Libri i parë i Mbretërve
8 Atëherë Solomoni mblodhi+ pleqtë e Izraelit, pra gjithë krerët e fiseve dhe prijësit e shtëpive atërore të Izraelit.+ Ata erdhën te mbreti Solomon në Jerusalem për të ngjitur arkën e besëlidhjes së Jehovait nga Qyteti i Davidit,+ domethënë nga Sioni.+ 2 Tërë burrat e Izraelit u mblodhën para mbretit Solomon për festën* në muajin ethanim,* domethënë në muajin e shtatë.+ 3 Kështu tërë pleqtë e Izraelit erdhën dhe priftërinjtë ngritën Arkën.+ 4 Ata ngjitën Arkën e Jehovait, tendën e takimit*+ dhe gjithë pajisjet e shenjta që ishin në tendë; këto i ngjitën priftërinjtë dhe levitët. 5 Mbreti Solomon dhe tërë asambleja e Izraelit që ishte thirrur për t’u takuar me të, ishin para Arkës. Ata flijuan+ kaq shumë dhen e gjedhë, sa nuk mund të llogariteshin a të numëroheshin.
6 Pastaj priftërinjtë e çuan arkën e besëlidhjes së Jehovait në vendin e vet,+ brenda dhomës më të brendshme të tempullit, te Më e Shenjta, nën krahët e kerubinëve.+
7 Kështu kerubinët i kishin krahët të shtrirë mbi vendin e Arkës, prandaj i bënin hije Arkës dhe shufrave të saj.+ 8 Shufrat+ ishin aq të gjata, sa majat e tyre dukeshin nga e Shenjta që ndodhej para dhomës më të brendshme, por nuk dukeshin nga jashtë. Ato janë atje deri sot e kësaj dite. 9 Në Arkë nuk kishte gjë tjetër përveç dy pllakave prej guri+ që kishte vënë Moisiu+ në Horeb kur Jehovai bëri një besëlidhje+ me popullin e Izraelit ndërsa dilte nga vendi i Egjiptit.+
10 Kur priftërinjtë dolën nga vendi i shenjtë, shtëpinë e Jehovait+ e mbushi reja.+ 11 Priftërinjtë nuk qëndronin dot për të shërbyer për shkak të resë, sepse lavdia e Jehovait mbushi shtëpinë e Jehovait.+ 12 Atëherë Solomoni tha: «Ti, o Jehova, the se do të banoje në terrin e zi.+ 13 Unë ia dola të të ndërtoja një shtëpi madhështore, një vend të qëndrueshëm, ku ti të banosh përjetë.»+
14 Pastaj mbreti u kthye nga populli dhe filloi të bekonte kongregacionin* e Izraelit ndërsa tërë kongregacioni qëndronte në këmbë.+ 15 Ai tha: «Lëvduar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit, ai që i premtoi me gojën e vet atit tim, Davidit, dhe që përmbushi me dorën e tij atë që tha: 16 ‘Prej ditës që nxora nga Egjipti popullin tim, Izraelin, nuk kam zgjedhur asnjë qytet ndër të gjitha fiset e Izraelit ku të ndërtoj një shtëpi që të qëndrojë emri im,+ por kam zgjedhur Davidin, që të jetë mbi popullin tim, Izraelin.’ 17 Ati im, Davidi, dëshironte me gjithë zemër të ndërtonte një shtëpi për emrin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit.+ 18 Por Jehovai i tha Davidit, atit tim: ‘Ti dëshiroje me gjithë zemër të ndërtoje një shtëpi për emrin tim, dhe shumë mirë që të lindi kjo dëshirë në zemër. 19 Megjithatë, shtëpinë nuk do ta ndërtosh ti, por djali që do të të lindë.* Ai do ta ndërtojë shtëpinë për emrin tim.’+ 20 Jehovai e mbajti premtimin që bëri, meqë unë zura vendin e Davidit, atit tim, dhe u ula në fronin e Izraelit, ashtu siç premtoi Jehovai. Gjithashtu ndërtova shtëpinë për emrin e Jehovait, Perëndisë së Izraelit,+ 21 dhe caktova atje një vend për Arkën, e cila mban besëlidhjen+ që Jehovai bëri me paraardhësit tanë kur i nxori nga vendi i Egjiptit.»
