Diçka më e mirë se «dallgët e përsosura»
Treguar nga Karl Hajnc Shvereri
Linda në vitin 1952 në Pitsburg të Pensilvanisë, SHBA, por u rrita në Nju-Smirna-Biç të Floridës. Gjatë adoleshencës, u dhashë shumë pas sërfit. Madje u bë gjëja më e rëndësishme e jetës sime.
NË VITIN 1970, u regjistrova në universitetin aeronautik «Embri-Ridëll» në Dejtona-Biç, Florida, sepse doja të bëhesha pilot. Por po zhgënjehesha gjithnjë e më shumë nga qeveria, pasi më dukej e padrejtë lufta që po bënte në Vietnam. I neveritur nga i gjithë sistemi, ashtu si edhe të rinj të tjerë të asaj kohe, e lashë shkollën dhe u bëra hipi. Kisha flokë të gjatë dhe drogohesha.
Pas ca kohësh u njoha me Suzanën, një vajzë që kishte shpirtin e aventurës dhe shumë talent për pikturë e fotografi. Bëra llogari se, po të bënim një jetë pa pretendime, mund të punoja gjashtë a tetë muaj në ndërtim në Florida dhe pjesën tjetër të vitit ta kalonim në çadra, në plazhet e Paqësorit në Meksikë dhe Amerikën Qendrore.
Doja të mësoja për Perëndinë
Ishte shumë bukur të bëje një jetë pa kokëçarje në plazhet e bukura tropikale, ku Suzi pikturonte dhe fotografonte, e unë merresha me sërf. Por, pas pak vitesh, kuptuam se ajo lloj jete nuk po na mbushte. Sikur na mungonte diçka. Kështu, nga mesi i vitit 1975, ndërkohë që jetonim në plazhet e Kosta-Rikës në Paqësor, fillova të kërkoja diçka që të më mbushte nga ana shpirtërore. Lexova libra për fetë dhe për filozofitë e Lindjes, që në atë kohë ishin shumë të përhapur.
Meqë në librat që lexoja, përmendej shpesh Bibla si provë për mësimet e tyre, thashë me vete se Bibla duhej të ishte baza për të vërtetën. Prandaj, këmbeva ca kërpudha halucinogjene me një Bibël të vjetër në përkthimin King James. Çdo pasdite, pasi kisha bërë sërf tërë mëngjesin, ulesha dhe lexoja Biblën. Por, edhe pse e kisha marrë me shumë qejf Biblën, nuk e kuptoja dhe aq.
«A keni ndonjë pyetje për Biblën?»
Në gusht të vitit 1975, ndërsa po ktheheshim nga Kosta-Rika për në Shtetet e Bashkuara, ndaluam bashkë me Suzin në një farmaci në Salvador, për të blerë ilaçe. S’po merreshim dot vesh me farmacistin, kështu që një kliente, një vajzë me emrin Xheni, na ndihmoi. Ajo ishte 16 vjeçe, amerikane, por e fliste rrjedhshëm spanjishten. Na tha se ajo dhe prindërit e saj ishin Dëshmitarë të Jehovait dhe ishin transferuar në Salvador për t’u mësuar njerëzve Biblën.
Pastaj më pyeti: «A keni ndonjë pyetje për Biblën?»
«Po, kam!»—iu përgjigja. Edhe pse dukej që ishim hipi, Xheni na ftoi menjëherë në shtëpi që të takonim prindërit e saj, Xho dhe Nensi Tremblin. E pranuam ftesën. Kaluam gjithë pasditen duke bërë pyetje biblike dhe na bëri shumë përshtypje mënyra se si na përgjigjeshin Xhoi dhe Nensi. Gjithnjë thoshin: «Gjeni këtë shkrim në Biblën tuaj dhe lexojeni.»
Shpejt ra mbrëmja, dhe ata na ftuan ta kalonim natën në shtëpinë e tyre. Por, meqë unë dhe Suzi nuk ishim të martuar, nuk na lanë të flinim në një dhomë. Suzi dhe Xheni ndenjën zgjuar për orë të tëra duke shqyrtuar tema të ndryshme biblike, që nga koha e Adamit deri në Harmagedon.
Bibla e gjelbër
Të nesërmen, para se të largoheshim nga qyteti, Xhoi dhe Nensi na dhanë shumë Kulla Roje, Zgjohuni!, disa libra dhe një Bibël. Ishte botimi Shkrimet e Shenjta—Përkthimi Bota e Re, që në atë kohë kishte kapak të gjelbër. Gjithashtu, Xhoi na tregoi Sallën e Mbretërisë. Ishte një ndërtesë e thjeshtë, ku mblidheshin Dëshmitarët e Jehovait për të studiuar Biblën. Thashë me vete: ‘Çfarë ndryshimi me kishat pompoze, ku njerëzit mësojnë fare pak për Biblën!’
