Tregoni që keni interes
Nga korrespondenti i Zgjohuni! në Kanada
Pikëllimi i fshehtë midis shumë të moshuarve në Kanada po i shtyn ata drejt vetëvrasjes me një ritëm alarmues. Një raport në gazetën Vancouver Sun vëren se ndërkohë që 1 në 200 përpjekje për vetëvrasje te të rinjtë përfundon me vdekje, te personat mbi 65 vjeç raporti është 1 me 4. Për më tepër, mendohet madje se kemi të bëjmë me një «raport jo të plotë të vetëvrasjeve midis të moshuarve, sepse te të moshuarit me probleme të rënda shëndetësore mund të jetë e vështirë të dallohet vetëvrasja nga shkaqet e vdekjes natyrore».
Përse ndodh që shumë të moshuar humbasin dëshirën për të jetuar? Psikiatri Oluafemi Agbajeva i Universitetit të Kolumbisë Britanike në Kanada, ekspert në problemin e vetëvrasjes midis të moshuarve, veçon depresionin, izolimin shoqëror dhe vetminë si faktorë ndikues. Geri Harington, drejtor i Qendrës së Informacionit dhe të Edukimit për Vetëvrasjet në Kalgari, Alberta, vëren se ndërsa njerëzit plaken, «nuk trajtohen më me nderim, humbasin ndikimin te të tjerët dhe autoritetin. . . . Papritur, askush nuk pyet më për mendimet e tyre. Shumë njerëz pëfundojnë në azile, duke mos pasur asgjë për të bërë, përveçse të ulen dhe të luajnë me letra ose të shikojnë televizor». Gjithë kësaj i shtohet fakti që shoqëria i jep një vlerë të madhe rinisë, si edhe pavarësisë, rendimentit dhe shkathtësisë: pikërisht veçoritë që bien me kalimin e moshës.
Megjithatë, në sytë e Perëndisë Jehova të moshuarit janë shumë të çmuar. Një dëshmi e faktit që ai i kupton thellësisht nevojat e tyre emocionale mund të shihet në urdhrin që i dha popullit të Izraelit të lashtë: «Duhet të ngrihesh përpara flokëve të thinjur, duhet të tregosh konsideratë për personin e një të vjetri dhe duhet t’i druhesh Perëndisë tënd.»—Levitiku 19:32, BR.
Prandaj, si mund të ‘tregojmë konsideratë’, pra, për të moshuarit? Ndonëse nga goja e tyre mund të mos dalin gjithmonë fjalë mençurie dhe papërsosmëritë e tyre mund të shtohen prej moshës së thyer, ata meritojnë respektin tonë. Tregoni që keni interes. Jepuni dinjitet, nderim dhe vlerësim, duke përfituar prej mendjehollësisë dhe mençurisë që kanë, veçanërisht nëse jeta e tyre është udhëhequr nga fryma e Perëndisë dhe nga një kuptueshmëri e saktë e Fjalës së tij.
Fjala e Perëndisë mëson shumë më tepër rreth çështjes së kujdesit për të moshuarit dhe nderimit të tyre. Për më shumë informacion, ju lutemi u shkruani botuesve të kësaj reviste dhe kërkoni librin Sekreti i lumturisë familjare.