21 Zemra e mbretit është si rrëke uji në dorën e Jehovait;+
Ai e drejton nga t’i pëlqejë.+
2 Të gjitha udhët e veta i duken të drejta njeriut,+
por Jehovai shqyrton zemrat.+
3 Jehovait i pëlqen më shumë
të bësh ç’është e drejtë dhe e ndershme, se të ofrosh flijime.+
4 Sytë fodullë dhe zemra arrogante,
—llamba që u prin të ligjve—janë mëkat.+
5 Planet e atij që ngulmon, sjellin me siguri sukses,+
por kush është i nxituar, me siguri turret drejt skamjes.+
6 Thesaret që fitohen me gjuhë gënjeshtare,
janë si mjegull që davaritet tutje, një lak vdekjeprurës.+
7 Veprimet e tyre të dhunshme do t’ua hanë kokën të ligjve,+
sepse ata nuk duan kurrsesi të veprojnë me drejtësi.
8 Udha e fajtorit është dredharake,
por veprat e të pafajshmit janë të drejta.+
9 Më mirë të banosh në qoshe të çatisë,
se në të njëjtën shtëpi me një bashkëshorte grindavece.+
10 I ligu lakmon veç të keqen;+
ai nuk ka pikë dhembshurie për të afërmin.+
11 Kur tallësi ndëshkohet, i papërvoji bëhet më i mençur,
dhe i mençuri di si të veprojë kur fiton gjykim të thellë.+
12 I Drejti e vëzhgon shtëpinë e të ligjve;
ai i plandos të ligjtë në rrënim.+
13 Kush i mbyll veshët para klithmës së të përvuajturit,
do të thërrasë edhe vetë, por nuk do t’i përgjigjet kush.+
14 Dhurata e bërë në fshehtësi, e zbut zemërimin,+
dhe ryshfeti i dhënë nën dorë, e zbut tërbimin.
15 Për të drejtin është kënaqësi të veprojë me drejtësi,+
por për ata që s’heqin dorë nga ligësia, është e tmerrshme.
16 Kush del nga udha e maturisë,
do të prehet bashkë me ata që dergjen të pafuqishëm në vdekje.+
17 Kush është i dhënë pas qejfeve, do të varfërohet,+
dhe kush është i dhënë pas verës dhe vajit, nuk do të pasurohet.
18 I ligu merret peng për të drejtin,
dhe i pabesi për të ndershmin.+
19 Më mirë të banosh në shkretëtirë,
se me një bashkëshorte grindavece dhe nevrike.+
20 Në shtëpinë e të mençurit ka thesare të çmuara dhe vaj,+
por i marri i harxhon kot ato që ka.+
21 Ai që kërkon me ngulm drejtësinë dhe dashurinë besnike,
do të gëzojë jetë, drejtësi dhe lavdi.+
22 I mençuri mund ta pushtojë qytetin e të fuqishmëve,
dhe t’u minojë forcën ku besojnë.+
23 Kush i vë fre gojës dhe gjuhës,
u rri larg telasheve.+
24 Njeriu që i kalon caqet me moskokëçarje,
është një mburracak arrogant që s’di vendin e vet.+
25 Përtacit do t’ia bëjë gropën ajo që lakmon,
pasi duart e tij nuk pranojnë kurrsesi të punojnë.+
26 Gjithë ditën ai digjet nga lakmia,
kurse i drejti jep bujarisht e nuk kursehet.+
27 Flijimi i të ligut është i pështirë,+
e aq më tepër kur bëhet me qëllime të liga!
28 Dëshmitari që gënjen, do të vdesë,+
por ai që dëshmon vetëm atë që ka dëgjuar, do të ketë sukses.
29 I ligu e mban veten si sypatrembur,+
por i drejti e ka udhën të sigurt.+
30 Nuk ka as mençuri, as aftësi dalluese, as plan që të mund të dalë kundër Jehovait.+
31 Kali përgatitet për ditën e betejës,+
por shpëtimi i përket Jehovait.+