Chitenge e shumanshme
NGA KORRESPONDENTI I ZGJOHUNI! NË NAMIBI
CHITENGE: A e dini çfarë është? Nëse mund t’i kushtoni pak kohë, ejani në një udhëtim të shkurtër për të shkuar në një fshat afrikan dhe për të parë se si përdoret chitenge e shumanshme në punë dhe në kohën e zbavitjes.
Fshati që po vizitojmë është Rundu në Namibi. Ndalesa jonë e parë është në tregun e zhurmshëm. Gra me fytyra të çelura tregëtojnë, blejnë, shesin ose thjesht ndalojnë për të biseduar. Por, shiko pak më me kujdes dhe do të vëresh se gati të gjitha ato kanë veshur një pjesë veshjeje që dallohet, një fund që ato e mbështjellin rreth belit, e njohur si chitenge.
Chitenge prej pambuku është 2 metra e gjatë dhe 1,5 metra e gjerë dhe shfaq një shumëllojshmëri të pafund me ngjyra dhe dizenjo. Disa janë të zbukuruara me piktura kafshësh dhe të tjera me njerëz ose peisazhe.
Pas kësaj, vizitojmë disa banorë të fshatit në shtëpitë e tyre të thjeshta, të bëra me baltë dhe kashtë. Gratë janë të zëna me punët e tyre, duke pastruar rërën para shtëpisë së tyre ose duke përgatitur zjarrin që të gatuajnë për familjen. Disa prej tyre kanë veshur vetëm një chitenge, kësaj radhe të ngritur lart dhe të mbështjellë përreth kraharorit si një lloj rrobeje për shtëpi. Kur gratë vishen për të dalë, ndoshta duke veshur një bluzë dhe një fund, ato do të mbështjellin një chitenge rreth ijeve për ta mbrojtur fundin nga pluhuri, ndërsa ecin në rrugët e pista të fshatit.
A e vini re atë gruan e re tërheqëse? Ajo ka mbështjellë një chitenge, të gjithë siç është 2 metra e gjatë, si një çallmë të ndërlikuar e të bukur. Dhe vini re se si po e mban foshnjën e saj. Ka lidhur një chitenge tjetër si një rrip dhe e var krahëqafë. Foshnja është e lumtur që e ëma po e mban në këtë mënyrë në kurriz. Nëse nis të qajë, ajo thjesht e kthen rripin nga para dhe e ushqen me qumështin e gjirit ose e pushon atë, ndërsa vazhdon të ecë.
Ndoshta mund ta keni parë ndërsa i lidh paratë në një cep të fundit të mbështjellë rreth belit, duke formuar një kuletë të leverdisshme. Pasi blen gjërat e nevojshme, ajo zgjidh një chitenge rezervë, që e kishte lidhur si çallmë, vendos perimet në të, lidh në mënyrë eksperte cepat e rrobës dhe e vendos këtë çantë pazari mbi kokë për ta çuar në shtëpi.
Kur të hyjë në shtëpinë e saj, do të vëreni përdorime të tjera mjeshtërore të kësaj rrobe të shumanshme. Para çdo hyrjeje varet një chitenge me ngjyra të ndezura. Siç mund ta shihni, nuk ka mure të brendshme. Nga një cep në cepin tjetër të banesës është lidhur një fill spangoje dhe katër chitenge janë varur në të, duke ndarë zonën e ndenjjes nga dhoma e gjumit.
Mikpritësja jonë vendos perimet në vend dhe shikon se ka mbetur pa dru për zjarrin. Para se të shkojë në pyll për të mbledhur një krah dru, ajo sigurohet se ka me vete një chitenge më tepër. Pasi mbledh drutë për zjarrin, ajo përdor një chitenge për t’i lidhur të gjitha drutë së bashku. Pastaj, merr një chitenge tjetër dhe e përdredh fort derisa bëhet një unazë e trashë në formë petulle, të cilën e vendos në kokë. Kjo shërben si një jastëk i shkëlqyer kur ajo vë krahun e madh të druve mbi kokë dhe e çon në shtëpi.
Pasi mikja jonë e ka vënë ushqimin që të ziejë, ajo vendos se ka kohë për t’i bërë një vizitë të shkurtër fqinjëve afër shtëpisë së saj. Ndërsa flet dhe bën me gjeste, ajo e vendos një chitenge të saj në tokë si një batanije dhe vendos në të foshnjën e vet. Ai e shpërblen nënën e tij me një buzëqeshje të lumtur, ndërsa ajo i jep një shkarpë për të luajtur.
Shumë shpejt, mikja jonë duhet të largohet për të kontrolluar ushqimin. Por qielli është vrenjtur dhe papritur fillon të bjerë shi. Pa u shqetësuar, ajo e merr foshnjën në një krah dhe në mënyrë energjike e hedh atë chitenge që kishte shtruar përtokë mbi kokë. E mbështjellë me këtë çadër të sajuar ajo drejtohet për në shtëpi për të kontrolluar ushqimin.
Fund, rrobë shtëpie, kuletë, çantë pazari, jastëk, batanije, çadër, mbajtëse fëmijësh, çallmë; përdorimet për chitenge-n duken pa kufi dhe janë një dëshmi e aftësive krijuese të këtyre njerëzve afrikanë.
[Figurat në faqen 23]
«Chitenge» ka shumë përdorime: si një mbështjellëse për dru zjarri, një rrip për të mbajtur foshnjën, një çallmë e bukur, një batanije plot ngjyra