TREGIMI 35
Jehovai jep ligjet e tij
RRETH dy muaj pasi lënë Egjiptin, izraelitët arrijnë në malin Sinai, që ndryshe quhet edhe Horeb. Ky është i njëjti vend ku Jehovai i foli Moisiut nga kaçuba që digjej. Populli qëndron këtu për të fushuar për pak kohë.
Moisiu ngjitet në mal, kurse populli pret poshtë. Atje lart, në majë të malit, Jehovai i thotë Moisiut se dëshiron që izraelitët t’i binden Atij dhe të bëhen populli i Tij i veçantë. Kur zbret poshtë, Moisiu u thotë izraelitëve çfarë i ka thënë Jehovai. Njerëzit thonë se do t’i binden Jehovait, sepse dëshirojnë të jenë populli i tij.
Jehovai tani bën një gjë të çuditshme. Ai bën që maja e malit të nxjerrë tym dhe shkakton bubullima të forta. Gjithashtu i thotë popullit: ‘Unë jam Jehovai, Perëndia juaj, që ju nxora nga Egjipti.’ Pastaj jep këtë urdhër: ‘Nuk duhet të adhuroni perëndi të tjerë përveç meje.’
Perëndia u jep izraelitëve edhe nëntë urdhra ose ligje të tjera. Njerëzit janë shumë të frikësuar. Ata i thonë Moisiut: ‘Fol ti me ne, sepse kemi frikë se, po të flasë Perëndia me ne, mund të vdesim.’
Pastaj Jehovai i thotë Moisiut: ‘Ngjitu në mal tek unë. Do të të jap dy pllaka guri, mbi të cilat kam shkruar ligjet që dëshiroj që populli t’i zbatojë.’ Prandaj Moisiu ngjitet përsëri në mal dhe qëndron atje 40 ditë e 40 net.
Perëndia ka shumë e shumë ligje për popullin e tij. Moisiu i shkruan këto ligje. Perëndia i jep Moisiut edhe dy pllaka guri. Mbi to vetë Perëndia ka shkruar 10 ligjet që ia tregoi të gjithë popullit. Ato quhen Dhjetë Urdhërimet.
Dhjetë Urdhërimet janë ligje të rëndësishme. Por edhe ligjet e tjera që Perëndia u dha izraelitëve janë të rëndësishme. Një nga këto ligje është: ‘Duhet ta duash Jehovain, Perëndinë tënd, me gjithë zemrën tënde, me gjithë mendjen tënde, me gjithë shpirtin tënd dhe me gjithë forcën tënde.’ Dhe një tjetër është: ‘Duhet t’i duash të tjerët si veten tënde.’ Biri i Perëndisë, Jezu Krishti, tha se këto janë dy ligjet më të mëdha që Jehovai i dha popullit të tij, Izraelit. Më vonë do të lexojmë shumë gjëra për Birin e Perëndisë dhe për mësimet e tij.