Ligji i përtërirë
17 Mos i paraqit Jehovait, Perëndisë tënd, një flijim nga bagëtia e trashë ose e imët, që ka ndonjë të metë a ndonjë gjymtim, sepse kjo do të ishte e neveritshme për Jehovain, Perëndinë tënd.+
2 Ta zëmë se në një nga qytetet që po të jep Jehovai, Perëndia yt, gjendet një burrë a një grua që bën atë që është e keqe në sytë e Jehovait, Perëndisë tënd, dhe shkel besëlidhjen e tij,+ 3 largohet nga rruga e drejtë, adhuron perëndi të tjera dhe përkulet para tyre, para diellit, para hënës a tërë ushtrisë së qiejve,+ gjë që unë nuk e kam urdhëruar.+ 4 Kur të ta raportojnë këtë gjë ose ta marrësh vesh, atëherë hetoje çështjen imtësisht. Nëse vërtetohet+ se kjo gjë e neveritshme është bërë në Izrael, 5 burrin ose gruan që ka bërë këtë ligësi, nxirre jashtë te porta e qytetit dhe qëlloje me gurë derisa të vdesë.+ 6 Ai që është dënuar me vdekje, duhet ekzekutuar nga dëshmia* e dy ose tre dëshmitarëve;+ ai nuk duhet ekzekutuar nga dëshmia e një dëshmitari të vetëm.+ 7 E para duhet ta godasë dora e dëshmitarëve për ta vrarë, dhe më pas dora e tërë popullit. Hiqe të keqen nga mesi yt.+
8 Nëse në një nga qytetet e tua lind një çështje tepër e vështirë për t’u gjykuar: për ndonjë gjakderdhje,+ për ndonjë kërkesë ligjore, për ndonjë veprim të dhunshëm, ose për mosmarrëveshje të tjera, atëherë ngrihu e shko në vendin që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt.+ 9 Shko të pyesësh priftërinjtë levitë dhe gjykatësin+ që është në detyrë, dhe ata do të të japin vendimin gjyqësor.+ 10 Pastaj vepro sipas vendimit që të japin në vendin që zgjodhi Jehovai. Ki kujdes të veprosh në përputhje me gjithë sa të udhëzojnë. 11 Vepro në përputhje me ligjin që të tregojnë dhe me vendimin gjyqësor që të japin.+ Mos u shmang nga ky vendim as djathtas, as majtas.+ 12 Ai njeri që kalon caqet me arrogancë duke mos e dëgjuar priftin që është aty për t’i shërbyer Jehovait, Perëndisë tënd, ose gjykatësin, duhet të vdesë.+ Hiqe të keqen nga Izraeli.+ 13 Atëherë, tërë populli do ta dëgjojë, do të frikësohet e nuk do t’i kalojë më caqet me arrogancë.+
14 Kur të hysh në vendin që po të jep Jehovai, Perëndia yt, dhe ta kesh shtënë në dorë e të banosh në të e të thuash: ‘Të caktojmë edhe ne një mbret për veten si tërë kombet përreth’,+ 15 në këtë rast, duhet të caktosh patjetër mbretin që do të zgjedhë Jehovai, Perëndia yt.+ Mbretin duhet ta caktosh nga vëllezërit e tu. Nuk të lejohet të caktosh një të huaj që nuk është vëllai yt. 16 Sidoqoftë, mbreti nuk duhet të grumbullojë shumë kuaj,+ as ta detyrojë popullin të kthehet në Egjipt që të marrë më shumë kuaj,+ sepse Jehovai të tha: ‘Mos u kthe më kurrë në atë rrugë.’ 17 Veç kësaj, mbreti nuk duhet të marrë shumë gra, që zemra të mos i largohet nga rruga e drejtë,+ as nuk duhet të grumbullojë për vete sasi përrallore argjendi dhe ari.+ 18 Kur të ulet në fronin e mbretërisë së tij, ai duhet të shkruajë për vete në një libër,* një kopje të Ligjit, sipas kopjes që mbajnë priftërinjtë levitë.+
19 Mbreti duhet ta mbajë atë me vete e duhet ta lexojë për sa ditë të ketë jetë,+ që të mësojë të ketë nderim të thellë për Jehovain,* Perëndinë e tij, dhe t’u bindet e t’i zbatojë të gjitha fjalët e Ligjit dhe këto rregulla.+ 20 Kështu zemra nuk do t’i lartësohet mbi vëllezërit e vet dhe nuk do të shmanget nga urdhërimet as djathtas, as majtas, që të qëndrojë gjatë në mbretërinë e tij, bashkë me bijtë e vet, në mes të Izraelit.