22 Pastaj Solomoni qëndroi para altarit të Jehovait, përballë gjithë kongregacionit të Izraelit, shtriu duart drejt qiellit+ 23 dhe u lut: «O Jehova, Perëndia i Izraelit, nuk ka Perëndi si ti+ as lart në qiej e as poshtë në tokë. Ti e respekton besëlidhjen dhe u tregon dashuri besnike+ shërbëtorëve të tu që të shërbejnë me gjithë zemër.+ 24 Ti e mbajte premtimin që i bëre shërbëtorit tënd dhe atit tim, Davidit. E bëre premtimin me gojën tënde, dhe sot e ke përmbushur me dorën tënde.+ 25 E tani, o Jehova, Perëndia i Izraelit, mbaje premtimin që i bëre shërbëtorit tënd dhe atit tim, Davidit, kur i the: ‘Nëse djemtë e tu do t’i kushtojnë vëmendje udhës së tyre, duke ecur para meje ashtu si ti, atëherë një nga pasardhësit e tu do të ulet gjithmonë në praninë time në fronin e Izraelit.’+ 26 Tani, o Perëndia i Izraelit, të lutem, përmbushe premtimin që i bëre shërbëtorit tënd dhe atit tim, Davidit.
27 Mos vallë do të banojë vërtet në tokë Perëndia?!+ Ja! Qiejt, po, qiejt e qiejve, nuk të mbajnë dot,+ e aq më pak kjo shtëpi që kam ndërtuar unë!+ 28 Tani kushtoji vëmendje lutjes së shërbëtorit tënd dhe përgjërimit të tij, o Jehova, Perëndia im, e dëgjo thirrjen për ndihmë dhe lutjen që po të drejton sot. 29 Mbaji sytë ditë e natë te kjo shtëpi, te vendi për të cilin the: ‘Emri im do të jetë atje’,+ për të dëgjuar lutjen që bën shërbëtori yt në drejtim të këtij vendi.+ 30 Dëgjoje përgjërimin e shërbëtorit tënd dhe kërkesën e popullit tënd, Izraelit, kur të luten në drejtim të këtij vendi. Dëgjo nga vendi ku banon, nga qiejt;+ po, dëgjo dhe fal.+
31 Nëse një njeri mëkaton kundër një tjetri, dhe ky e detyron të bëjë një betim* e të mbajë përgjegjësi për atë betim,* e ndërkohë që është ende nën betim,* vjen para altarit tënd në këtë shtëpi,+ 32 atëherë dëgjo nga qiejt dhe vepro e gjykoji shërbëtorët e tu: të ligun shpalle fajtor* duke e ndëshkuar për atë që ka bërë, por të drejtin shpalle të pafajshëm* duke e shpërblyer sipas drejtësisë së vet.+
33 Në rast se popullin tënd, Izraelin, e mposht armiku ngaqë ka mëkatuar vazhdimisht kundër teje,+ e pastaj kthehet te ti, i jep lavdi emrit tënd,+ të lutet e të përgjërohet në këtë shtëpi,+ 34 atëherë dëgjo nga qiejt, fale mëkatin e popullit tënd, Izraelit, dhe ktheje në vendin që u dhe paraardhësve të tij.+
35 Nëse qiejt mbyllen e nuk bie shi,+ ngaqë ata kanë mëkatuar vazhdimisht kundër teje,+ dhe pastaj luten në drejtim të këtij vendi, i japin lavdi emrit tënd dhe heqin dorë nga mëkati i tyre, ngaqë ti i përule,*+ 36 atëherë dëgjo nga qiejt e fale mëkatin e shërbëtorëve të tu, të popullit tënd, Izraelit, dhe mësoju+ udhën e mirë ku duhet të ecin; dërgo shi mbi tokën+ që i ke dhënë popullit tënd si trashëgimi.
