Libri i dytë i Kronikave
14 Në fund Abijahu u preh me paraardhësit e vet dhe e varrosën në Qytetin e Davidit;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Asa. Në ditët e tij, vendi nuk pati trazira për dhjetë vjet.
2 Asa bëri atë që ishte e mirë dhe e drejtë në sytë e Jehovait, Perëndisë së tij. 3 Ai hoqi altarët+ e perëndive të huaja dhe vendet e larta, bëri copë-copë kolonat e shenjta+ dhe rrëzoi shtyllat e shenjta.*+ 4 Veç kësaj, i tha Judës të kërkonte Jehovain, Perëndinë e paraardhësve të tyre, dhe të zbatonte Ligjin e urdhërimet. 5 Prandaj i hoqi nga gjithë qytetet e Judës vendet e larta dhe mbajtëset e temjanit.+ Mbretëria nuk pati trazira gjatë sundimit të tij. 6 Ai ndërtoi qytete të fortifikuara në Judë,+ pasi vendi nuk kishte trazira. Gjatë këtyre viteve nuk pati asnjë luftë kundër tij, sepse Jehovai i dha paqe.+ 7 Kështu ai i tha Judës: «Le t’i ndërtojmë këto qytete e të bëjmë mure rrethuese, kulla,+ porta* dhe shula. Vendin e kemi ende në dorë, sepse kemi kërkuar Jehovain, Perëndinë tonë. Ne e kërkuam dhe ai na dha paqe rreth e qark.» E ndërtimi i tyre doli i suksesshëm.+
8 Asa pati një ushtri me 300.000 veta nga Juda, të pajisur me mburoja të mëdha e me heshta, dhe 280.000 luftëtarë të fuqishëm nga Beniamini, të armatosur me shqyte* dhe me harqe.*+
9 Më vonë Zerahu, etiopasi, doli kundër tyre me një ushtri prej 1.000.000 burrash e 300 karrocash.+ Kur mbërriti në Mareshah,+ 10 Asa doli kundër tij dhe u rreshtua në formacion luftimi në luginën e Zefatahut në Mareshah. 11 Atëherë Asa iu përgjërua Jehovait, Perëndisë së tij:+ «O Jehova, për ty s’ka rëndësi nëse ata që ndihmon janë të fortë* apo të dobët.+ Na ndihmo, o Jehova, Perëndia ynë, se te ti mbështetemi+ dhe në emrin tënd kemi dalë kundër kësaj turme!+ O Jehova, ti je Perëndia ynë! Mos lejo që njeriu* të dalë më i fortë se ti!»+
12 Kështu Jehovai i mundi etiopasit para Asës e para Judës, dhe etiopasit ia mbathën.+ 13 Asa bashkë me popullin i ndoqën deri në Gerar+ dhe vazhduan t’i vritnin etiopasit derisa nuk mbeti asnjë gjallë, sepse Jehovai dhe ushtria e tij i shpartalluan. Më pas, ata bënë plaçkë shumë të madhe. 14 Gjithashtu goditën gjithë qytetet rreth e përqark Gerarit, të cilat i kishte zënë tmerri nga Jehovai. Plaçkitën gjithë qytetet, pasi në to kishte shumë për të plaçkitur. 15 Sulmuan edhe tendat e atyre që kishin bagëti, duke zënë kështu një numër të madh kopesh dhe devesh, e pastaj u kthyen në Jerusalem.