Sipas Gjonit
2 Dy ditë më vonë, në Kanë të Galilesë u bë një dasmë dhe nëna e Jezuit ishte atje. 2 Në dasmë ishin ftuar edhe Jezui me dishepujt e vet.
3 Kur mbaroi vera, e ëma i tha Jezuit: «Nuk kanë më verë.» 4 Por Jezui iu përgjigj: «O grua, ç’punë kemi ne me këtë?* Nuk është ende koha* që unë të veproj.» 5 Atëherë e ëma u tha atyre që shërbenin: «Bëni si t’ju thotë ai.» 6 Tani, siç e kërkonin rregullat e pastrimit të judenjve,+ atje kishte gjashtë qypa guri për ujë, që nxinin secili nga dy ose tri masa.* 7 Jezui u tha: «Mbushini qypat me ujë.» Dhe ata i mbushën deri në buzë. 8 Pastaj u tha: «Tani merrni ca dhe çojani të parit të gostisë.» Kështu ata ia çuan. 9 Kur provoi ujin që tani ishte kthyer në verë, i pari i gostisë thirri dhëndrin. Ngaqë nuk e dinte nga vinte vera (ndryshe nga shërbëtorët që e kishin marrë ujin), 10 ai i tha: «Gjithë të tjerët nxjerrin në fillim verën e mirë dhe, kur njerëzit dehen, nxjerrin atë të keqen. Kurse ti e ke ruajtur verën e mirë deri tani.» 11 Kjo që bëri Jezui në Kanë të Galilesë, ishte fillimi i shenjave* të tij. Kështu ai e shfaqi fuqinë* e vet,+ dhe dishepujt treguan besim tek ai.
12 Pas kësaj, ai, e ëma, vëllezërit+ dhe dishepujt e vet zbritën në Kapernaum,+ por nuk ndenjën shumë ditë atje.
13 Ndërkohë ishte afër Festa e Kalimit,*+ dhe Jezui u ngjit në Jerusalem. 14 Në tempull gjeti shitësit e gjedhëve, të deleve e të pëllumbave,+ si dhe këmbyesit e parave të ulur në stolat e tyre. 15 Prandaj ai bëri një kamxhik me litarë dhe i dëboi nga tempulli të gjithë shitësit bashkë me delet e gjedhët e tyre. Ua derdhi monedhat këmbyesve të parave dhe ua përmbysi tryezat.+ 16 Kurse atyre që shitnin pëllumba, u tha: «Hiqini që këtej këto gjëra! Mos e bëni më shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!»*+ 17 Dishepujve u erdhi ndër mend shkrimi: «Zelli për shtëpinë tënde do të më përpijë.»+
18 Por judenjtë e pyetën: «Ç’shenjë do të na tregosh+ se ke autoritet t’i bësh këto gjëra?» 19 Jezui iu përgjigj: «Shembeni këtë tempull dhe për tri ditë unë do ta ngre përsëri.»+ 20 Atëherë judenjtë i thanë: «U deshën 46 vjet që të ndërtohej ky tempull, e ti do ta ngresh për tri ditë?!» 21 Por me tempullin ai kishte ndër mend trupin e vet.+ 22 Në fakt, dishepujve u erdhën ndër mend këto fjalë kur ai u ngrit nga të vdekurit.+ Kështu ata u besuan Shkrimeve dhe fjalëve të Jezuit.
23 Mirëpo, gjatë kohës që ishte në Jerusalem për Festën e Kalimit, shumë njerëz treguan besim në emrin e tij kur panë shenjat që kryente. 24 Por Jezui nuk u zinte shumë besë atyre, sepse i njihte mirë të gjithë 25 dhe s’kishte nevojë t’i tregonin si mendonin njerëzit, sepse e dinte çfarë kishin në zemër.+