37 Nëse vendin e pllakos zia e bukës+ ose murtaja, e godet një erë zhuritëse ose vrugu,*+ e pushtojnë një mori karkalecash ose karkalecat* e pangopur; nëse armiku i rrethon në ndonjë nga qytetet e vendit* ose nëse u bie ndonjë lloj tjetër plage a sëmundjeje,+ 38 çfarëdo lutjeje e përgjërimi+ që të bëjë ndonjëri ose i gjithë populli yt, Izraeli, (sepse gjithsecili e njeh plagën e zemrës së vet)+ kur të shtrijë duart drejt kësaj shtëpie, 39 atëherë dëgjo nga qiejt, nga vendbanimi yt,+ fal+ dhe vepro. Shpërbleje secilin sipas gjithë udhëve të tij,+ sepse ti ia njeh zemrën (vetëm ti e njeh vërtet zemrën e çdo njeriu),+ 40 që të të nderojnë thellësisht* për sa kohë të jetojnë në vendin që ti u dhe paraardhësve tanë.
41 Edhe të huajin, që nuk është pjesë e popullit tënd, Izraelit, por që vjen nga një vend i largët për shkak të emrit* tënd+ 42 (sepse do të dëgjojnë për emrin tënd të madh,+ për dorën tënde të fortë e për krahun tënd të fuqishëm*) e lutet në drejtim të kësaj shtëpie, 43 dëgjoje nga qiejt, nga vendbanimi yt,+ dhe plotësoja tërë ato që të kërkon, në mënyrë që gjithë popujt e tokës ta njohin emrin tënd e të të nderojnë thellësisht*+ njëlloj siç të nderon populli yt, Izraeli, dhe ta dinë se kjo shtëpi që kam ndërtuar, i sjell lavdi emrit tënd.
44 Nëse populli yt shkon në luftë kundër armiqve të tij, në udhën ku e dërgon ti,+ dhe të lutet ty,+ o Jehova, në drejtim të qytetit që ke zgjedhur+ dhe të shtëpisë që kam ndërtuar për emrin tënd,+ 45 atëherë dëgjoje nga qiejt lutjen e përgjërimin e tij, dhe vër në vend drejtësinë për të.
46 Nëse ata mëkatojnë kundër teje (sepse s’ka njeri që të mos mëkatojë)+ dhe ti zemërohesh shumë me ta e i braktis në dorë të armiqve, të cilët i kapin e i çojnë robër në vendin e tyre, larg ose afër;+ 47 nëse vijnë në vete në vendin ku janë çuar robër+ dhe kthehen te ti+ e të përgjërohen në vendin e robërisë,+ duke thënë: ‘Kemi mëkatuar, kemi bërë atë që është e gabuar dhe kemi vepruar me ligësi’,+ 48 nëse kthehen te ti me gjithë zemër+ e me gjithë shpirt,* në vendin e armiqve që i robëruan; nëse të luten në drejtim të vendit që u dhe paraardhësve të tyre, të qytetit që ke zgjedhur dhe të shtëpisë që kam ndërtuar për emrin tënd,+ 49 atëherë dëgjoje nga qiejt, nga vendbanimi yt,+ lutjen e përgjërimin e tyre, dhe vër në vend drejtësinë për ta. 50 Fale popullin tënd që ka mëkatuar kundër teje për të gjitha shkeljet* që bëri kundër teje. Bëj që robëruesve të tij t’u vijë keq dhe të tregojnë mëshirë për të+ 51 (sepse është populli yt dhe trashëgimia jote+ që e nxore nga Egjipti,+ nga furra e shkrirjes së hekurit*).+ 52 Drejtoji sytë nga përgjërimi+ i shërbëtorit tënd dhe i popullit tënd, Izraelit, dhe dëgjoji kurdoherë që të thërrasin,*+ 53 sepse ti, o Zotëri Sovran Jehova, i ndave veç nga të gjithë popujt e tokës si trashëgiminë tënde,+ ashtu si the me anë të shërbëtorit tënd, Moisiut, kur po i nxirrje paraardhësit tanë nga Egjipti.»
