Kapitulli 45
Një dishepull që nuk pritej
ÇFARË skene e frikshme i del përpara Jezuit sapo zbret në tokë! Dy burra, jashtë mase të egër, vijnë nga varrezat që gjenden aty afër dhe vrapojnë drejt tij. Ata janë të pushtuar nga demonët. Meqënëse njëri prej tyre ka të ngjarë që të jetë më i dhunshëm se tjetri, si dhe të ketë vuajtur më gjatë nën kontrollin e demonit, ai vihet në qendër të vëmendjes.
Për shumë kohë, ky njeri i mjerë, ka jetuar lakuriq midis varreve. Vazhdimisht, ditë e natë, ai ulëret dhe e çan trupin duke e goditur me gurë. Ai është kaq i dhunshëm, saqë asnjë njeri nuk ka guxim të kalojë në atë rrugë. Janë bërë përpjekje për ta lidhur, por ai i këput zinxhirët dhe i thyen kllapat e hekurta që i vënë në këmbë. Asnjë nuk ka fuqi që ta nënshtrojë.
Pasi i afrohet Jezuit dhe bie para këmbëve të tij, demonët që e kontrollojnë burrin e bëjnë të bërtasë: «Ç’ka midis meje dhe teje, o Jezus, Biri i Perëndisë shumë të lartit? Unë të përgjërohem në emrin e Perëndisë, mos më mundo.»
«Frymë e ndyrë, dil prej këtij njeriu»,—vazhdon të thotë Jezui. Por më pas e pyet: «Cili është emri yt?»
«Unë quhem Legjion, sepse jemi shumë»,—është përgjigjja. Demonët dëfrehen së tepërmi tek shohin vuajtjet e atyre, të cilët janë në gjendje t’i pushtojnë dhe me sa duket gjejnë kënaqësi kur sulmojnë në grup, duke marrë zemër nga fakti që janë shumë. Por, të gjendur përballë Jezuit, ata luten që të mos hidhen në humnerë. Edhe një herë shikojmë se Jezui kishte fuqi shumë të madhe; ai ishte në gjendje të nënshtronte madje edhe demonë shumë të egër. Kjo zbulon, gjithashtu, që demonët janë të vetëdijshëm se gjykimi përfundimtar që Perëndia ka ruajtur për ta, është hedhja në humnerë bashkë me kreun e tyre, Satana Djallin.
Në malin aty afër, është duke kullotur një tufë me rreth 2.000 derra. Atëherë demonët thonë: «Na dërgo në derrat që të hyjmë në ta.» Me sa duket, demonët, gjejnë njëfarë kënaqësie të panatyrshme dhe sadiste, kur pushtojnë trupat e krijesave prej mishi. Kur Jezui ua jep lejen që të hyjnë në ta, e gjithë tufa me 2.000 derra, turret e frikësuar dhe hidhet nga shkëmbi i thepisur, duke u mbytur në det.
Kur e shohin këtë, ata që kujdesen për derrat, nxitojnë ta përhapin lajmin në qytet dhe në fshatrat përreth. Atëherë, njerëzit nisen për të parë se çfarë ka ndodhur. Kur mbërrijnë, ata shohin njeriun prej të cilit kanë dalë demonët. Dhe ja, i veshur dhe me mendje të shëndoshë, ai është ulur pranë këmbëve të Jezuit!
Dëshmitarët okularë u tregojnë se si ishte shëruar ai njeri. Ata u flasin njerëzve edhe për mënyrën e çuditshme në të cilën ngordhën derrat. Si dëgjojnë këto gjëra, njerëzit pushtohen nga një frikë e madhe dhe me gjithë shpirt, i kërkojnë Jezuit që të largohet nga vendi i tyre. Atëherë, ai bie dakord dhe hipën në barkë. Njeriu që ishte i pushtuar nga demonët, i lutet Jezuit që ta marrë me vete. Por Jezui i thotë: «Shko në shtëpinë tënde, te të tutë dhe u trego atyre se çfarë gjërash të mëdha bëri Zoti dhe si pati mëshirë për ty.»
Zakonisht, Jezui i udhëzon ata që shëron që të mos flasin me askënd, pasi nuk do që njerëzit të dalin në përfundime, në bazë të lajmeve sensacionale. Por ky përjashtim është me vend, sepse ish i pushtuari nga demonët do të dëshmojë midis njerëzve, të cilët ndoshta Jezui nuk do të ketë rast për t’i takuar. Për më tepër, prania e këtij njeriu do të shërbejë si një dëshmi për fuqinë që ka Jezui për të bërë vepra të mira, duke neutralizuar kështu, çdo lajm të pafavorshëm, që mund të jetë duke qarkulluar mbi humbjen e derrave.
Në përputhje me atë që e udhëzoi Jezui, ish i pushtuari nga demonët, largohet. Ai fillon të shpallë në të gjithë Dekapolin, gjithçka që Jezui bëri për të dhe njerëzit mbeten të mahnitur. Mateu 8:28-34; Marku 5:1-20; Luka 8:26-39; Zbulesa 20:1-3.
▪ Për cilën arsye ndoshta, vëmendja përqendrohet mbi njërin nga burrat e pushtuar nga demonët, edhe pse të pranishëm janë dy?
▪ Çfarë tregon se demonët janë në dijeni për hedhjen në humnerë në të ardhmen?
▪ Me sa duket, përse u pëlqen demonëve që të pushtojnë njerëz dhe kafshë?
▪ Përse bën një përjashtim Jezui, në rastin e ish të pushtuarit nga demonët, duke e udhëzuar që t’u tregojë të tjerëve mbi gjërat që bëri për të?