Libri i dytë i Mbretërve
5 Tani, Namani, kreu i ushtrisë së mbretit të Sirisë, ishte një njeri i shquar dhe vlerësohej nga zotëria i tij, sepse me anë të tij, Jehovai i kishte sjellë fitoren* Sirisë. Ai ishte luftëtar i fuqishëm, edhe pse i lebrosur.* 2 Në një nga sulmet kundër Izraelit, sirianët kishin zënë robinjë një vajzë të vogël izraelite, e cila u bë shërbëtore e gruas së Namanit. 3 Ajo i tha zonjës së saj: «Ah, sikur zotëria im të shkonte te profeti+ në Samari! Ai do ta shëronte nga lebra!»+ 4 Kështu ai* vajti dhe i tregoi zotërisë së tij se çfarë kishte thënë vajza nga Izraeli.
5 Atëherë mbreti i Sirisë i tha: «Nisu që tani! Unë do t’i dërgoj një letër mbretit të Izraelit.» Prandaj ai u nis dhe mori me vete 10 talenta* argjendi, 6.000 monedha ari dhe 10 palë rroba. 6 I çoi mbretit të Izraelit letrën që thoshte: «Bashkë me këtë letër, të dërgoj Namanin, shërbëtorin tim, që ta shërosh nga lebra.» 7 Me ta lexuar letrën, mbreti i Izraelit shqeu rrobat dhe tha: «Mos jam unë Perëndia, që vret e që lë gjallë?+ E ky më dërgon këtë njeri e më thotë ta shëroj nga lebra! E shikoni edhe ju se ai po kërkon të kapet me mua.»
8 Por kur Eliseu, njeriu i Perëndisë së vërtetë, mori vesh se mbreti i Izraelit kishte shqyer rrobat, menjëherë i dërgoi këto fjalë: «Pse i shqeve rrobat? Të lutem, sille tek unë, që ta dijë se ka një profet në Izrael.»+ 9 Kështu Namani vajti me kuajt e karrocat e tij të luftës dhe qëndroi në hyrje të shtëpisë së Eliseut. 10 Por Eliseu i dërgoi një lajmëtar që i tha: «Shko e lahu shtatë herë+ në Jordan;+ mishi do të të përtërihet dhe do të bëhesh i pastër.» 11 Me të dëgjuar këtë, Namani u indinjua dhe u nis duke shfryrë: «Ja, unë mendoja: ‘Ai do të më dalë përpara, do të qëndrojë para meje, do të lutet në emër të Jehovait, Perëndisë së tij, dhe do të tundë dorën nga njëra anë në tjetrën sipër lebrës që ta shërojë.’ 12 A nuk janë Abanahu dhe Farpari, lumenjtë e Damaskut,+ më të mirë se gjithë ujërat e Izraelit? S’u lakam dot në ta dhe të bëhem i pastër?!» Kështu u kthye dhe iku i tërbuar.
13 Shërbëtorët e tij iu afruan dhe i thanë: «Ati ynë, sikur profeti të të kishte kërkuar të bëje diçka tepër të vështirë, a nuk do ta bëje? Aq më tepër që të ka thënë vetëm këtë: ‘Lahu dhe do të bëhesh i pastër.’» 14 Atëherë ai zbriti dhe u zhyt shtatë herë në Jordan, siç i kishte thënë njeriu i Perëndisë së vërtetë.+ Pas kësaj, mishi iu përtëri, dukej si mishi i një djali të vogël,+ dhe ai u bë i pastër.+
15 Pastaj bashkë me gjithë njerëzit* e tij u kthye te njeriu i Perëndisë së vërtetë,+ qëndroi para tij dhe i tha: «Tani e di fare mirë se nuk ka Perëndi askund në tokë, përveçse në Izrael.+ Prandaj prano, të lutem, një dhuratë* nga shërbëtori yt.» 16 Por Eliseu tha: «Siç është vërtetë që rron Jehovai, të cilit i shërbej,* unë nuk do ta pranoj.»+ Namani iu përgjërua që ta pranonte dhuratën, por Eliseu nuk e pranoi kurrsesi. 17 Në fund Namani tha: «Atëherë, të lutem, le t’i jepet shërbëtorit tënd dhé nga ky vend, aq sa mund të mbartin dy mushka, sepse shërbëtori yt nuk do t’i paraqitë më blatim të djegur a flijim asnjë perëndie tjetër përveç Jehovait. 18 Megjithatë Jehovai e faltë shërbëtorin tënd për këtë gjë: kur zotëria im hyn në shtëpinë* e Rimonit për t’u përkulur, mbështetet te krahu im, e mua më duhet të përkulem në shtëpinë e Rimonit. Prandaj kur të përkulem në atë shtëpi, Jehovai e faltë shërbëtorin tënd për këtë.» 19 Dhe ai ia ktheu: «Shko në paqe.» Pasi Namani iku prej tij dhe bëri një copë rrugë, 20 Gehazi,+ shërbëtori i Eliseut, njeriut të Perëndisë së vërtetë,+ tha me vete: «Ja, zotëria im ia kurseu dhuratën Namanit, këtij siriani,+ duke mos pranuar atë që i solli. Siç është e vërtetë që Jehovai rron, do t’i qepem pas dhe do t’i marr diçka.» 21 Kështu Gehazi e ndoqi Namanin. Kur pa që dikush po vraponte pas tij, Namani zbriti nga karroca për t’i dalë përpara dhe e pyeti: «A është çdo gjë në rregull?» 22 Ai u përgjigj: «Po, po. Zotëria im më dërgoi të të thosha: ‘Tani sa erdhën tek unë nga rajoni malor i Efraimit dy të rinj nga bijtë e profetëve. Të lutem, jepu një talentë argjendi dhe dy palë rroba.’»+ 23 Namani i tha: «Urdhëro, merr dy talenta.» Ai i lutej që t’i merrte,+ i futi dy talentat prej argjendi në dy trasta, bashkë me dy palë rroba, dhe ua dha dy shërbëtorëve të vet që t’i mbanin për Gehazin.
24 Kur arriti në Ofel,* Gehazi ua mori dy trastat nga duart, i vuri në shtëpi dhe i nisi burrat. Pasi ata u larguan, 25 ai shkoi te zotëria i vet dhe qëndroi pranë tij. Eliseu e pyeti: «Nga po vjen, Gehaz?» Ai iu përgjigj: «Shërbëtori yt nuk shkoi gjëkundi.»+ 26 Eliseu i tha: «A mendon se nuk e di që shkove pas atij burri dhe ai zbriti nga karroca që të të takonte? Mos është koha për të pranuar argjend, rroba, ullishte, vreshta, dhen, gjedhë ose shërbyes a shërbyese?+ 27 Tani, lebra e Namanit+ do të të ngjitet përgjithnjë ty dhe pasardhësve të tu.» Kështu, ai u largua menjëherë prej tij i lebrosur dhe i bardhë si bora.+