54 Sapo mbaroi gjithë këtë lutje dhe përgjërimin që i bëri Jehovait, Solomoni u ngrit nga vendi para altarit të Jehovait, ku kishte qenë në gjunjë me duart e shtrira drejt qiellit.+ 55 Pastaj qëndroi në këmbë dhe bekoi me zë të lartë gjithë kongregacionin e Izraelit: 56 «Lëvduar qoftë Jehovai, që i ka dhënë paqe* popullit të tij, Izraelit, ashtu siç premtoi.+ Nuk ka mbetur pa u plotësuar as edhe një fjalë nga të gjitha gjërat e mira që premtoi nëpërmjet shërbëtorit të vet, Moisiut!+ 57 Perëndia ynë Jehova qoftë me ne, ashtu siç ishte me paraardhësit tanë+ dhe mos na lëntë e mos na braktistë kurrë!+ 58 E ktheftë zemrën tonë drejt tij,+ që të ecim në gjithë udhët e tij dhe të zbatojmë urdhërimet, rregullat dhe vendimet gjyqësore që urdhëroi t’i zbatonin paraardhësit tanë! 59 Qofshin pranë Jehovait, Perëndisë tonë, ditë e natë, fjalët e këtij përgjërimi që i kam bërë Jehovait, që ai të vërë në vend drejtësinë për shërbëtorin e tij dhe për popullin e vet, Izraelin, sipas asaj që u nevojitet çdo ditë! 60 Kështu gjithë popujt e tokës ta dinë se Jehovai është Perëndia i vërtetë+ dhe se nuk ka asnjë tjetër!+ 61 Kushtojuni me gjithë zemër+ Jehovait, Perëndisë tonë, duke ecur sipas rregullave të tij dhe duke zbatuar urdhërimet e tij, si po bëni sot.»
62 Pastaj mbreti dhe gjithë Izraeli bashkë me të, bënë një flijim të madh para Jehovait.+ 63 Solomoni bëri këto flijime në bashkësi+ për Jehovain: flijoi 22.000 gjedhë dhe 120.000 dhen. Kështu mbreti dhe gjithë izraelitët inauguruan* shtëpinë e Jehovait.+ 64 Atë ditë mbreti shenjtëroi* mesin e oborrit para shtëpisë së Jehovait, sepse iu desh të ofronte atje flijimet e djegura, blatimet në drithë dhe pjesët e dhjamura të flijimeve në bashkësi, meqë altari prej bakri+ para Jehovait ishte tepër i vogël për të mbajtur flijimet e djegura, blatimet në drithë dhe pjesët e dhjamura+ të flijimeve në bashkësi. 65 Në atë kohë Solomoni bashkë me gjithë Izraelin, një kongregacion i madh i ardhur nga gjithë vendi, nga Lebo-Hamathi* deri në vadin* e Egjiptit,+ e kremtuan festën+ para Jehovait, Perëndisë tonë, për 7 ditë, dhe pastaj për 7 ditë të tjera, gjithsej 14 ditë. 66 Ditën tjetër* ai e nisi popullin, e ata bekuan mbretin dhe shkuan në shtëpitë e tyre shumë të lumtur e me zemër të gëzuar për gjithë mirësinë+ që i kishte treguar Jehovai Davidit, shërbëtorit të tij, dhe popullit të vet, Izraelit.