Libri i parë i Samuelit
20 Atëherë Davidi ia mbathi nga Najothi i Ramahut dhe vajti te Jonatani e i tha: «Ç’kam bërë?+ Cili është faji im dhe si kam mëkatuar kundër babait tënd që kërkon jetën time?» 2 Jonatani ia ktheu: «As që bëhet fjalë!+ Ti nuk do të vdesësh! Babai im nuk bën asgjë pa më thënë mua, e madhe a e vogël qoftë. Pse do të ma fshihte këtë gjë? Kjo s’ka për të ndodhur.» 3 Davidi tha më tej: «Me siguri babai yt e di se kam miratimin tënd+ e mund të ketë thënë: ‘Të mos e marrë vesh Jonatani, se do të mërzitet.’ Por siç është e vërtetë që Jehovai rron dhe siç është e vërtetë që ti rron, mua s’më ndan veçse një hap nga vdekja!»+
4 Atëherë Jonatani i tha Davidit: «Çfarëdo që të më thuash, do ta bëj.» 5 Davidi i tha: «Nesër është hëna e re+ dhe pa dyshim pritet që unë të ulem me mbretin për të ngrënë. Më lër të shkoj e të fshihem në arë deri pasnesër në mbrëmje. 6 Nëse babait tënd do t’i bjerë në sy mungesa ime, thuaji: ‘Davidi m’u përgjërua t’i jepja leje që të shkonte menjëherë në qytetin e tij, në Betlehem,+ sepse atje e gjithë familja do të ofrojë flijimin vjetor.’+ 7 Nëse përgjigjet: ‘Mirë’, kjo do të thotë paqe për shërbëtorin tënd. Por nëse zemërohet, të jesh i sigurt se ka vendosur të më bëjë keq. 8 Tregoji dashuri besnike shërbëtorit tënd,+ sepse ke bërë një besëlidhje me shërbëtorin tënd para Jehovait.+ Por nëse jam fajtor,+ më vrit me dorën tënde. Pse të më dorëzosh te babai yt?»
9 Me të dëgjuar këtë, Jonatani tha: «As mos i ço nëpër mend këto gjëra! Sikur ta merrja vesh se im atë ka vendosur të të bëjë keq, a nuk do të ta tregoja?!»+ 10 Kështu Davidi i tha Jonatanit: «Kush do të ma tregojë nëse babai yt të përgjigjet ashpër?» 11 Jonatani iu përgjigj Davidit: «Hajde të dalim në arë.» Kështu dolën që të dy në arë. 12 Dhe Jonatani i tha Davidit: «Jehovai, Perëndia i Izraelit, qoftë dëshmitar se do t’ia blej mendjen babait tim rreth kësaj ore, nesër ose pasnesër. Nëse ai të ka me sy të mirë, do të të dërgoj fjalë që ta marrësh vesh. 13 Por, nëse babai im ka ndër mend të të bëjë keq, Jehovai më ndëshkoftë, madje ashpër, në rast se nuk të tregoj e nuk të lë të ikësh në paqe! Jehovai qoftë me ty,+ ashtu si ishte me babanë tim!+ 14 A nuk do të më tregosh edhe ti dashuri besnike si Jehovai sa të jem gjallë, madje edhe kur të vdes?+ 15 Tregoji gjithnjë dashuri besnike shtëpisë sime,+ edhe kur Jehovai t’i zhdukë të gjithë armiqtë e Davidit nga faqja e dheut.» 16 Kështu Jonatani bëri një besëlidhje me shtëpinë e Davidit, duke thënë: «Jehovai do t’u kërkojë llogari armiqve të Davidit.» 17 Jonatani e vuri përsëri në be Davidin për dashurinë që kishte për të, sepse e donte si shpirtin e vet.+
18 Atëherë Jonatani i tha: «Nesër është hëna e re+ dhe mungesa jote do të bjerë në sy, sepse vendi yt do të jetë bosh. 19 Pasnesër mungesa jote do të bjerë edhe më shumë në sy, dhe ti hajde këtu në vendin ku u fshehe herën e kaluar,* dhe qëndro pranë këtij guri. 20 Unë do të gjuaj tri shigjeta në njërën anë të tij, sikur të isha duke gjuajtur në një shenjë. 21 Kur të dërgoj shërbëtorin, do t’i them: ‘Shko e gjeji shigjetat.’ Nëse i them shërbëtorit: ‘Ja, shigjetat janë afër teje, merri’, atëherë ti mund të kthehesh, sepse siç është e vërtetë që Jehovai rron, kjo do të thotë se për ty ka paqe dhe jo rrezik. 22 Por nëse i them djaloshit: ‘Ja, shigjetat janë matanë teje’, atëherë ik, sepse Jehovai të ka larguar që këtej. 23 Sa për premtimin që i kemi bërë njëri-tjetrit,+ Jehovai qoftë përjetë mes nesh.»+
