Libri i dytë i Samuelit
6 Davidi i mblodhi përsëri gjithë ushtarët më të mirë të Izraelit: 30.000 burra. 2 Pastaj, bashkë me gjithë ushtarët që ishin me të, u nis për në Baale-Juda që të merrte prej andej Arkën e Perëndisë së vërtetë,+ para së cilës populli lutej në emër të Jehovait të ushtrive+ që rri ulur në fron mbi kerubinët.*+ 3 Megjithatë, për ta transportuar Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Abinadabit,+ që gjendej në kodër, e vunë në një karrocë+ të re; Uzahu dhe Ahioja, djemtë e Abinadabit, i prinin karrocës së re.
4 Kështu, ata e transportuan Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Abinadabit, e cila gjendej në kodër; Ahioja ecte përpara Arkës. 5 Davidi dhe gjithë shtëpia e Izraelit po festonin para Jehovait me të gjitha llojet e instrumenteve prej dëllinje, me harpa dhe instrumente të tjera me tela,+ me dajre,+ me sistra dhe me cimbale.+ 6 Por, kur mbërritën te lëmi* i Nakonit, Uzahu zgjati dorën drejt Arkës së Perëndisë së vërtetë dhe e kapi,+ sepse gjedhët gati e rrëzuan. 7 Në çast Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut dhe Perëndia i vërtetë e vrau+ për veprimin pa respekt ndaj tij.+ Kështu ai vdiq aty, pranë Arkës së Perëndisë së vërtetë. 8 Por Davidi u zemërua* ngaqë Jehovait iu ndez zemërimi kundër Uzahut, dhe ai vend quhet Perez-Uzah* deri sot e kësaj dite. 9 Kështu atë ditë, Davidi u frikësua nga Jehovai+ dhe tha: «E si ta sjell Arkën e Jehovait në qytetin tim?»+ 10 Davidi ngurronte ta sillte Arkën e Jehovait në Qytetin e Davidit,+ ku ishte vetë, prandaj urdhëroi që ta çonin në shtëpinë e gititit Obed-Edom.+
11 Arka e Jehovait qëndroi tre muaj në shtëpinë e gititit Obed-Edom, dhe Jehovai e bekonte Obed-Edomin dhe gjithë shtëpinë e tij.+ 12 Mbretit David i raportuan: «Jehovai e ka bekuar shtëpinë e Obed-Edomit dhe gjithçka që i përket atij, për shkak të Arkës së Perëndisë së vërtetë.» Atëherë, Davidi shkoi që ta sillte plot gëzim Arkën e Perëndisë së vërtetë nga shtëpia e Obed-Edomit në Qytetin e Davidit.+ 13 Kur ata që mbartnin+ Arkën e Jehovait bënë gjashtë hapa, ai flijoi një dem dhe një kafshë të majme.
14 I veshur me një efod* linoje, Davidi hidhte valle me sa fuqi kishte përpara Jehovait.+ 15 Davidi dhe gjithë shtëpia e Izraelit po e ngjitnin Arkën+ e Jehovait me britma të gëzueshme+ dhe me tinguj briri.+ 16 Por, kur Arka e Jehovait hyri në Qytetin e Davidit, Mikala,+ vajza e Saulit, po shikonte nga dritarja dhe vuri re mbretin David që kërcente e hidhte valle përpara Jehovait, dhe filloi ta përbuzte në zemër.+ 17 Kështu e sollën Arkën e Jehovait dhe e vunë në vendin e vet brenda tendës që Davidi kishte ngritur për të.+ Pastaj Davidi paraqiti flijime të djegura+ dhe flijime në bashkësi+ përpara Jehovait.+ 18 Kur mbaroi paraqitjen e flijimeve të djegura dhe të flijimeve në bashkësi, Davidi e bekoi popullin në emër të Jehovait të ushtrive. 19 Përveç kësaj, ai i shpërndau gjithë popullit, tërë turmës së Izraelit, çdo burri dhe çdo gruaje, një bukë në formë unaze, një kulaç hurmash Arabie dhe një kulaç stafidhesh. Pastaj populli iku, gjithsecili në shtëpinë e vet.
20 Kur Davidi u kthye për të bekuar shtëpinë e tij, Mikala,+ vajza e Saulit, doli për ta takuar dhe i tha: «Sa të nderuar e bëri veten sot mbreti i Izraelit, kur hodhi valle gjysmë lakuriq para syve të shërbëtoreve të shërbëtorëve të tij, ashtu si bën një kokëbosh!»+ 21 Atëherë Davidi i tha Mikalës: «Festova përpara Jehovait që më zgjodhi mua në vend të babait tënd dhe të të gjithë shtëpisë së tij e që më caktoi si prijës të popullit të Jehovait, Izraelit.+ Prandaj do të festoj përpara Jehovait, 22 do të përulem edhe më shumë se kaq dhe do ta ul veten madje edhe në sytë e mi. Prej shërbëtoreve që më përmende, prej tyre do të marr lavdi.» 23 Prandaj Mikala,+ vajza e Saulit, nuk pati asnjë fëmijë deri ditën e vdekjes.