Libri i dytë i Mbretërve
20 Ato ditë Hezekia u sëmur për vdekje.+ Profeti Isaia, biri i Amozit, vajti dhe i tha: «Kështu thotë Jehovai: ‘Jepu udhëzimet e fundit njerëzve të shtëpisë, sepse ti nuk do ta marrësh veten, por do të vdesësh.’»+ 2 Atëherë Hezekia u kthye me fytyrë nga muri dhe filloi t’i lutej Jehovait: 3 «Të përgjërohem, o Jehova. Të lutem, kujto si të kam shërbyer me besnikëri e si të jam kushtuar me gjithë zemër, dhe se si kam bërë atë që të ka pëlqyer ty.»+ E Hezekia ia dha të qarit.
4 Isaia nuk kishte dalë ende në oborrin qendror, kur fjala e Jehovait iu drejtua:+ 5 «Kthehu e thuaji Hezekisë, udhëheqësit të popullit tim: “Kështu thotë Jehovai, Perëndia i Davidit, paraardhësit tënd: ‘E dëgjova lutjen tënde. I pashë lotët e tu.+ Ja, unë po të shëroj,+ dhe ditën e tretë do të ngjitesh në shtëpinë e Jehovait.+ 6 Unë do t’i shtoj 15 vjet jetës sate* e do të të shpëtoj ty dhe këtë qytet nga dora e mbretit të Asirisë.+ Do ta mbroj këtë qytet për hir të emrit tim dhe për hir të Davidit, shërbëtorit tim.’”»+
7 Pastaj Isaia tha: «Merrni një bukëfiqe.» Ata e morën dhe e vunë mbi çiban,* e pas kësaj ai u shërua dalëngadalë.+
8 Ndërkohë Hezekia e kishte pyetur Isainë: «Cila është shenja+ se Jehovai do të më shërojë dhe se ditën e tretë do të ngjitem në shtëpinë e Jehovait?» 9 Isaia ia kishte kthyer: «Kjo është shenja nga Jehovai për të të treguar se Jehovai do ta bëjë atë që ka thënë: a do që hija mbi shkallë* të shkojë dhjetë shkallë përpara apo të kthehet dhjetë shkallë pas?»+ 10 Hezekia i kishte thënë: «Është e lehtë që hija të shkojë përpara dhjetë shkallë, por jo që të kthehet dhjetë shkallë pas.» 11 Atëherë profeti Isaia i ishte lutur Jehovait, dhe Ai kishte bërë që hija mbi shkallët e Akazit, e cila tashmë kishte zbritur, të kthehej prapa dhjetë shkallë.+
12 Në atë kohë, mbreti i Babilonisë, Berodak-Baladani, biri i Baladanit, i dërgoi Hezekisë letra dhe një dhuratë, sepse kishte dëgjuar se Hezekia kishte qenë i sëmurë.+ 13 Hezekia i mirëpriti* të dërguarit dhe u tregoi gjithë shtëpinë e tij të thesarit:+ argjendin, arin, vajin e balsamit, vajrat e tjera cilësore, arsenalin e armëve, si dhe gjithçka kishte në thesar. Ai s’la gjë pa u treguar nga shtëpia* dhe nga mbretëria e vet.
14 Pas kësaj profeti Isaia vajti te mbreti Hezekia dhe e pyeti: «Ç’thanë ata burra dhe nga vinin?» Hezekia iu përgjigj: «Vinin nga një vend i largët, nga Babilonia.»+ 15 Isaia vazhdoi: «Ç’panë në shtëpinë tënde?» Hezekia iu përgjigj: «Panë gjithçka. S’lashë gjë pa u treguar nga thesari im.»
16 Atëherë Isaia i tha Hezekisë: «Dëgjo se çfarë thotë Jehovai:+ 17 ‘Ja, po vijnë ditët kur gjithçka që gjendet në shtëpinë tënde dhe që paraardhësit e tu kanë grumbulluar deri më sot, do të çohet në Babiloni.+ S’do të mbetet asgjë,—thotë Jehovai.—18 Edhe disa nga djemtë që do të të lindin, do t’i marrin+ dhe do t’i bëjnë zyrtarë oborri në pallatin e mbretit të Babilonisë.’»+
19 Atëherë Hezekia i tha Isaisë: «Jam dakord me këto fjalë të Jehovait.»+ Pastaj shtoi: «Jam mirënjohës që do të ketë paqe dhe stabilitet* gjatë jetës sime.»*+
20 Pjesa tjetër e historisë së Hezekisë, gjithë bëmat e tij, se si bëri rezervuarin+ dhe kanalin për të sjellë ujë në qytet,+ a nuk është shkruar në librin e historisë së mbretërve të Judës? 21 Në fund Hezekia u preh me paraardhësit e vet+ dhe në vend të tij u bë mbret i biri,+ Manaseu.+