Nga lexuesit tanë
Kriza e ujit: Çfarë po bëhet? (Janar 2009) Më shqetësoi përfundimi që nxirrte ky artikull. Në vend që t’i nxiste lexuesit tuaj të ndihmojnë të tjerët duke ndërtuar puse, duke përkrahur programe për kursimin e ujit e madje duke e shqyrtuar më tej problemin, artikulli thoshte se «zgjidhjen përfundimtare për krizën e ujit e ka në dorë Perëndia, jo njeriu» dhe se ai ‘do të bëjë çdo gjë të re’. (Zbulesa 21:5) Megjithëse kjo të jep zemër, a nuk do të ishte më mirë që ndërkohë të jepnim ndihmën tonë? Bota ka shumë probleme. Ndonëse Perëndia me siguri ka planifikuar zgjidhjet e tij, nuk mund të rrimë duarkryq ndërsa Djalli bën çfarë t’i dojë qejfi.
S. S., Shtetet e Bashkuara
«Zgjohuni!» përgjigjet: Artikulli i përmendur më sipër nuk kishte si qëllim të nënkuptonte se njerëzit nuk kanë përgjegjësi të përpiqen që ta përmirësojnë situatën tani. Atje thuhej: «Perëndia u caktoi njerëzve përgjegjësinë që të kujdeseshin për këtë planet.» Prandaj, ne kemi botuar mjaft artikuj në revistat tona që e nxitin lexuesin të përkrahë ruajtjen e burimeve natyrore dhe të mbrojë mjedisin. Megjithatë, mjerisht përpjekjet e njeriut për të mbrojtur burimet natyrore, shpesh pengohen nga ligje që më tepër favorizojnë rritjen ekonomike, sesa zgjidhjen e problemeve të mjedisit, si dhe nga lakmia dhe egoizmi i trashëguar i njerëzimit të papërsosur. Ja përse themi se «zgjidhjen përfundimtare për krizën e ujit e ka në dorë Perëndia».
Toka u projektua për jetën (Shkurt 2009) Ndërkohë që shtypi shkruan vetëm për gjëra që na bëjnë të ndihemi të pasigurt për shkak të ngrohjes globale, këta artikuj më dhanë vërtet paqe mendore. Gjithashtu, mora zemër kur lexova se e ardhmja e tokës nuk është e errët, por, qoftë si ambient fizik, qoftë si ambient shpirtëror, ajo do të bëhet një parajsë ku njerëzit do të jetojnë në paqe. Ju falënderoj shumë.
M. H., Japoni
Disleksia nuk më sprapsi (Shkurt 2009) Edhe unë kam problemin e disleksisë dhe mjerisht nuk e kuptoja plotësisht atë derisa, bashkë me gruan, u caktuam si misionarë dhe po përpiqesha të mësoja një gjuhë tjetër. Artikulli ishte shumë inkurajues, sidomos kutia në faqen 22, që më ndihmoi të kuptoja natyrën e këtij problemi. Mora zemër kur lexova se si Mikal Henborgu ia ka dalë të mësojë disa gjuhë. Faleminderit shumë.
M. M., Tanzani
Të rinjtë pyesin . . . Si ta bëj të këndshëm leximin e Biblës? (Prill 2009) Kam një problem me shikimin dhe në shkollë përdor gjuhën braile. I çmoj vërtet botimet tuaja të cilat më kanë ndihmuar të kapërcej shumë nga problemet e mia. Zakonisht, para se të fle, dëgjoj kasetat dhe disqet tuaja. Kështu më zë gjumi me mendime pozitive. Këtë artikull e dëgjova të paktën pesë herë dhe mora ca ide si ta përmirësoj studimin personal.
S. H., Francë