Josiu
22 Pastaj Josiu thirri rubenitët, gaditët dhe gjysmën e fisit të Manaseut 2 e u tha: «Ju bëtë gjithçka që ju urdhëroi Moisiu,+ shërbëtori i Jehovait dhe iu bindët zërit tim në gjithçka që ju urdhërova.+ 3 Nuk i braktisët vëllezërit tuaj gjatë gjithë kësaj kohe e deri më sot,+ dhe zbatuat urdhërimin e Jehovait, Perëndisë tuaj.+ 4 Jehovai, Perëndia juaj, u dha vëllezërve tuaj prehje nga armiqtë, ashtu siç ju premtoi.+ Kështu, tani mund të ktheheni në tendat tuaja në vendin që Moisiu, shërbëtori i Jehovait, ju dha që ta zotëroni matanë* Jordanit.+ 5 Veç zbatoni me shumë kujdes urdhërimet dhe Ligjin që ju dha Moisiu, shërbëtori i Jehovait,+ e duajeni Jehovain, Perëndinë tuaj,+ ecni në të gjitha udhët e tij,+ zbatoni urdhërimet e tij,+ qëndrojini besnikë+ dhe shërbejini+ me gjithë zemër e me gjithë shpirt.»*+
6 Pastaj Josiu i bekoi dhe i nisi, e ata shkuan në tendat e tyre. 7 Gjysmës së fisit të Manaseut, Moisiu ia kishte dhënë trashëgiminë në Bashan,+ kurse gjysmës tjetër të fisit, Josiu i dha tokë në anën perëndimore të Jordanit,+ bashkë me vëllezërit e tyre. Veç kësaj, kur i dërgoi për në tendat e tyre, Josiu i bekoi 8 e u tha: «Kthehuni në tendat tuaja me shumë pasuri e bagëti, me argjend, ar, bakër, hekur dhe me shumë e shumë rroba.+ Ndajeni me vëllezërit plaçkën+ e armiqve tuaj.»
9 Pas kësaj rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut ikën nga pjesa tjetër e izraelitëve, nga Shilohu në vendin e Kananit, e u kthyen në Galad,+ në vendin që zotëronin e ku ishin vendosur me banim sipas urdhrit që kishte dhënë Jehovai nëpërmjet Moisiut.+ 10 Kur arritën në rajonet e Jordanit në vendin e Kananit, rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut ndërtuan pranë Jordanit një altar të madh e mbresëlënës. 11 Më vonë, pjesa tjetër e izraelitëve dëgjuan të thuhej:+ «Ja, rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut kanë ndërtuar një altar në kufi me vendin e Kananit, në rajonet e Jordanit, në krahun që na përket neve.» 12 Kur izraelitët e morën vesh këtë, tërë asambleja e izraelitëve u mblodh në Shiloh+ që të shkonin të luftonin kundër tyre.
13 Pastaj izraelitët dërguan Finehasin,+ birin e priftit Eleazar, te rubenitët, gaditët dhe te gjysma e fisit të Manaseut në vendin e Galadit. 14 Bashkë me të ishin edhe dhjetë prijës, një për çdo shtëpi atërore nga të gjitha fiset e Izraelit, ku secili ishte kreu i shtëpisë së vet atërore mes mijëra burrave* të Izraelit.+ 15 Kur arritën te rubenitët, gaditët dhe te gjysma e fisit të Manaseut në vendin e Galadit, u thanë:
16 «Ja ç’thotë tërë asambleja e Jehovait: ‘Ç’është kjo pabesi+ që keni bërë kundër Perëndisë së Izraelit? Sot i keni kthyer shpinën Jehovait e nuk po e ndiqni më, pasi keni ndërtuar një altar dhe jeni rebeluar kundër Jehovait.+ 17 Vallë, a nuk na mjaftoi faji që bëmë në Peor? E keni harruar plagën që ra mbi asamblenë e Jehovait? Edhe sot e kësaj dite po vuajmë pasojat e atij mëkati.+ 18 E ju sot do t’i kthenit shpinën Jehovait dhe nuk do ta ndiqnit më?! Nëse rebeloheni kundër Jehovait sot, atëherë ai do të zemërohet me tërë asamblenë e Izraelit nesër.+ 19 E tani, nëse e keni bërë këtë ngaqë vendi që zotëroni është i papastër, ejani në vendin që zotëron Jehovai,+ ku qëndron tabernakulli i Jehovait,+ dhe banoni mes nesh. Por mos u rebeloni kundër Jehovait e mos ndërtoni një altar tjetër përveç altarit të Jehovait, Perëndisë tonë,+ përndryshe edhe ne do të konsiderohemi rebelë. 20 Kur Akani,+ biri i Zerahut, u tregua i pabesë e nuk iu bind urdhrit për gjërat që duheshin shkatërruar,* a nuk u derdh zemërimi i Perëndisë kundër tërë asamblesë së Izraelit?+ Ai njeri nuk ishte i vetmi që vdiq për fajin e tij.’»+
