12 Atëherë Jobi iu përgjigj:
2 «Posi, veç ju i dini të gjitha,
dhe mençuria do të marrë fund me ju!
3 Edhe unë kuptoj, e nuk qëndroj më poshtë se ju.
E kush nuk i di këto gjëra?
4 Jam bërë qesharak për shokët e mi,+
unë që i thërras Perëndisë për përgjigje.+
Po, një njeri i drejtë e i paqortueshëm është bërë gazi i botës.
5 Kush është rehat, i shpërfill hallet
e mendon se u bien vetëm atyre që u merren këmbët.
6 Në tendat e grabitësve mbretëron paqja;+
ata që provokojnë Perëndinë, janë të sigurt,+
po, ata që e mbajnë në dorë perëndinë e tyre.
7 Por, pyet pak kafshët, e do të të mësojnë;
pyet zogjtë e qiellit, e do të të tregojnë.
8 Kushtoji vëmendje tokës, dhe do të të mësojë;
edhe peshqit e detit do të ta tregojnë të vërtetën.
9 Cili nga tërë këta nuk e di
se dora e Jehovait ka bërë gjithçka?
10 Po, ai ka në dorë jetën e çdo qenieje të gjallë
dhe frymën e çdo njeriu.+
11 A nuk i peshon veshi fjalët,
siç shijon gjuha ushqimin?+
12 A nuk kanë mençuri të moshuarit,+
dhe a nuk vjen me moshën aftësia për të kuptuar?
13 Tek ai gjendet mençuria dhe fuqia;+
atij i përket çdo qëllim dhe aftësia për të kuptuar.+
14 Atë që shemb ai, askush s’e rindërton dot;+
atë që mbyll ai, askush s’e hap dot.
15 Kur i frenon ujërat, çdo gjë thahet;+
kur i lëshon ato, toka përmbytet.+
16 Tek ai gjendet forca dhe mençuria praktike;+
në dorë të tij është ai që ecën në rrugë të shtrembër
dhe ai që çon në rrugë të shtrembër;
17 këshilltarët i bën të ecin këmbëzbathur,
dhe gjykatësit i bën të marrë.+
18 Liron vargonjtë që vënë mbretërit,+
dhe atyre u lidh në mes rripin e skllavërisë.
19 Priftërinjtë i bën të ecin këmbëzbathur,+
dhe ata që kanë zënë rrënjë në pozitat e tyre, i rrëzon.+
20 Këshilltarëve të besuar ua mbyll gojën
dhe të moshuarve ua heq gjykimin.
21 Mbi fisnikët zbraz përçmim+
dhe të fuqishmit i rrëzon.
22 Zbulon gjëra të thella të fshehura në errësirë+
dhe terrin e nxjerr në dritë.
23 Kombet i bën të fuqishme që pastaj t’i shkatërrojë,
u zgjeron kufijtë që pastaj t’i çojë në mërgim.
24 Krerëve të popullit ua heq arsyen
dhe i bën të enden në vende të shkreta pa shtigje.+
25 Ata kërkojnë qorrazi në errësirë,+ atje ku s’ka dritë;
ai i bën të enden si të dehur.+