Libri i parë i Samuelit
19 Sauli i tha më vonë të birit, Jonatanit, dhe gjithë shërbëtorëve të vet se donte të vriste Davidin.+ 2 Meqë Jonatani, biri i Saulit, e kishte shumë për zemër Davidin,+ i tregoi atij: «Babai im, Sauli, do që të të vrasë. Ki kujdes në mëngjes, të lutem, dhe shko në një vend të fshehtë dhe qëndro aty. 3 Unë do të dal dhe do të qëndroj afër babait tim në arën ku do të jesh ti. Do t’i flas për ty dhe, nëse marr vesh ndonjë gjë, do të të tregoj patjetër.»+
4 Kështu Jonatani i foli mirë për Davidin+ të atit, Saulit. Ai i tha: «Mbreti nuk duhet të mëkatojë kundër shërbëtorit të tij, Davidit, sepse ai nuk ka mëkatuar kundër teje dhe çdo gjë që ka bërë për ty ka qenë për dobinë tënde. 5 Ai rrezikoi jetën* që të vriste filistinin,+ prandaj Jehovai i solli një fitore të madhe* gjithë Izraelit. Ti e pe dhe të brofi zemra nga gëzimi. Pse pra të mëkatosh kundër gjakut të pafajshëm, duke e vrarë pa shkak Davidin?»+ 6 Sauli e dëgjoi Jonatanin dhe u betua: «Siç është e vërtetë që Jehovai rron, ai nuk do të vritet.» 7 Pas kësaj, Jonatani e thirri Davidin dhe ia tregoi të gjitha këto fjalë. Kështu Jonatani e çoi Davidin te Sauli, dhe ai vazhdoi t’i shërbente si më parë.+
8 Pas ca kohësh, shpërtheu përsëri lufta dhe Davidi shkoi e luftoi kundër filistinëve; ai bëri kërdi të madhe, e filistinët ia mbathën.
9 Teksa rrinte ulur në shtëpi me heshtën në dorë, Jehovai lejoi që Saulin ta mundonin mendime të zymta,*+ ndërsa Davidi luante në harpë.+ 10 Sauli u përpoq ta mbërthente Davidin në mur me heshtë, por ai iu shmang Saulit, i cili e nguli heshtën në mur. Atë natë, Davidi ia mbathi dhe shpëtoi. 11 Më vonë Sauli dërgoi lajmëtarë që të vëzhgonin shtëpinë e Davidit dhe në mëngjes ta vritnin,+ por gruaja e Davidit, Mikala, i tha: «Nëse nuk ikën sonte, nesër do të jesh i vdekur.» 12 Menjëherë Mikala e zbriti Davidin nga dritarja që të ikte e të shpëtonte. 13 Mikala mori idhullin e shtëpisë* dhe e vuri në shtrat, kurse në vend të kokës së tij vuri një rrjetë me lesh dhie dhe e mbuloi me një rrobë.
14 Sauli dërgoi lajmëtarë që të merrnin Davidin, por ajo u tha: «Është sëmurë.» 15 Kështu Sauli i dërgoi përsëri lajmëtarët për ta parë Davidin, dhe u tha: «Ma sillni me gjithë shtrat, që ta vras.»+ 16 Kur hynë lajmëtarët, në shtrat gjendej idhulli i shtëpisë dhe një rrjetë me lesh dhie në vend të kokës së tij. 17 Atëherë Sauli i tha Mikalës: «Pse ma punove kështu dhe e le armikun tim+ të ikte e të shpëtonte?» Mikala ia ktheu: «Ai më tha: ‘Po s’më le të iki, do të të vras!’»
18 Tani, Davidi kishte ikur e kishte shpëtuar. Ai shkoi te Samueli në Ramah+ dhe i tregoi të gjitha ato që i kishte bërë Sauli. Pastaj ai dhe Samueli ikën dhe qëndruan në Najoth.+ 19 Pas ca kohësh, Saulin e njoftuan: «Davidi është në Najoth të Ramahut.» 20 Menjëherë Sauli dërgoi lajmëtarë për të kapur Davidin. Kur këta panë profetët e moshuar që po profetizonin dhe Samuelin që i drejtonte, fryma e Perëndisë veproi te lajmëtarët e Saulit, dhe këta filluan të silleshin si profetë.
21 Kur ia treguan këtë Saulit, ai dërgoi menjëherë lajmëtarë të tjerë, por edhe këta filluan të silleshin si profetë. Kështu Sauli dërgoi sërish lajmëtarë, një grup të tretë, por edhe këta filluan të silleshin si profetë. 22 Në fund shkoi në Ramah edhe ai. Kur mbërriti te sterna e madhe që ndodhet në Seku, pyeti: «Ku janë Samueli dhe Davidi?» Iu përgjigjën: «Atje, në Najoth+ të Ramahut.» 23 Teksa ishte rrugës për në Najoth të Ramahut, fryma e Perëndisë erdhi edhe mbi Saulin, dhe ai vazhdoi rrugën duke u sjellë si profet derisa mbërriti në Najoth të Ramahut. 24 Atje, edhe ai hoqi rrobat dhe u soll si profet përpara Samuelit, dhe u shtri i veshur hollë* tërë atë ditë e atë natë. Ja pse thuhet: «Mos është edhe Sauli profet?»+