Ezekieli
21 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 2 «Bir njeriu, ktheje fytyrën nga Jerusalemi, bëj një shpallje kundër vendeve të shenjta dhe profetizo kundër Izraelit. 3 Thuaji vendit të Izraelit: “Kështu thotë Jehovai: ‘Ja, unë jam kundër teje, do ta zhvesh shpatën+ dhe do të shfaros të drejtë e të ligj. 4 Do ta zhvesh shpatën dhe do ta drejtoj kundër çdo njeriu,* nga jugu në veri, sepse unë do të shfaros të drejtë e të ligj. 5 Çdo njeri ka për ta marrë vesh se unë, Jehovai, e kam zhveshur shpatën e s’do ta kthej më mbrapsht.’”+
6 Ti, o bir njeriu, psherëti dhe dridhu* nga frika. Po, psherëti i vrerosur para tyre.+ 7 Nëse të thonë: ‘Pse psherëtin?’, ti do t’u përgjigjesh: ‘Për shkak të një lajmi.’ Se me siguri ai lajm do të vijë dhe çdo zemër do të mpaket nga frika, të gjithë do t’i lëshojë zemra,* çdo njeri* do të ligështohet dhe gjunjët do të pikojnë.*+ ‘Ja, ai lajm ka për të ardhur dhe do të ndodhë tamam ashtu’,—thotë Zotëria Sovran Jehova.»
8 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 9 «Bir njeriu, profetizo: “Kështu thotë Jehovai: ‘Thuaj: Ja, një shpatë! Një shpatë+ është mprehur dhe është lëmuar. 10 Është mprehur për të bërë masakër të madhe, është lëmuar që të shndritë si vetëtimë.
A nuk duhet të ngazëllojmë?’
A do t’i bjerë vallë ajo* skeptrit të tim biri,+ siç bën me çdo pemë?
11 Ajo është dhënë për t’u lëmuar, që dikush ta vringëllojë në dorë; është mprehur e është lëmuar, që t’i jepet në dorë një ekzekutuesi.+
12 Bërtit dhe vajto,+ o bir njeriu, sepse ajo është kthyer kundër popullit tim; është kthyer kundër tërë prijësve të Izraelit,+ të cilët do të bien të vdekur nga shpata bashkë me popullin tim. Prandaj bjeri kofshës nga hidhërimi, 13 sepse populli im është shqyrtuar.+ E çfarë do të ndodhë nëse shpata do t’i bjerë skeptrit?* Ai* nuk do të ekzistojë më”,+—thotë Zotëria Sovran Jehova.
14 Ti, o bir njeriu, profetizo, përplas duart dhe përsërit tri herë fjalën ‘shpatë’. Ajo është shpata e të vrarëve, shpata e masakrës së madhe, që i rrethon ngado.+ 15 Zemrat do t’u mpaken nga frika+ dhe shumë do të bien pranë portave të qytetit; me anë të shpatës, unë do të bëj një masakër. Po, shpata shndrit si vetëtimë dhe është lëmuar që të bëjë një masakër! 16 Godit djathtas, o shpatë e mprehtë! Vringëllo majtas! Shko nga të të shkojë tehu! 17 Edhe unë do të përplas duart gjithë përçmim e do të ekzekutoj gjykimin tim, dhe atëherë do të më fashitet tërbimi.+ Unë, Jehovai, kam folur.»
18 Fjala e Jehovait m’u drejtua akoma: 19 «Ti, o bir njeriu, shëno dy rrugë nga do të vijë shpata e mbretit të Babilonisë. Rrugët do të dalin nga i njëjti vend, dhe ti duhet të vësh një shenjë aty ku ato degëzohen për në të dyja qytetet. 20 Shëno një rrugë nga do të vijë shpata kundër Rabahut+ të amonitëve dhe një tjetër nga do të vijë kundër Jerusalemit të fortifikuar+ në Judë, 21 sepse mbreti i Babilonisë ndalet që të hedhë fall aty ku degëzohen rrugët, në krye të tyre. Ai përzien shigjetat, konsultohet me idhujt e tij* dhe shqyrton mëlçinë.* 22 Falli në dorën e tij të djathtë i tregon drejtimin për në Jerusalem. Ai duhet të vërë desh* kundër qytetit, të urdhërojë një masakër, të japë alarmin për luftë, të vërë desh kundër portave dhe të ngrejë një ledh e një mur rrethues.+ 23 Por do të duket si fall i rremë për ata* që u janë betuar atyre.*+ Megjithatë ai e kujton fajin e tyre, prandaj do t’i çojë në robëri.+
24 Prandaj kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Ju vetë bëtë që faji juaj të kujtohej, ngaqë i nxorët sheshit shkeljet* tuaja dhe i bëtë të dukshme mëkatet tuaja në gjithçka. Tani që faji juaj është kujtuar, do t’ju marrin me forcë.’*
25 Por dita jote ka ardhur, o i plagosur për vdekje, o prijës i lig i Izraelit,+ dita e ndëshkimit tënd përfundimtar ka ardhur. 26 Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova: ‘Hiqe çallmën, hiqe kurorën.+ Nuk do të jetë më si më parë.+ Ngrije lart atë që është poshtë+ dhe ule poshtë atë që është lart.+ 27 Unë do ta rrënoj, do ta rrënoj, po, do ta rrënoj atë. Ajo nuk do t’i përkasë askujt derisa të vijë ai që ka të drejtën ligjore+ dhe atij do t’ia jap.’+
28 Ti, o bir njeriu, profetizo dhe thuaj: ‘Kështu thotë Zotëria Sovran Jehova për amonitët dhe për fyerjet e tyre: “Një shpatë, po, një shpatë është zhveshur për të bërë masakër; është lëmuar që të përpijë dhe të shndritë si vetëtimë. 29 Pavarësisht vegimeve* të rreme dhe fallit të gënjeshtërt që do të bëhen për ty, ty do të të hedhin mbi pirgun e të vrarëve,* të këtyre njerëzve të ligj që u ka ardhur dita e ndëshkimit përfundimtar. 30 Ktheje shpatën në mill.* Unë do të të gjykoj në vendin ku u krijove, në tokën ku i ke rrënjët. 31 Unë do të derdh mbi ty indinjatën time, do të shfryj mbi ty zjarrin e furisë sime dhe do të të lë në duart e njerëzve të dhunshëm, të mjeshtërve të shkatërrimit.+ 32 Ti do të katandisesh në dru zjarri,+ gjaku yt do të derdhet në gjithë vendin dhe askush nuk do të të kujtojë më, sepse unë, Jehovai, kam folur.”’»