Zanafilla
13 Pastaj Abrami u nis nga Egjipti për në Negeb+ me të shoqen dhe me gjithë ç’kishte; edhe Loti ishte me të. 2 Abrami ishte shumë i pasur me bagëti, argjend dhe ar.+ 3 Ai udhëtoi nga Negebi në Bethel, duke e ngritur kampin nga një vend në tjetrin, derisa arriti në vendin ku kishte pasur fillimisht tendën, mes Bethelit dhe Ait,+ 4 aty ku kishte ndërtuar në fillim altarin. Atje Abrami i thuri lavde emrit të Jehovait.
5 Edhe Loti, që po udhëtonte bashkë me Abramin, zotëronte dhen, gjedhë e tenda. 6 Prandaj vendi nuk i mbante dot të gjithë, sepse i kishin shtuar zotërimet aq shumë, saqë nuk mund të banonin më bashkë. 7 Si pasojë, çobanët e bagëtisë së Abramit filluan të bënin fjalë me çobanët e bagëtisë së Lotit. (Në atë kohë, në vend banonin kananitët dhe perezitët.)+ 8 Prandaj Abrami i tha Lotit:+ «Të lutem, s’është mirë që unë e ti të bëjmë fjalë, as çobanët e mi me çobanët e tu, sepse jemi vëllezër. 9 Ja ku e ke gjithë vendin para teje. Të lutem, ndahu nga unë. Nëse ti shkon majtas, unë do të shkoj djathtas, por nëse ti shkon djathtas, unë do të shkoj majtas.» 10 Kështu Loti ngriti sytë dhe pa se e gjithë krahina e Jordanit+ ishte një zonë e ujitur mirë, ishte si kopshti i Jehovait,+ si vendi i Egjiptit, deri në Zoar,+ përpara se Jehovai të shkatërronte Sodomën dhe Gomorrën. 11 Atëherë Loti zgjodhi për vete gjithë krahinën e Jordanit dhe e zhvendosi kampin e tij në lindje. Kështu u ndanë nga njëri-tjetri. 12 Abrami qëndroi në vendin e Kananit, ndërsa Loti shkoi të banonte afër qyteteve të krahinës së Jordanit,+ dhe në fund i ngriti tendat pranë Sodomës. 13 Njerëzit e Sodomës ishin të ligj dhe mëkatonin rëndë kundër Jehovait.+
14 Pasi Loti ishte ndarë nga ai, Jehovai i tha Abramit: «Të lutem, ngriji sytë dhe, nga vendi ku je, shiko drejt veriut, drejt jugut, drejt lindjes dhe drejt perëndimit, 15 sepse gjithë vendin që po shikon, do të ta jap ty dhe pasardhësit* tënd si zotërim të përhershëm.+ 16 Do ta shtoj pasardhësin* tënd si grimcat e pluhurit të tokës, dhe nëse do të mund të numërohen grimcat e pluhurit të tokës, atëherë do të mund të numërohet edhe pasardhësi yt.+ 17 Ngrihu dhe bjeri vendit për së gjati e për së gjeri, sepse do të ta jap ty.» 18 Kështu Abrami vazhdoi të jetonte në tenda. Më vonë shkoi të banonte mes pemëve të mëdha në Mamre,+ që gjenden në Hebron,+ dhe atje i ndërtoi Jehovait një altar.+