Krijimi
Përkufizimi: Si shpjegohet në Bibël, krijimi nënkupton se Perëndia i Plotfuqishëm projektoi dhe solli në ekzistencë universin, përfshirë edhe qenie të tjera frymore, si dhe gjithë llojet e tjera bazë të jetës në tokë.
A është e arsyeshme të besojmë te krijimi edhe në botën e sotme moderne dhe shkencore?
«Ligjet natyrore të universit janë kaq të sakta, saqë nuk kemi asnjë vështirësi të ndërtojmë një anije kozmike për të fluturuar në Hënë dhe mund të llogaritim kohën e fluturimit të saj me saktësinë e një pjese të sekondës. Këto ligje duhet të jenë vendosur nga dikush.»—Cituar nga Verner fon Brauni, i cili ka dhënë një ndihmesë të madhe në dërgimin e astronautëve amerikanë në Hënë.
Universi fizik: Sikur të gjenit një orë të saktë, a do të arrinit në përfundimin se ajo është formuar rastësisht, nga bashkimi i disa grimcave të pluhurit? Qartë, atë e ka bërë një person me intelekt. Gjithsesi, ekziston një «orë» edhe më e jashtëzakonshme. Planetët e sistemit tonë diellor, si dhe yjet e gjithë universit, lëvizin me një saktësi edhe më të madhe se shumica e orëve të projektuara e të fabrikuara nga njeriu. Galaktika ku gjendet sistemi ynë diellor, përmban mbi 100 miliardë yje, dhe, sipas llogaritjeve të astronomëve, në univers ekzistojnë 100 miliardë galaktika të tilla. Nëse vetëm një orë është dëshmi e një projekti inteligjent, aq më tepër është kështu me një univers të tërë, i cili është shumë më i gjerë dhe i ndërlikuar! Bibla e përshkruan Projektuesin e tij si «Perëndia i vërtetë, Jehovai, Krijuesi i qiejve, i Madhi që i shpalos».—Isa. 42:5; 40:26; Psal. 19:1.
Toka: Sikur të kalonit në një shkretëtirë e të hasnit një shtëpi të bukur, të pajisur më së miri me çdo gjë dhe plot me ushqime, a do të besonit që ajo u shfaq atje pas një shpërthimi të rastësishëm? Aspak! Përkundrazi, do ta kuptonit se ajo është ndërtuar nga dikush që zotëron një mençuri të madhe. E pra, deri tani shkencëtarët nuk kanë gjetur jetë në asnjë nga planetët e tjerë të sistemit tonë diellor, me përjashtim të Tokës; dëshmitë që kemi në dispozicion, tregojnë se planetët e tjerë janë të shkretë. Sikurse thuhet në një libër, ky planet është «mrekullia e universit, një sferë e veçantë». (The Earth, Nju-Jork, 1963, Artur Beiser, f. 10) Largësia e saj nga Dielli është tamam aq sa duhet për jetën e njeriut dhe lëviz pikërisht me shpejtësinë e duhur që e mban në orbitë. Atmosfera që mbështjell tokën, gjendet vetëm përreth saj, dhe përbëhet nga sasia e duhur e gazeve për të mbështetur jetën. Në mënyrë të mrekullueshme, drita e diellit, dyoksidi i karbonit, uji dhe mineralet e dheut pjellor, janë kombinuar që të prodhojnë ushqime për banorët e tokës. A erdhën të gjitha këto vetëm nga një shpërthim i pakontrolluar në hapësirë? Një revistë pranon: «Vështirë që kushte të tilla të veçanta e të sakta, të jenë shfaqur rastësisht.» (Science News, 24 dhe 31 gusht, 1974, f. 124) Përfundimi që nxjerr Bibla, është i arsyeshëm: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet nga dikush, por ai që ka ndërtuar gjithçka, është Perëndia.»—Hebr. 3:4.
