Kapitulli 61
Shërohet një djalë i pushtuar nga një demon
NDËRSA Jezui, Pjetri, Jakovi dhe Gjoni gjenden larg, ndoshta diku në shpatin e malit Hermon, dishepujt e tjerë hasin një problem. Kur kthehet, Jezui e kupton menjëherë se diçka nuk shkon. Një turmë e madhe është grumbulluar rreth dishepujve të tij dhe skribët janë duke bërë fjalë me ta. Njerëzit befasohen kur shohin Jezuin dhe vrapojnë drejt tij për ta takuar. «Për çfarë po diskutoni me ta?»—pyet Jezui?
Duke dalë përpara nga mesi i turmës, një burrë bie në gjunjë para Jezuit dhe i shpjegon: «Mësues, të prura djalin tim që ka një frymë memece; dhe e kap kudo, e përplas dhe ai shkumon, kërcëllon dhëmbët dhe i ngrijnë gjymtyrët. Dhe u thashë dishepujve të tu ta dëbojnë, por ata s’e bënë dot.»
Me sa duket, skribët po e shfrytëzojnë sa të munden dështimin e dishepujve në shërimin e djalit, ndoshta duke i bërë përpjekjet e tyre objekt talljeje. Pikërisht në këtë moment kritik, arrin Jezui. «O brez që s’beson,—thotë ai,—deri kur do të jem me ju? Deri kur do t’ju duroj?»
Duket se Jezui po ua drejton fjalët e tij të gjithë të pranishmëve, por pa dyshim ato u drejtohen veçanërisht skribëve, të cilët po u shkaktonin probleme dishepujve të tij. Pastaj, duke folur për djalin, Jezui thotë: «Ma sillni këtu!» Por ndërsa ai vjen te Jezui, demoni që e ka nën kontroll, e përplas në tokë dhe i shkakton spazma të fuqishme. Djali rrokulliset për tokë dhe nxjerr shkumë nga goja.
«Sa kohë ka që i ndodh kështu?»—pyet Jezui.
«Që në fëmijëri»,—përgjigjet i ati. «Shpesh [demoni] e ka hedhur në zjarr e në ujë për ta shkatërruar.» Pastaj i ati i përgjërohet: «Nëse mund të bësh diçka, ki mëshirë për ne dhe na ndihmo!»
Ndoshta i ati ka kërkuar ndihmë për vite me radhë dhe tani që dishepujt e Jezuit kanë dështuar, ai është i dëshpëruar jashtë mase. Duke e kuptuar kërkesën e dëshpëruar të këtij burri, Jezui thotë në mënyrë inkurajuese: «Ajo shprehje: ‘Nëse mundesh!’ E pra, çdo gjë është e mundur nëse dikush ka besim.»—BR.
«Unë kam besim—bërtet menjëherë i ati, por i lutet,—më ndihmo ku kam nevojë për besim!»—BR.
Duke vërejtur se turma po vrapon drejt tyre, Jezui e qorton demonin, duke i thënë: «O frymë memece dhe e shurdhët, unë po të urdhëroj, dil prej tij dhe mos hyr më kurrë tek ai!» Ndërsa largohet, demoni e bën përsëri djalin që të ulërasë dhe i shkakton shumë spazma. Pastaj djali mbetet i shtrirë për tokë, pa bërë asnjë lëvizje, aq sa shumë njerëz fillojnë të thonë: «Ka vdekur!» Por Jezui e kap djalin për dore dhe ai ngrihet.
Më parë, kur ishin dërguar për të predikuar, dishepujt kishin dëbuar demonë. Prandaj, tani, kur hyjnë në një shtëpi, ata e pyesin Jezuin privatisht: «Përse ne nuk mundëm ta dëbojmë?»
Duke treguar se arsyeja ishte mungesa e besimit nga ana e tyre, Jezui përgjigjet: «Ky lloj nuk mund të dalë me gjë tjetër, përveç lutjes.» (BR) Duket se kërkohej përgatitje, për të dëbuar llojin e demonit veçanërisht të fuqishëm, për të cilin bëhet fjalë në këtë rast. Nevojitej një besim i madh si dhe një kërkesë në lutje për ndihmën fuqidhënëse të Perëndisë.
Pastaj Jezui shton: «Në të vërtetë, unë po ju them, se po të keni besim sa një kokërr sinapi, do t’i thoni këtij mali, ‘Zhvendosu nga këtu, atje’ dhe ai do të zhvendoset; dhe asgjë nuk do të jetë e pamundshme për ju.» Sa i fuqishëm mund të jetë besimi!
Disa pengesa dhe vështirësi, që pengojnë përparimin në shërbimin e Jehovait, mund të duken po aq të pakapërcyeshme dhe të palëvizshme, sa edhe një mal i madh në kuptimin e mirfilltë. E megjithatë, Jezui tregon se, nëse kultivojmë besim në zemrat tona, duke e ushqyer dhe duke favorizuar rritjen e tij, ai do të zhvillohet plotësisht dhe do të na japë mundësi për të kapërcyer vështirësi dhe pengesa të tilla ngjashëm maleve. Marku 9:14-29; Mateu 17:19, 20; Luka 9:37-43.
▪ Çfarë situate gjen Jezui kur kthehet nga mali Hermon?
▪ Si e inkurajon Jezui të atin e djalit të pushtuar nga demoni?
▪ Përse dishepujt nuk qenë në gjendje ta dëbonin demonin?
▪ Siç tregon Jezui, sa i fuqishëm mund të bëhet besimi?