Bota shumëngjyrëshe e shkëmbinjve të nënujshëm koralorë
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË PAPUA GUINENË E RE
SHKËMBINJTË e nënujshëm koralorë shtrihen pothuajse në të gjithë bregdetin e Papua Guinesë së Re. Në kohët e shkuara detarët i shihnin këta shkëmbinj vetëm si të rrezikshëm. Por për ata që kanë eksploruar ambientin e tyre ujor, shkëmbinjtë e nënujshëm koralorë janë hyrja drejt një bote me bukuri, ngjyra dhe qetësi të madhe: një kaleidoskop nënujor!
Përpjekja për t’u kapur nga filmi kjo botë nënujore është një sfidë e vërtetë. Para së gjithash, objektet nën ujë duken se janë vendosur në rreth tre të katërtën e distancës së tyre të vërtetë, prandaj fokusimi është i vështirë. Uji përthith, shpërhap dhe përthyhen dritën. Gjithashtu, ngjyrat mund të ndryshojnë shumë sipas kohës, këndit të diellit, pranisë së algave dhe planktoneve, thellësisë së ujit, llojit dhe ngjyrës së fundit të detit. Por, jo vetëm kaq, uji, objekti i fotografimit dhe vetë fotografi janë në lëvizje të vazhdueshme!
Megjithatë, disa fotografë kanë pasur një farë suksesi në lidhje me këtë. Pamjet që shihni këtu janë marrë gjatë ekskursioneve nënujore. Le të njihemi me katër nga krijesat magjepsëse të fotografuara nga filmimet nën valë.
Fotografia 1 tregon një banor të bukur të thellësirave të detit të quajtur Ciprea «tigri» (Cypraea tigris). Ky emër është i çuditshëm duke marrë parasysh faktin që guaska e tij e zbukuruar në mënyrë të përkryer është pulla-pulla dhe jo vija-vija. Këtu Ciprea «tigri» është në shtëpi, meqenëse ai ushqehet në korale dhe sfungjerë. Kinezëve të lashtë u la kaq mbresë, saqë ata e përdorën guaskën e tij si monedhë. Këtu në Papua Guinenë e Re, guaskat e Ciprea «tigri» po përdoren ende, si para të vogla në disa tregje vendase. Megjithatë, zakonisht, banorët e përhershëm lokalë i mbledhin ato thjesht për bukurinë që u jep lustra e tyre.
Në fotografinë 2 është një krimb zvarritës (Spirobranchus giganteus) me ngjyrë të bukur. Ai mund të jetojë mbi korale të ngordhura apo mund të ndërtojë strofullën në koralet e gjalla. Kur prehet ai duket si një lule. Por kur është i uritur, vërtit tentakulat e tij në formën e një «rrjete», për të mbërthyer me shpejtësi kafshatat e ushqimit që i kalojnë afër. Me tentakulat e tij si pupla, në lëvizje, ai duket si një varg vallëzuesish në miniaturë që valëvisin erashkat e tyre. Kjo specie është vetëm 10 mm e gjerë. Por fotografi duhet të jetë i kujdesshëm për të mos bërë ndonjë lëvizje të papritur. Në treguesin më të parë të rrezikut, sa hap e mbyll sytë, këto krijesa delikate në miniaturë kthehen me ngut në shtëpinë e tyre koralore.
Në fotografinë 3 është sfungjeri. Ai i ngjan fare pak një lloji sintetik që pluskon në vaskën e banjës. Një sfungjer është në të vërtetë një kafshë e gjallë, jo një bimë. Ai është një masë poroze qelizash që funksionojnë së bashku në një mënyrë shumë të veçantë. Libri The Undersea thotë se qelizat e sfungjerëve «nuk janë as të organizuar ngushtë as të ndërvarur. Kështu, nëse një sfungjer i gjallë është copëtuar, çdo pjesë më në fund formon një sfungjer të ri. Edhe nëse qelizat individuale janë ndarë, ato përdridhen bashkë ngjashëm amebave, derisa bashkohen dhe formojnë përsëri sfungjerë të tërë».
Ndryshe nga një bimë, e cila e prodhon vetë ushqimin e saj, sfungjeri «gjuan» për ushqimin e tij. Ai thith ujin që e rrethon dhe e filtron atë për lëndët organike. Si çdo kafshë tjetër, ai tret ushqimin dhe nxjerr jashtë mbeturinat. Ju do të gjeni sfungjerë të ngjitur në shkëmbinjtë apo guaskat, në fund të detit.
Përfundimisht, në fotografinë 4 ndodhet një molusk i thjeshtë. Ai është sedentar dhe mund të gjendet me lehtësi në shkëmbinjtë koralorë apo thjesht i shtrirë në fund të detit. Shumica ushqehet duke filtruar planktonin nga uji. Është quajtur një molusk dyflegërsh, sepse ka dy guaska apo flegëra. Ata mbahen të bashkuar nga një ligament dhe hapen e mbyllen nga dy muskuj të fuqishëm. Kur një molusku i duhet të lëvizë, ai hapet dhe nxjerr pak mbi ujë këmbën e tij mishore. Por mjafton të afrohet një armik dhe ai zmbrapset në guaskën e tij dhe ‘tulatet’!
Këto pamje japin vetëm një ide të pamjeve madhështore që mund të shihen në detet koralore: akoma një vend tjetër ku është shfaqur mençuria krijuese e Jehovait.—Romakëve 1:20.
[Figurat në faqet 16, 17]
1. Ciprea «tigri» përdoret ende si para
2. Këto «lule» janë në të vërtetë krimba zvarritës
3. Sfungjeri është një kafshë, jo një bimë
4. Molusku ushqehet me plankton (goja e treguar)