Po atë ditë, kur ndaluam në një postbllok para se të kalonim kufirin për në Guatemalë, Bibla e gjelbër i ngatërroi disi nëpunësit e doganës. S’dinin ç’të bënin sepse e dinin që atë Bibël e përdornin Dëshmitarët e Jehovait. Por s’diskutohej që ne s’dukeshim si Dëshmitarë. Pavarësisht nga pamja e jashtme, nëpunësit na lanë të kalonim pas disa minutash. U habitëm, se normalisht na e kontrollonin makinën dhe plaçkat mos kishim drogë ose gjëra kontrabandë. Prandaj, nisëm ta shihnim Biblën e gjelbër si një hajmali.
Vazhduam të lexonim Biblën e botimet e tjera, dhe u bindëm se kishim gjetur të vërtetën për Perëndinë. Teksa udhëtonim përmes Meksikës, mezi pritja të bëja dy javë sërf në Puerto-Eskondidos, vendi im i preferuar për sërf. Kisha vendosur që pasi të shijoja ato «dallgë të përsosura», të kthehesha në Florida e të bëhesha shërbëtor i Jehovait.
Dy javët e tjera i kalova duke bërë sërf në mëngjes. Pasdite rrija në plazh dhe lexoja Biblën dhe botimet biblike. Bibla e gjelbër i ra në sy një vajze tetëvjeçare, e cila nguli këmbë të na çonte diku në mbrëmje. Nuk e kuptonim ku donte të na çonte, por e morëm vesh që kishte të bënte me Biblën e gjelbër. Nuk pranuam, por ajo nuk hiqte dorë, kështu që, pas disa ditësh vendosëm të shkonim me të. Na çoi në Sallën e Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait, që ishte një ndërtesë e vogël bambuje me çati prej kashte. Të gjithë na përshëndetën duke na takuar e përqafuar, sikur të ishim miq të vjetër.
Na bëri përshtypje sjellja dinjitoze që kishin të gjithë të pranishmit. Disa fëmijë gjatë mbledhjes na ngulnin sytë, me siguri sepse s’kishin parë kurrë njerëz me flokë të verdhë e aq të gjatë. Prindërit duhej t’u tërhiqnin vazhdimisht vëmendjen, që të përqendroheshin te mbledhja. E pra, Jehovai kishte përdorur një prej këtyre fëmijëve të na çonte në mbledhjen tonë të parë.
Të vendosur për t’i shërbyer Jehovait
Pasi bëra sërf për dy javë në «dallgët e përsosura», i shita tavolinat e sërfit dhe shkuam direkt në Florida. Atje nisëm të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait dhe të ndiqnim të gjitha mbledhjet. Ishim të vendosur t’i shërbenim Jehovait, prandaj e ndërpremë bashkëjetesën tonë dhe nuk shoqëroheshim më me miqtë e dikurshëm. Unë hoqa mjekrën dhe preva flokët, kurse Suzi bleu ca fustane. Katër muaj më pas u martuam dhe në prill të vitit 1976 u pagëzuam në simbol të kushtimit që kishim bërë për t’i shërbyer Perëndisë.
Tani jeta jonë kishte një qëllim. Ndiheshim kaq mirënjohës ndaj Jehovait për gjithë bekimet që na kishte dhënë, saqë donim me gjithë shpirt të ktheheshim në një vend ku flitej spanjisht për të predikuar lajmin e mirë për Mbretërinë e Perëndisë. Por pleqtë e kongregacionit tonë na këshilluan: «Pritni edhe pak. Fillimisht përpiquni të forcoheni vetë në besim, që të keni ç’të jepni atje ku do të shkoni.» E ndoqëm këshillën e tyre dhe pas kësaj kishim si synim të bëheshim pionierë, siç quhen Dëshmitarët e Jehovait që shërbejnë në kohë të plotë.
Suzi e nisi shërbimin si pioniere në janar të vitit 1978. Edhe unë doja të isha pionier, por kisha akoma shumë borxhe për faturat e universitetit. Gjeta një zgjidhje të thjeshtë. Do të merrja një deklaratë ligjore që s’kisha asnjë dyshkë, dhe kështu do të isha i lirë të filloja si pionier.
Por, me mençuri, pleqtë më shpjeguan se nuk ishte ide e mirë, pasi nuk ishte në përputhje me parimet e Biblës, që duhet të jemi ‘të ndershëm në çdo gjë’. (Hebrenjve 13:18) Prandaj vazhdova të punoja për të shlyer borxhet. Më në fund, në shtator të vitit 1979 arrita synimin që të bashkohesha me Suzin në veprën e pionierit. Më pas, duke mbajtur një jetë të thjeshtë, më duhej të punoja vetëm pak ditë në javë për të siguruar gjërat e nevojshme.