Truri i njeriut: Kompjuterët modernë janë produkt i kërkimeve intensive dhe i një projektimi të kujdesshëm. Për ta, s’mund të themi që «thjesht rastisën». Ç’të themi për trurin e njeriut? Ndryshe nga truri i çdo kafshe, përmasat e trurit të një foshnje trefishohen gjatë vitit të saj të parë. Në tërësi, mënyra se si funksionon truri, mbetet ende një mister për shkencëtarët. Njerëzit kanë një aftësi të lindur për të mësuar gjuhë të ndërlikuara, për ta çmuar të bukurën, për të kompozuar muzikë, për të reflektuar për origjinën dhe domethënien e jetës. Neurokirurgu Robert Uajt tha: «S’më ka mbetur zgjedhje tjetër, veçse të pranoj ekzistencën e një Intelekti Superior, përgjegjës për projektimin dhe zhvillimin e marrëdhënies së pabesueshme tru-mendje, diçka që shkon përtej aftësisë njerëzore për të kuptuar.» (The Reader’s Digest, shtator 1978, f. 99) Zhvillimi i kësaj mrekullie zë fill nga një qelizë e vockël e ngjizur në mitër. Me një urtësi të spikatshme, shkrimtari biblik Davidi tha për Jehovain: «Do të të përlëvdoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme e që të ngjall frikë. Veprat e tua janë të mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë.»—Psal. 139:14.
Qeliza e gjallë: Për një qelizë të vetme të gjallë flitet shpesh si për një formë jete «të thjeshtë». Mirëpo, një kafshë njëqelizore mund të kapë ushqim, ta bluajë, të eliminojë jashtëqitjet, të ndërtojë një shtëpi dhe të ketë aktivitet seksual. Çdo qelizë e trupit të njeriut është krahasuar me një qytet me mure, që ka një qeveri qendrore që mban rregullin, një central elektrik për të prodhuar energji, fabrika për prodhimin e proteinave, një sistem të ndërlikuar transporti dhe roja që kontrollojnë çdo gjë që lejohet të hyjë. Vetëm një trup njeriu përbëhet nga 100 trilionë qeliza. Sa me vend janë fjalët e Psalmit 104:24: «Sa të shumta janë veprat e tua, e Jehova! Që të gjitha i ke bërë me mençuri.»
A gjen vend në Bibël ideja, sipas së cilës Perëndia përdori evolucionin për të prodhuar llojet e ndryshme të gjallesave?
Zanafilla 1:11, 12 thotë se bari dhe pemët u bënë secili «sipas llojit të vet». Vargjet 21, 24 dhe 25 shtojnë se Perëndia i krijoi krijesat e detit, krijesat fluturuese dhe kafshët e tokës, secilën «sipas llojit të vet». Pra, këtu s’ka vend për idenë se një lloj bazë ka evoluar ose ndryshuar në një lloj tjetër.
Sa i përket njeriut, te Zanafilla 1:26 Perëndia tha: «Le të bëjmë njeriun sipas shëmbëlltyrës sonë, në ngjashmëri me ne.» Kështu pra, ai duhej të kishte cilësi ngjashëm Perëndisë, dhe jo vetëm disa tipare që do të ishin thjesht një evoluim i tipareve të kafshëve. Zanafilla 2:7 shton: «Perëndia Jehova formoi njeriun [jo nga ndonjë formë jete e mëparshme, por] nga pluhuri i tokës dhe i fryu në vrimat e hundës frymën e jetës.» Këtu nuk zihet fare në gojë evolucioni, përkundrazi, përshkruhet një krijesë e re.
A i krijoi Perëndia miliona llojet e organizmave të gjallë, që ekzistojnë sot në tokë?
