Libri i dytë i Mbretërve
13 Në vitin e 23-të të mbretërimit të Jehoasit,+ birit të Ahaziahut,+ mbretit të Judës, Jehoahazi, biri i Jehut,+ u bë mbret i Izraelit në Samari dhe mbretëroi 17 vjet. 2 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe ngulmoi në mëkatin e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilin kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ Ai nuk hoqi dorë prej tij. 3 Prandaj, Jehovait iu ndez zemërimi+ kundër Izraelit+ dhe, gjatë gjithë atyre ditëve, e dorëzoi në duart e Hazaelit,+ mbretit të Sirisë, dhe të Ben-Hadadit,+ birit të Hazaelit.
4 Pas ca kohësh, Jehoahazi u përgjërua për miratimin* e Jehovait dhe Jehovai e dëgjoi, sepse e kishte parë se si mbreti i Sirisë e shtypte Izraelin.+ 5 Kështu Jehovai i dha një shpëtimtar+ Izraelit që ta çlironte nga shtypja siriane, prandaj izraelitët mund të banonin nëpër shtëpitë e tyre si më parë.* 6 (Megjithatë nuk hoqën dorë nga mëkati i shtëpisë së Jeroboamit, me të cilin kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ Ata vazhduan në këtë mëkat,* dhe shtylla e shenjtë*+ vazhdoi të ishte në Samari.) 7 Jehoahazit nuk i kishin mbetur veçse 50 kalorës, 10 karroca dhe 10.000 këmbësorë, sepse mbreti i Sirisë kishte shkatërruar pjesën tjetër të ushtrisë,+ duke e shtypur si të ishte kashtë.+
8 Pjesa tjetër e historisë së Jehoahazit, gjithçka bëri dhe bëmat e tij, a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 9 Në fund Jehoahazi u preh me paraardhësit e tij dhe e varrosën në Samari;+ në vend të tij u bë mbret i biri, Jehoasi.
10 Në vitin e 37-të të mbretërimit të Jehoasit, mbretit të Judës, Jehoasi,+ biri i Jehoahazit, u bë mbret i Izraelit në Samari dhe mbretëroi 16 vjet. 11 Ai bëri atë që ishte e keqe në sytë e Jehovait dhe nuk hoqi dorë nga tërë mëkatet e Jeroboamit, birit të Nebatit, me të cilat e kishte shtyrë edhe Izraelin të mëkatonte.+ Ai vazhdoi* në këto mëkate.
12 Pjesa tjetër e historisë së Jehoasit, gjithçka bëri, bëmat e tij dhe se si luftoi kundër Amaziahut, mbretit të Judës,+ a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Izraelit? 13 Në fund Jehoasi u preh me paraardhësit e vet, dhe në fronin e tij u ul Jeroboami.*+ Jehoasin e varrosën në Samari me mbretërit e Izraelit.+
14 Tani, kur Eliseun+ e zuri një sëmundje, nga e cila më vonë vdiq, Jehoasi, mbreti i Izraelit, zbriti tek ai dhe qau mbi trupin e tij: «Ati im, ati im! Shih, karroca e luftës e Izraelit dhe kalorësit e tij!»+ 15 Atëherë Eliseu i tha: «Merr një hark dhe shigjeta.» Dhe ky mori një hark e disa shigjeta. 16 Pastaj Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Vëre dorën te harku.» Kur ai vuri duart te harku, Eliseu vendosi duart e veta mbi ato të mbretit 17 dhe i tha: «Hape dritaren që është në lindje.» Ai e hapi, dhe Eliseu i tha: «Qëllo!» E ai qëlloi. Eliseu shpalli: «Shigjeta e fitores së Jehovait,* po, shigjeta e fitores* kundër Sirisë! Ti do ta godasësh* Sirinë në Afek+ derisa ta shfarosësh.»
18 Më tej i tha: «Merri shigjetat.» Ky i mori dhe Eliseu i tha mbretit të Izraelit: «Godit në tokë.» Kështu ai goditi tri herë dhe u ndal. 19 Atëherë njeriu i Perëndisë së vërtetë u zemërua me të dhe i tha: «Duhej të kishe goditur pesë a gjashtë herë! Vetëm atëherë do ta kishe goditur Sirinë derisa ta shfarosje, por tani do ta godasësh vetëm tri herë.»+
20 Më pas Eliseu vdiq dhe e varrosën. Në fillim të vitit,* në vend filluan të hynin banda plaçkitësish moabitë.+ 21 Ndërsa disa njerëz po varrosnin një burrë, panë një bandë plaçkitësish. Prandaj, në çast e hodhën të vdekurin në varrin e Eliseut, e ia mbathën. Kur trupi i të vdekurit preku eshtrat e Eliseut, u kthye në jetë+ dhe u ngrit në këmbë.
22 Tani, Hazaeli,+ mbreti i Sirisë, e shtypi Izraelin+ gjatë gjithë kohës së Jehoahazit. 23 Megjithatë Jehovait i erdhi keq e pati mëshirë për Izraelin.+ Ai u merakos për të për hir të besëlidhjes së tij me Abrahamin,+ Isakun+ dhe Jakobin+ e nuk deshi ta shfaroste, dhe as e ka flakur larg pranisë së tij, deri sot e kësaj dite. 24 Kur vdiq Hazaeli, mbreti i Sirisë, në vend të tij u bë mbret i biri, Ben-Hadadi. 25 Atëherë Jehoasi, biri i Jehoahazit, ia mori përsëri Ben-Hadadit, birit të Hazaelit, qytetet që Hazaeli ia kishte marrë me luftë Jehoahazit, atit të tij. Jehoasi e goditi* Ben-Hadadin tri herë+ dhe i mori përsëri qytetet e Izraelit.