Nehemia
4 Kur dëgjoi se po rindërtonim murin, Sanballati+ u zemërua e u mërzit* shumë dhe vazhdoi t’i tallte judenjtë. 2 Ai tha në prani të vëllezërve të tij dhe të ushtrisë së Samarisë: «Ç’po bëjnë këta judenj ngordhalaqë? Mos do t’ia dalin mbanë vetë?! Do të ofrojnë flijime?! Do të mbarojnë në një ditë?! Do të gjallërojnë gurët e djegur të rrënojave?!»+
3 Tobia,+ amoniti,+ që ishte përkrah tij tha: «Edhe sikur një dhelpër të hipte mbi murin prej guri që po ndërtojnë, do t’ua shembte.»
4 Prandaj u luta: «Dëgjo, o Perëndia ynë, se po na përçmojnë.+ Bëj që poshtërimi i tyre t’u bjerë mbi kokë+ dhe çoji si plaçkë lufte në një vend robërie! 5 Mos ua mbulo fajin dhe mos ua fshij mëkatin,+ sepse kanë fyer ndërtuesit!»
6 Atëherë ne vazhduam të ndërtonim murin. I tërë muri u bashkua e u rindërtua deri në gjysmë të lartësisë së tij, dhe populli punonte me gjithë zemër.
7 Kur Sanballati, Tobia,+ arabët,+ amonitët dhe ashdoditët+ morën vesh që meremetimi i mureve të Jerusalemit po shkonte përpara dhe çarjet po mbylleshin, u zemëruan shumë. 8 Ata komplotuan së bashku që të vinin e të luftonin kundër Jerusalemit dhe të krijonin trazira. 9 Por ne iu lutëm Perëndisë tonë dhe vumë roja ditë e natë që të na mbronin.
10 Mirëpo, njerëzit e Judës thoshin: «Punëtorët* nuk kanë më fuqi dhe ka shumë rrënoja. Nuk do të arrijmë ta ndërtojmë kurrë murin.»
11 Armiqtë tanë thoshin: «Do të hyjmë mes tyre pa e marrë vesh e pa na parë, dhe do t’i vrasim e do të ndalojmë punën.»
12 Sa herë vinin te ne, judenjtë që jetonin pranë tyre na thoshin pareshtur:* «Ata do të na sulmojnë nga çdo anë.»
13 Kështu vura njerëz prapa murit, në vendet e ulëta e të pambrojtura. I vura sipas familjeve të tyre me shpata, me heshta dhe me harqe. 14 Kur pashë frikën e tyre, menjëherë u ngrita dhe u thashë fisnikëve,+ mëkëmbësve dhe pjesës tjetër të popullit: «Mos kini frikë prej tyre!+ Mos harroni Jehovain, Perëndinë tonë të madhërishëm që ngjall frikë e nderim,+ dhe luftoni për vëllezërit tuaj, për bijtë e bijat tuaja, për gratë tuaja dhe për shtëpitë tuaja!»
15 Pasi armiqtë tanë dëgjuan se e kishim marrë vesh ç’po bënin dhe se Perëndia i vërtetë kishte bërë që plani i tyre të dështonte, të gjithë u kthyem që të punonim te muri. 16 Që nga ajo ditë, gjysma e njerëzve të mi punonin+ dhe gjysma tjetër mbanin heshta, mburoja, harqe e thurakë,* dhe princat+ mbështetnin* tërë shtëpinë e Judës 17 që po ndërtonte murin. Punëtorët që mbartnin ngarkesat, me një dorë punonin, ndërsa me tjetrën mbanin armën.* 18 Secili nga ndërtuesit e kishte shpatën të ngjeshur në brez teksa punonte, kurse ai që i binte bririt,+ qëndronte përkrah meje.
19 Atëherë u thashë fisnikëve, mëkëmbësve dhe pjesës tjetër të popullit: «Puna është e madhe dhe e shtrirë, dhe ne jemi shpërndarë nëpër mur larg njëri-tjetrit. 20 Kur të dëgjoni zërin e bririt, hajdeni këtu te ne. Perëndia ynë do të luftojë për ne.»+
21 Kështu vazhduam të punonim dhe gjysma tjetër mbante heshtat, që kur zbardhte e derisa dilnin yjet. 22 Në atë kohë i thashë popullit: «Burrat, secili me shërbëtorin e vet, të qëndrojnë natën brenda Jerusalemit. Ata do të na ruajnë gjatë natës dhe ditën do të punojnë.» 23 As unë, as vëllezërit e as shërbëtorët e mi+ dhe as rojat që më shoqëronin, nuk i hoqëm asnjëherë rrobat dhe secili e mbante armën në dorën e djathtë.