Kapitulli i parë i Zanafillës thotë thjesht se Perëndia e krijoi secilin «sipas llojit të vet». (Zan. 1:12, 21, 24, 25) Ndërsa bëheshin përgatitjet për përmbytjen e ditëve të Noesë, Perëndia udhëzoi që në arkë të futeshin përfaqësues nga çdo «lloj» i kafshëve të tokës e i krijesave fluturuese. (Zan. 7:2, 3, 14) Çdo «lloj» ka potencialin gjenetik për një shumëllojshmëri të madhe. Në fakt, sipas raporteve, ekzistojnë më shumë se 400 raca të ndryshme qensh dhe më se 250 raca e lloje kuajsh. Në kuptimin që jep Zanafilla, të gjitha llojet e çdo kafshe, që janë në gjendje të riprodhohen mes tyre, përbëjnë një «lloj». Ngjashëm, të gjitha racat e njerëzve—lindorët, afrikanët, kaukazianët, dinkat shtatlartë të Sudanit, që i kalojnë dy metra gjatësi, dhe pigmenjtë trupvegjël, që s’i kalojnë 130 centimetra—vijnë nga i njëjti çift fillestar, Adami dhe Eva.—Zan. 1:27, 28; 3:20.
Si t’i kuptojmë ngjashmëritë bazë në strukturën e gjallesave?
«Perëndia . . . krijoi gjithçka.» (Efes. 3:9) Prandaj, gjithçka vjen nga i njëjti Projektues i Madh.
«Të gjitha gjërat erdhën në jetë nëpërmjet tij [Birit të vetëmlindur të Perëndisë, që erdhi në tokë si Jezu Krishti], dhe pa të nuk erdhi në jetë asgjë.» (Gjoni 1:3) Kështu që kishte vetëm një Kryemjeshtër nëpërmjet të cilit Jehovai kreu veprat e tij të krijimit.—Prov. 8:22, 30, 31.
Cila është origjina e materies, nga e cila është bërë universi?
Shkencëtarët kanë mësuar se materia është një formë e përqendruar e energjisë. Këtë e demonstrojnë edhe shpërthimet e armëve bërthamore. Astrofizikani Josip Klezhek thotë: «Shumica, dhe ndoshta të gjitha grimcat elementare, mund të jenë krijuar nga materializimi i energjisë.»—The Universe (Boston, 1976), vëll. 11, f. 17.
Nga mund të ketë ardhur kjo energji? Pasi shtron pyetjen: «Kush i krijoi këto gjëra [yjet dhe planetët]?», Bibla thotë për Perëndinë Jehova: «Falë energjisë së tij dinamike dhe fuqisë së tij të madhe, nuk mungon asnjë prej tyre.» (Isa. 40:26) Kështu pra, vetë Perëndia është Burimi i gjithë «energjisë dinamike», që nevojitej për krijimin e universit.
A u krijua gjithë universi fizik vetëm brenda gjashtë ditëve, rreth 6.000 apo 10.000 vjet më parë?
Faktet nuk përputhen me një përfundim të tillë: (1) Në hemisferën veriore, në një natë të kthjellët mund të shihet drita që vjen nga mjegullnaja Andromeda. Që të vijë deri në tokë, asaj drite i duhen rreth 2.000.000 vjet, fakt që tregon se universi duhet të ketë një moshë të paktën disa miliona vjeçare. (2) Mbetjet e elementeve radioaktive në shkëmbinjtë e tokës dëshmojnë se disa formacione shkëmbore ekzistojnë të pashqetësuara prej miliarda vjetësh.
Zanafilla 1:3-31 nuk flet për krijimin fillestar të materies ose të trupave qiellorë. Ajo përshkruan përgatitjen e tokës, e cila tashmë ekzistonte, për ta kthyer në vendbanim për njerëzit. Këtu përfshihen krijimi i llojeve bazë të bimëve, i jetës detare, i krijesave fluturuese, i kafshëve të tokës dhe i çiftit të parë njerëzor. Për të gjitha këto thuhet se janë bërë brenda një periudhe prej gjashtë «ditësh». Sidoqoftë, fjala hebraike e përkthyer «ditë» ka një shumëllojshmëri kuptimesh, përfshirë edhe ‘një kohë e gjatë; koha që përfshin një ngjarje të jashtëzakonshme’. (Old Testament Word Studies, Grand Rapids, Miç.; 1978, U. Uillson, f. 109) Nga termi i përdorur mund të kuptohet se çdo «ditë» mund të ketë zgjatur mijëra vjet.