Zanafilla
20 Tani, që atje Abrahami e zhvendosi kampin+ për në vendin e Negebit dhe filloi të banonte mes Kadeshit+ dhe Surit.+ Për njëfarë kohe banoi edhe në Gerar+ dhe ndërsa banonte atje,* 2 Abrahami thoshte përsëri për gruan e tij, Sarën: «Është motra ime.»+ Prandaj Abimeleku, mbreti i Gerarit, dërgoi njerëz dhe e mori Sarën.+ 3 Atëherë Perëndia iu shfaq Abimelekut natën në një ëndërr dhe i tha: «Ja tek të pret vdekja për shkak të gruas që ke marrë,+ sepse ajo është e martuar dhe grua e një burri tjetër.»+ 4 Megjithatë Abimeleku nuk i ishte afruar asaj,* prandaj tha: «Jehova, a do të asgjësosh një komb që është vërtet i pafajshëm?* 5 A nuk më tha ai: ‘Është motra ime.’ Po ajo vetë, a nuk tha: ‘Është vëllai im.’ Këtë gjë e kam bërë me zemër të pastër dhe me duar të pafajshme.» 6 Pastaj Perëndia i vërtetë ia ktheu në ëndërr: «E di që këtë gjë e bëre me zemër të pastër, prandaj të ndalova që të mos mëkatoje kundër meje. Ja pse nuk të lejova ta prekje. 7 Tani ktheja gruan atij burri, sepse është profet.+ Ai do të bëjë përgjërime për ty+ dhe ti do të vazhdosh të jetosh. Por, nëse nuk e kthen, ta dish se ke për të vdekur ti dhe gjithë të tutë.»
8 Abimeleku u çua herët në mëngjes, thirri gjithë shërbëtorët dhe u tregoi gjithçka, e atyre u hyri frika deri në palcë. 9 Pastaj Abimeleku thirri Abrahamin dhe i tha: «Ç’na bëre kështu? Ç’mëkat kam kryer kundër teje, që solle mbi mua dhe mbretërinë time një mëkat kaq të madh? S’është e drejtë kjo që më bëre.» 10 Abimeleku vazhdoi: «Çfarë kishe ndër mend kur e bëre këtë gjë?»+ 11 Abrahami ia ktheu: «Ngaqë thashë me vete: ‘Me siguri në këtë vend nuk kanë nderim të thellë për Perëndinë* dhe do të më vrasin për shkak të gruas sime.’+ 12 Nga ana tjetër, ajo është vërtet motra ime, vajzë e tim eti, por jo vajzë e sime mëje, dhe pastaj u bë gruaja ime.+ 13 Kështu, kur Perëndia më tha të endesha larg shtëpisë së tim eti,+ i thashë asaj: “Ja si mund të më tregosh dashuri besnike: kudo që të shkojmë, thuaj për mua: ‘Është im vëlla.’ ”»+
14 Pas kësaj Abimeleku mori dhen, gjedhë, shërbyes e shërbyese e ia dha Abrahamit; ia ktheu edhe Sarën, të shoqen. 15 Pastaj Abimeleku tha: «Ja tek e ke vendin tim. Bano ku të duash.» 16 Ndërsa Sarës i tha: «Po i jap vëllait tënd+ 1.000 monedha argjendi si shenjë të pafajësisë sate* para gjithë atyre që janë me ty dhe gjithë të tjerëve, e kështu emri yt do të mbetet i panjollosur.» 17 Atëherë Abrahami nisi t’i bënte përgjërime Perëndisë së vërtetë, dhe Perëndia e shëroi Abimelekun, gruan dhe skllavet e tij, dhe ato filluan të kishin përsëri fëmijë, 18 sepse Jehovai i kishte bërë shterpë të gjitha gratë* në shtëpinë e Abimelekut për shkak të Sarës, gruas së Abrahamit.+