24 Kështu Davidi u fsheh në arë. Kur erdhi hëna e re, mbreti u ul në vendin e vet për të ngrënë.+ 25 Mbreti ishte si zakonisht në ndenjësen e vet pranë murit, Jonatani ishte përballë tij dhe Abneri+ rrinte ulur përbri Saulit. Kurse vendi i Davidit ishte bosh. 26 Sauli nuk tha asgjë atë ditë, sepse tha me vete: «I ka ndodhur ndonjë gjë dhe nuk është i pastër.+ Po, duhet të jetë i papastër.» 27 Por të nesërmen e hënës së re, ditën e dytë, vendi i Davidit ishte përsëri bosh. Atëherë Sauli e pyeti të birin, Jonatanin: «Pse nuk ka ardhur të hajë as dje, as sot djali i Jeseut?»+ 28 Jonatani iu përgjigj: «Davidi m’u përgjërua t’i jepja leje që të shkonte në Betlehem.+ 29 Ai më tha: ‘Të lutem, më lër të shkoj, sepse e gjithë familja do të ofrojë një flijim në qytet dhe më ka thirrur im vëlla. Prandaj, të lutem, nëse kam miratimin tënd, më lër të iki pa rënë në sy që t’i shoh vëllezërit.’ Ja pse nuk ka ardhur në tryezën e mbretit.» 30 Atëherë Sauli u tërbua me Jonatanin dhe i tha: «O djalë rebel!* Vërtet mendon se unë nuk e di që ke zgjedhur të marrësh anën e djalit të Jeseut, për turpin tënd dhe për turpin e nënës sate?!* 31 Sa të jetë gjallë mbi dhé djali i Jeseut, as ti, as mbretëria jote nuk do të jeni të sigurt.+ Prandaj dërgo tani dikë që të ma sjellë, sepse ai duhet të vdesë.»*+
32 Por Jonatani i tha të atit, Saulit: «Pse të vdesë?+ Ç’ka bërë?» 33 Me të dëgjuar këtë, Sauli vërviti heshtën për ta goditur.+ Kështu Jonatani e kuptoi se i ati ishte i vendosur ta vriste Davidin.+ 34 Jonatani u ngrit menjëherë nga tryeza në kulm të zemërimit dhe nuk hëngri asgjë ditën e dytë pas hënës së re, ngaqë ishte i mërzitur për Davidin+ dhe ngaqë i ati e kishte poshtëruar.
35 Në mëngjes, Jonatani shkoi në arën ku kishte lënë takim me Davidin. Bashkë me të ishte një shërbëtor i ri,+ 36 dhe ai i tha shërbëtorit: «Të lutem, vrapo dhe gjeji shigjetat që po gjuaj.» Shërbëtori vrapoi, dhe Jonatani e gjuajti shigjetën matanë tij. 37 Kur shërbëtori mbërriti te vendi ku Jonatani kishte gjuajtur shigjetën, ai i thirri shërbëtorit: «Shigjeta është matanë teje.» 38 Jonatani i thirri shërbëtorit: «Nxito! Shko shpejt! Mos u vono!» Shërbëtori i mblodhi shigjetat dhe u kthye te zotëria i vet. 39 Shërbëtori nuk e kuptoi si ishte puna; vetëm Jonatani dhe Davidi e dinin çfarë do të thoshte kjo. 40 Pastaj Jonatani ia dha armët shërbëtorit e i tha: «Shko e çoji në qytet.»
41 Kur shërbëtori iku, Davidi doli nga vendi ku ishte fshehur aty afër që ishte drejt jugut. Pastaj u përkul tri herë me fytyrë përtokë. Ata e puthën njëri-tjetrin dhe ia dhanë të qarit për njëri-tjetrin, por më shumë qau Davidi. 42 Jonatani i tha Davidit: «Shko në paqe, sepse jemi betuar që të dy+ në emër të Jehovait: ‘Jehovai qoftë përjetë mes meje e teje dhe mes pasardhësve* të mi e pasardhësve* të tu.’»+
Pastaj Davidi iku, kurse Jonatani u kthye në qytet.