Ezekieli
27 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Ti, o bir njeriu, nisja një kënge të përvajshme* për Tirin+ 3 dhe thuaji:
“O ti, që banon në portat e detit,
tregtari i popujve të shumë ishujve.
Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova:
‘Ti, o Tir, ke thënë: “Bukuria ime është e përsosur.”+
4 Territoret e tua janë në zemër të detit.
Ndërtuesit e tu ta kanë përsosur bukurinë.
5 Si një anije, t’i bënë të gjitha dërrasat me dru dëllinje nga Seniri,+
e për të të bërë direkun, morën një cedër nga Libani.
6 Rremat t’i bënë me dru lisi të Bashanit,
kurse bashin me dru qiparisi të ishujve të Kitimit,+ të zbukuruar me fildish.
7 Si velë të shërbente një pëlhurë prej linoje shumëngjyrëshe nga Egjipti.
Mbulesa në kuvertë ishte endur me fill blu e lesh në ngjyrë të purpurt,* nga ishujt e Elishahut.+
8 Banorët e Sidonit e të Arvadit+ u jepnin rremave të tua.
Mjeshtërit e tu, o Tir, ishin detarët e tu.+
9 Mjeshtërit me përvojë* të Gebalit+ stukonin midis dërrasave të tua.+
Të gjitha anijet e detit dhe marinarët e tyre vinin te ti për të këmbyer mallra.
10 Burrat e Persisë, të Ludit e të Putit+ ishin pjesë e ushtrisë sate, luftëtarët e tu.
Ata varën te ti mburojat e helmetat* e tyre dhe të dhanë shkëlqim.
11 Burrat e Arvadit në ushtrinë tënde u caktuan sipër mureve të tua rreth e rrotull,
dhe kullat e tua i ruanin burra sypatrembur.
Mburoja të rrumbullakëta varën rreth e qark mureve të tua dhe ta përsosën bukurinë.
12 Tarshishi+ bënte tregti me ty për shkak të pasurisë sate përrallore.+ Mallrat e tua këmbeheshin me argjendin, hekurin, kallajin dhe plumbin e tij.+ 13 Edhe Javani, Tubali+ dhe Mesheku+ bënin tregti me ty, e në këmbim të mallrave të tua të jepnin skllevër+ e sende bakri. 14 Togarmahu+ të jepte kuaj, kuaj lufte dhe mushka në këmbim të mallrave të tua. 15 Ti bëje tregti edhe me popullin e Dedanit;+ ti punësoje tregtarë në shumë ishuj, dhe si haraç* të jepnin fildish+ e dru abanozi. 16 Edomi bënte tregti me ty për shkak të bollëkut të prodhimeve të tua. Në këmbim të mallrave të tua të jepte bruz, lesh në ngjyrë të purpurt, stofra me qëndisje plot ngjyra, copa cilësore, korale dhe rubinë.
17 Juda dhe Izraeli bënin tregti me ty; e në këmbim të mallrave të tua+ të jepnin grurë nga Miniti,+ ushqime të zgjedhura, mjaltë,+ vaj e balsam.+
18 Damasku+ bënte tregti me ty për shkak të bollëkut të prodhimeve e të pasurive të tua, e në këmbim të jepte verën e Helbonit dhe leshin e Zaharit.* 19 Vedani dhe Javani nga Uzali të jepnin punime hekuri të farkëtuar, kasi* dhe kallam* në këmbim të mallrave të tua. 20 Dedani+ tregtonte me ty shtroje* si shalë për kuajt. 21 Ti punësoje arabët dhe të gjithë prijësit e Kedarit,+ të cilët tregtonin qengja, desh dhe cjep.+ 22 Tregtarët e Shebës dhe të Ramahut+ bënin tregti me ty, e në këmbim të mallrave të tua të jepnin aromatikë nga më të mirët, gurë të çmuar dhe ar.+ 23 Harani,+ Kanehu, Edeni,+ si edhe tregtarët e Shebës,+ të Ashurit+ dhe të Kilmadit bënin tregti me ty. 24 Në pazaret e tua ata tregtonin veshje të bukura, mantele me copë blu e me qëndisje plot ngjyra dhe qilima shumëngjyrësh, të gjitha të lidhura mirë me litarë.
25 Anijet e Tarshishit+ shërbenin si karvanë për mallrat e tua,
që ti të mbusheshe, të ngarkoheshe plot e përplot* në zemër të detit.
26 Por vozitësit të çuan në dete të trazuara;
era e lindjes të shpartalloi në zemër të detit.
27 Pasuria, të mirat dhe mallrat e tua, marinarët dhe detarët e tu,
ata që stukojnë midis dërrasave të tua,
ata që tregtojnë mallrat e tua+ dhe të gjithë luftëtarët,+
—tërë ky popull* që është mes teje—
do të fundosen të gjithë në zemër të detit ditën e rënies sate.+
28 Kur detarët e tu të thërrasin për ndihmë, brigjet do të dridhen.
29 Të gjithë ata që u japin rremave, të gjithë marinarët dhe detarët
do të zbresin nga anijet e do të qëndrojnë në tokë.
30 Ata do ta ngrenë zërin për ty e do të këlthasin me hidhërim;+
do të hedhin pluhur mbi kokë e do të zhgërryhen në hi.
31 Ata do ta rruajnë kokën për ty e do të vishen me copë thesi;*
do të qajnë me hidhërim* për ty e do të vajtojnë sa t’u hajë zëri.
32 Gjatë vajtimit, do të këndojnë pa pushim një këngë të përvajshme:
“Kush është si Tiri, që u shua në mes të detit?+
33 Kur të mirat e tua vinin nga deti i hapur, ti ngopje shumë popuj;+
ti i pasurove mbretërit e tokës me pasurinë tënde përrallore e me mallrat e tua.+
34 Por tani, je shpartalluar në det të hapur, në ujëra të thella;+
bashkë me ty janë fundosur edhe gjithë mallrat e populli yt.+
35 Të gjithë banorët e ishujve do të t’i ngulin sytë të shtangur,+
dhe mbretërit e tyre do të dridhen të llahtarisur,+ do t’u ikë gjaku nga fytyra.
36 Tregtarët e popujve do të fishkëllejnë për ty nga habia.
Fundi yt do të jetë i papritur e i tmerrshëm,
dhe ti nuk do të ekzistosh më kurrë.”’”»+