21 Atëherë rubenitët, gaditët dhe gjysma e fisit të Manaseut iu përgjigjën krerëve të mijëra burrave* të Izraelit:+ 22 «Perëndia i perëndive, Jehovai* e di! Po, Perëndia i perëndive, Jehovai+ e di pse vepruam kështu, madje edhe Izraeli do ta dijë. Nëse u rebeluam e u treguam të pabesë ndaj Jehovait, të mos na e kursejë jetën këtë ditë. 23 Nëse e ndërtuam këtë altar që t’i kthenim shpinën Jehovait e të mos e ndiqnim më dhe që të paraqitnim blatime të djegura, blatime në drithë e flijime në bashkësi, Jehovai le të na dënojë.+ 24 Përkundrazi, e bëmë ngaqë kishim një merak tjetër, sepse thamë: “Në të ardhmen bijtë tuaj do t’u thonë bijve tanë: ‘Ç’ju lidh ju me Jehovain, Perëndinë e Izraelit?! 25 Mes nesh dhe jush, rubenitëve e gaditëve, Jehovai ka vënë si kufi Jordanin. Ju nuk keni të bëni fare me Jehovain.’ E kështu, bijtë tuaj do t’i pengonin bijtë tanë që të adhuronin* Jehovain.”
26 Prandaj thamë: “Oburra, t’i futemi punës e të ndërtojmë një altar, jo për blatime të djegura ose për flijime, 27 por që të jetë si dëshmitar mes jush e nesh+ dhe mes pasardhësve tanë,* se do t’i bëjmë shërbim Jehovait me blatimet e djegura, me flijimet tona në bashkësi dhe me flijime të tjera,+ që në të ardhmen bijtë tuaj të mos u thonë bijve tanë: ‘Ju nuk keni të bëni fare me Jehovain.’” 28 Pastaj thamë: “Nëse në të ardhmen ata na thonë kështu neve dhe pasardhësve* tanë, do t’u themi: ‘Pa shihni altarin që paraardhësit tanë e bënë njësoj si altari i Jehovait, jo për blatime të djegura ose për flijime, por që të jetë si dëshmitar mes jush e nesh!’” 29 Kurrë nuk do të na shkonte ndër mend që të rebeloheshim kundër Jehovait, t’i kthenim shpinën sot Jehovait e të mos e ndiqnim më,+ duke ndërtuar një altar për blatime të djegura, për blatime në drithë dhe për flijime, përveç altarit të Jehovait, Perëndisë tonë, që gjendet para tabernakullit të tij!»+
30 Kur dëgjuan çfarë thanë pasardhësit e Rubenit, të Gadit e të Manaseut, prifti Finehas, prijësit e asamblesë dhe krerët e mijëra burrave* të Izraelit që ishin me të, mbetën të kënaqur.+ 31 Kështu, Finehasi, biri i priftit Eleazar, u tha pasardhësve të Rubenit, të Gadit dhe të Manaseut: «Sot e dimë që Jehovai është mes nesh, sepse ju nuk e bëtë këtë pabesi kundër Jehovait. Sot i shpëtuat izraelitët nga dora e Jehovait.»
32 Pastaj Finehasi, biri i priftit Eleazar, dhe prijësit u kthyen nga rubenitët dhe nga gaditët në vendin e Galadit për në vendin e Kananit, e u treguan izraelitëve të tjerë gjithë sa ndodhi. 33 Izraelitët u kënaqën me raportin dhe pastaj lëvduan Perëndinë; ata nuk e zunë më në gojë që të luftonin kundër rubenitëve e gaditëve për të shkatërruar vendin ku ata banonin.
34 Kështu rubenitët dhe gaditët i vunë një emër altarit,* sepse thanë: «Ai është dëshmitar mes nesh që Jehovai është Perëndia i vërtetë.»