Mësimi 5
Cili është qëllimi i Perëndisë për tokën?
Përse e krijoi Jehovai tokën? (1, 2)
Përse tani toka nuk është parajsë? (3)
Çfarë do të ndodhë me njerëzit e ligj? (4)
Çfarë do të bëjë Jezui në të ardhmen për të sëmurët? Të moshuarit? Të vdekurit? (5, 6)
Çfarë duhet të bësh për të marrë pjesë në bekimet e ardhshme? (7)
1. Jehovai e krijoi tokën, në mënyrë që njerëzit të kishin mundësi të gëzonin jetën e përhershme në të. Ai donte që toka të banohej gjithmonë nga njerëz të drejtë dhe të gëzuar. (Psalmi 115:16; Isaia 45:18) Toka nuk do të shkatërrohet kurrë; ajo do të qëndrojë në jetë të jetëve.—Psalmi 104:5; Eklisiastiu 1:4.
2. Para se Perëndia të bënte njeriun, Ai zgjodhi një pjesë të vogël të tokës dhe e ktheu atë në një parajsë të bukur. E quajti kopshti i Edenit. Pikërisht këtu, ai vuri burrin dhe gruan e parë, Adamin dhe Evën. Perëndia kishte për qëllim që ata të kishin fëmijë dhe të mbushnin gjithë tokën. Dalëngadalë, ata do ta kishin kthyer të gjithë tokën në një parajsë.—Zanafilla 1:28; 2:8, 15.
3. Adami dhe Eva mëkatuan, duke shkelur me vullnet ligjin e Perëndisë. Kështu që Jehovai i nxori jashtë kopshtit të Edenit. Parajsa ishte humbur. (Zanafilla 3:1-6, 23) Por Jehovai nuk e ka harruar qëllimin e tij për tokën. Ai premton ta kthejë atë në një parajsë, ku njerëzit do të jetojnë përgjithmonë. Si do ta bëjë ai këtë?—Psalmi 37:29.
4. Para se kjo tokë të bëhet parajsë, duhen shfarosur njerëzit e ligj. (Psalmi 37:38) Kjo gjë do të ndodhë në Harmagedon, që është lufta e Perëndisë për t’i dhënë fund ligësisë. Më pas, Satanai do të burgoset për 1.000 vjet. Kjo do të thotë se asnjë i lig nuk do të lihet për të prishur tokën. Vetëm populli i Perëndisë do të mbijetojë.—Zbulesa 16:14, 16; 20:1-3.
5. Atëherë, Jezu Krishti do të sundojë si Mbret mbi tokën për 1.000 vjet. (Zbulesa 20:6) Pak nga pak, ai do të heqë mëkatin nga mendja dhe trupat tanë. Ne do të bëhemi njerëz të përsosur, ashtu siç ishin Adami dhe Eva para se të mëkatonin. Në atë kohë, nuk do të ketë më sëmundje, plakje dhe vdekje. Njerëzit e sëmurë do të kurohen dhe personat e moshuar do të bëhen përsëri të rinj.—Jobi 33:25; Isaia 33:24; Zbulesa 21:3, 4.
6. Gjatë Mbretërimit Mijëvjeçar të Jezuit, njerëzit besimplotë do të punojnë për ta kthyer gjithë tokën në parajsë. (Luka 23:43) Gjithashtu, mijëra të vdekur do të ringjallen për të jetuar si njerëz në tokë. (Veprat 24:15) Nëse bëjnë atë që Perëndia kërkon prej tyre, ata do të vazhdojnë të jetojnë në tokë për jetë të jetëve. Nëse jo, do të shkatërrohen përgjithmonë.—Gjoni 5:28, 29; Zbulesa 20:11-15.
7. Në këtë mënyrë, qëllimi fillestar i Perëndisë për tokën do të ketë sukses. A do të të pëlqente të merrje pjesë në këto bekime të ardhshme? Nëse po, duhet të vazhdosh të mësosh mbi Jehovain dhe t’u bindesh kërkesave të tij. Pjesëmarrja në mbledhjet në Sallën lokale të Mbretërisë të Dëshmitarëve të Jehovait do të të ndihmojë ta bësh këtë.—Isaia 11:9; Hebrenjve 10:24, 25.
[Figura në faqen 10]
Parajsa e humbur
[Figurat në faqen 11]
Pas Harmagedonit, toka do të kthehet në një parajsë