Shërbimi në Bethelin e Bruklinit
Në prill të vitit 1980, kur s’kishim as një vit që po shërbenim së bashku si pionierë, patëm një surprizë të madhe. Ca kohë më parë, kur ishte bërë thirrja për punëtorë ndërtimi, kishim bërë kërkesë për të shërbyer në Bethel, në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait në Bruklin, Nju-Jork. Dhe ja, tani morëm ftesën për të shkuar atje brenda 30 ditëve. Ishim pak të trazuar, sepse tani shërbimi si pionierë po na pëlqente shumë. S’ishim të sigurt ç’të bënim, prandaj folëm me dy pleq, të cilët na ndihmuan të kuptonim sa privilegj i madh po na jepej. Ata na sugjeruan: «Shkoni, provojeni shërbimin në Bethel për një vit.» Kështu, shitëm gjithë ç’kishim dhe shkuam në Bruklin.
Pasi punova në ndërtim për dy vjet, më ftuan në Zyrën Inxhinierike të Ndërtimit, ku mora stërvitje për të bërë projektime. Suzi punoi në Repartin e Libralidhjes për një vit, pastaj e ftuan në Repartin e Grafikës. Vit për vit, në përvjetorin e martesës, mendonim për vitin që kishte kaluar, peshonim rrethanat e dëshirat tona, dhe vendosnim të vazhdonim shërbimin në Bethel.
Me kalimin e viteve zumë miq të ngushtë të mrekullueshëm. Veç kësaj, meqë në Bethel kishim mundësi t’i bënim një shërbim mjaft të vlefshëm Jehovait dhe vëllezërve në mbarë botën, ishim të vendosur të qëndronim. Në vitin 1989 i hymë spanjishtes, dhe na caktuan në një kongregacion të gjuhës spanjolle në Bruklin. Ja pra, tani kishim dy caktime fantastike në dy fusha shërbimi: në Bethel dhe në një kongregacion të gjuhës së huaj.
Një herë, na erdhi për vizitë në Bethelin e Bruklinit Xheni, që përmendëm më sipër. Ishte interesante ta dëgjoje nga këndvështrimi i saj historinë se si u takuam në Salvador. Ajo kishte qenë në një studim biblik dhe nuk ishte ndier mirë me shëndet. Rrugës për në shtëpi, vendosi të shkonte në një farmaci e të merrte ndonjë ilaç. Por s’di pse, nuk shkoi te farmacia ku shkonte gjithnjë, por tek ajo ku ishim ne.
Shërbimi në vende të tjera
Një ditë, në vitin 1999, mbikëqyrësi i repartit tim në Bethel më befasoi me një pyetje: «A do të ishe i gatshëm të shkoje në degën e Australisë dhe të punoje me një projekt në Zyrën Rajonale të Inxhinierisë atje, për tre muaj?»
«Po»,—u përgjigja pa pikë ngurrimi. Kështu u nisëm për në Australi, ku shërbyem për tri vjet. Ishte kënaqësi të ndihmonim në projektimin e ndërtesave të degëve për disa vende të Lindjes dhe të Paqësorit Jugor. Kur u kthyem në Bruklin, në vitin 2003, na priste një surprizë tjetër. Na ftuan për një caktim tjetër në vend të huaj: të shërbenim në Zyrën Rajonale për Sallat e Mbretërisë, në degën e Brazilit, jo larg qytetit të madh të San-Paulos.
Këtu ndodhemi ende. Zyra mbikëqyr ndërtimin e Sallave të Mbretërisë në pjesën më të madhe të vendeve të Amerikës Jugore. Në caktimin tim përfshihen udhëtimet për të ndihmuar në këto ndërtime dhe për të inkurajuar ata që punojnë në projektet e shumta. Suzi më shoqëron në këto udhëtime.
Mbajmë në vend të parë gjërat e duhura
Duhet ta pranoj se ende më pëlqen sërfi, por kam gjetur diçka më të mirë se «dallgët e përsosura». Prandaj, e kam mbajtur sërfin në vendin e duhur, thjesht si zbavitje. Me mbështetjen e dashur të Suzit, jam përqendruar në diçka më të rëndësishme, në shërbimin e Perëndisë tonë të dashur, Jehovait.
Tani, gjëja kryesore për ne është ta përdorim jetën dhe aftësitë tona për të çuar përpara interesat e Mbretërisë dhe për të përkrahur adhurimin e pastër të Perëndisë Jehova. Kemi mësuar që nuk ka shumë rëndësi se ku po i shërbejmë Jehovait, por kryesorja është t’i shërbejmë me gjithë shpirt kudo që të jemi.—Kolosianëve 3:23.
[Diçitura në faqen 25]
«Ende më pëlqen sërfi, por kam gjetur diçka më të mirë se ‘dallgët e përsosura’»
[Figura në faqet 22, 23]
Kjo fotografi, ku po bëj sërf, u përdor në një poster për festën verore të sërfit
[Figura në faqen 23]
Në moshën 13-vjeçare
[Figura në faqen 23]
Jeta si hipi nuk më mbushte
[Figurat në faqen 25]
Lart: duke ndihmuar në ndërtimin e Sallave të Mbretërisë.
Djathtas: me Suzin sot