Pse kaq shumë njerëz ndihen të vetmuar?
NË SHOQËRINË e sotme shumë njerëz ndihen të vetmuar. Vetmia mund të prekë njerëz të të gjitha moshave, racave, shtresave shoqërore dhe besimeve fetare. A je ndier ndonjëherë i vetmuar? A ndihesh i vetmuar tani? Ç’është e vërteta, të gjithë kemi pasur raste kur kemi ndier nevojën për shoqëri. Kishim nevojë për dikë që të na dëgjonte me durim, të na qetësonte, të pajtohej me ndjenjat tona më të thella, të kuptonte mendimet që bluanim në heshtje dhe personalitetin tonë. Ne kemi nevojë për dikë që i mban parasysh ndjenjat tona.
Megjithatë të jemi vetëm nuk do të thotë medoemos që të ndihemi të vetmuar. Një njeri mund të jetë vetëm për një kohë të gjatë dhe të kënaqet me gjërat që bën pa u ndier aspak i vetmuar. Nga ana tjetër, ka njerëz që e kanë tmerr të rrinë vetëm. Një fjalor, The American Heritage Dictionary, thotë: «Fjala vetëm thekson idenë e të qenët veçan nga të tjerët, por nuk nënkupton medoemos mungesën e lumturisë. . . . Fjala i vetmuar shpesh përcjell trishtimin që ndien ngaqë je vetëm . . . Fjala vetmi nënkupton që dikush ka dëshpërimisht nevojë për shoqëri». Vetmia është një gjendje e pikëlluar, e mjerë ose e zymtë. Që të gëzojë sërish zemra ka nevojë të ngushëllohet nga një miqësi e sinqertë dhe e dashur. Dhe së fundi, vetmitar përkufizohet si një gjendje që «shpesh mbart edhe ngjyrimin e fjalës i vetmuar edhe të vetmisë . . . Megjithatë, shpesh kjo fjalë e vë theksin tek ai lloj veçimi fizik që vjen kur dikush dëshiron të rrijë vetëm.»
Vetmia është një ndjenjë e fuqishme dhe mund të jetë shumë e dhimbshme. Është një ndjenjë zbrazëtie. Ajo të krijon përshtypjen se je i veçuar nga të tjerët, të bën të ndihesh i shkëputur nga njerëzit. Si pasojë mund të bëhemi të brishtë emocionalisht dhe të kemi frikë. A je ndier ndonjëherë kështu? Nga çfarë shkaktohet vetmia?
Problemet dhe rrethanat kanë ndikime të ndryshme te njerëzit. Mbase ndihesh sikur të tjerët të përjashtojnë nga shoqëria e tyre për shkak të pamjes, racës ose fesë. Ndryshimi i ambientit—si për shembull, kur shkon në një shkollë tjetër, kur fillon një punë të re, kur vendosesh në një lagje, qytet ose shtet tjetër—mund të të bëjë të ndihesh i vetmuar, sepse të duhet të lësh miqtë e vjetër. Humbja e ndonjërit prej prindërve ose e bashkëshortit mund të të bëjë të ndiesh vetmi, mbase për shumë vjet. Gjithashtu, ndërsa plakemi rrethi i miqve dhe i të njohurve ndryshon, ngushtohet ose nuk është më.
Nuk është e thënë që martesa të të garantojë se nuk do të vuash më nga vetmia. Keqkuptimet reciproke ose mungesa e harmonisë mund të jenë burim stresi që krijon një ndjenjë pasigurie. Kjo gjendje madje mund të bëjë që bashkëshortët dhe fëmijët të veçohen nga njëri-tjetri. Por përveç vetmisë që shkakton vdekja e një njeriu të dashur, divorci ose izolimi fizik a emocional, ka një lloj tjetër vetmie që mund të ndikojë shumë thellë te ne. Kjo vjen kur marrëdhënia jonë me Perëndinë dobësohet dhe ndihemi të shkëputur nga ai.
A ke përjetuar ndonjë nga rrethanat e përmendura më sipër? A është e mundur ta mposhtësh vetminë?
[Figurat në faqen 4]
Ndryshimet që ndodhin në jetë, që nga ndryshimi i shkollës e deri te humbja e bashkëshortit, mund të sjellin vetmi