketë dy pjesë të dala si dhëmbë* paralele me njëra-tjetrën, të cilat futen në fole; në këtë mënyrë do t’i bëni të gjitha skeletet e tabernakullit. 18 Bëni 20 skelete druri për anën jugore të tabernakullit.
19 Bëni 40 bazamente argjendi me fole+ që t’i vini poshtë 20 skeleteve: dy bazamente me fole poshtë çdo skeleti me dy pjesë të dala si dhëmbë.+ 20 Për anën tjetër të tabernakullit, për anën veriore, bëni 20 skelete druri 21 dhe 40 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti. 22 Për pjesën e pasme të tabernakullit, në perëndim, bëni gjashtë skelete druri.+ 23 Bëni edhe dy skelete për të mbajtur dy qoshet në pjesën e pasme të tabernakullit. 24 Skeletet duhet të kenë dy pjesë druri, nga poshtë deri lart në majë, të cilat do të bashkohen me njëra-tjetrën tek unaza e parë; kështu do të bëhen të dyja skeletet, të cilat do të shërbejnë si mbajtëse për të dyja qoshet. 25 Pra, pjesa e pasme do të ketë 8 skelete druri dhe 16 bazamente argjendi me fole: dy bazamente poshtë çdo skeleti.
26 Bëni edhe shufra me dru akacieje; pesë shufra për skeletet e njërës anë të tabernakullit,+ 27 pesë për skeletet e anës tjetër të tabernakullit dhe pesë për skeletet e anës së pasme të tabernakullit, në perëndim. 28 Shufra e mesit, që do të kalojë përgjatë qendrës së skeleteve, duhet të shtrihet nga njëri skaj në tjetrin.
29 Skeletet e drurit vishini me ar,+ bëjini prej ari edhe unazat e tyre ku do të futen shufrat, dhe shufrat vishini me ar. 30 Tabernakullin montojeni sipas projektit që të tregova në mal.+
31 Bëni një perde+ me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë; në të do të qëndisni kerubinë. 32 Vareni perden në katër shtylla akacieje të veshura me ar, në grremça që duhet të jenë prej ari; shtyllat do të qëndrojnë mbi katër bazamente argjendi me fole. 33 Perden vareni poshtë kapëseve* dhe brenda perdes futni arkën e Dëshmisë;+ perdja do të ndajë të Shenjtën+ nga Më e Shenjta.+ 34 Kapakun e arkës së Dëshmisë duhet ta vendosini në Më të Shenjtën.
35 Tryezën vendoseni jashtë perdes dhe shandanin+ përballë tryezës, nga ana jugore e tabernakullit; tryezën vendoseni nga ana veriore. 36 Bëni edhe një perde të trashë për hyrjen e tendës, të endur me fill blu, me lesh në ngjyrë të purpurt, me fill në të kuqe të ndezur dhe me li të dredhur hollë.+ 37 Bëni pesë shtylla akacieje për perden dhe vishini me ar; grremçat e tyre duhet të jenë prej ari. Gjithashtu derdhni pesë bazamente bakri me fole për shtyllat.