Ah, sikur të kishim ca ajër të pastër!
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË BRITANI
KUR merrni frymë, a thithni ajër të pastër? Ndotja e sotme e ajrit është «një armik më i madh se duhani», pohon një mjek i cituar nga The Times e Londrës. Në Angli dhe në Uells, ajri i ndotur vret sipas përllogaritjeve 10.000 njerëz çdo vit. Në mbarë botën, sidomos në qytetet e mëdha, gjendja është serioze.
Shumëkush ia hedh fajin industrisë së automobilave për ndotjen e atmosferës. Për të zvogëluar nxjerrjen e tymrave të rrezikshme, automjetet e reja në shumë vende pajisen tani me konvertues katalitik, të cilët zvogëlojnë ndotjen. Hidrokarburet e gazeve që çlirohen janë pakësuar në 12 për qind të niveleve të 1970-s, me një rënie të ngjashme të oksidit të nitrogjenit dhe të monoksidit të karbonit. Foshnjat nëpër karroca janë veçanërisht të prekshme, sepse udhëtojnë në atë nivel që makinat vjellin tymërat e tyre. Por ndotja e ajrit kërcënon edhe vetë ata që udhëtojnë nëpër makina. Siç raportohet, ndotja është tri herë më e madhe brenda makinës sesa jashtë. Rreziqe të mëtejshme vijnë, ndërsa thithni tymërat e benzinës, kur mbushni serbatorin e makinës me karburant.
Tani, forma mbizotëruese e ndotjes së ajrit anembanë botës është një «Grimcë Materieje e Varur», thotë një raport i Kombeve të Bashkuara për ambientin, 1993-94. Me sa duket, copëzat e vogla të blozës apo grimcat e materies, kanë aftësinë të depërtojnë thellë nëpër mushkëri e të depozitojnë aty kimikate të dëmshme.
Pakësimi i shtresës së ozonit lart globit, tërheq shumë komente të lajmeve. Megjithatë, në shtresat e sipërfaqes drita e diellit ndikon mbi oksidet e nitrogjenit dhe mbi elemente të tjera fluturuese të ndotjes së ajrit, duke prodhuar nivele të larta ozoni. Këto nivele janë dyfishuar në Britani gjatë këtij shekulli. Këto gaze dëmtojnë lyerjen dhe materiale të tjera të ndërtesave, shkaktojnë sëmundje te pemët, bimët dhe të korrat, si edhe duket se shkaktojnë probleme frymëmarrjeje në disa njerëz. Edhe pse ndotja më e madhe e ozonit ndodh në qytete, në mënyrë të habitshme janë zonat fshatare ato që vuajnë pasojat më të këqija. Në zonat urbane, oksidi i nitrogjenit thith ozonin e tepërt, por aty ku oksidet janë të rralla, ozoni ka dorë të lirë për të dëmtuar.
Sikur të mos mjaftonte kjo, ndotja e ajrit është «më se 70 herë më e lartë brenda shtëpive se jashtë dyerve», raporton The Times. Këtu, tymërat nga freskuesit e ajrit, topthat kundër molave, madje edhe rrobat e pastruara kimikisht ndotin ajrin. Ngjashëm, tymi i duhanit u shtohet rreziqeve të shëndetit brenda dyerve.
Ç’mund të bëni, pra, për të mbrojtur familjen tuaj? The Times e Londrës ofronte këto sugjerime.
• Zvogëloni përdorimin e makinës. Nëse është e mundur, mos udhëtoni vetëm. Ecni shtruar. Nëse ngelni në ndonjë bllokim trafiku apo në ndonjë ndalesë tjetër për më shumë se dy minuta, fikni motorrin. Nëse është e mundur, gjatë ditëve të nxehta parkojeni makinën në hije për të zvogëluar ndotjen që vjen nga avullimi i karburantit.
• Dilni për të mësuar makinën herët në mëngjes, kur nivelet e ozonit janë përgjithësisht të ulëta.
• Ndaloni pirjen e duhanit në shtëpi.
• Mbani paksa hapur dritaret e dhomës së gjumit gjatë natës, për të pakësuar lagështinë dhe për të nxjerrë jashtë substancat alergjike.
Pa dyshim që jeni dakort: Ah, sikur të kishim ca ajër të pastër!