KAPITULLI 6
Mësuesi i Madh u shërbeu të tjerëve
A TË pëlqen kur dikush bën një gjë të mirë për ty? . . . Edhe të tjerëve u pëlqen kur dikush bën një gjë të mirë për ta. Që të gjithëve na pëlqen. Mësuesi i Madh e dinte këtë dhe gjithnjë bënte gjëra të mira për të tjerët. Ai tha: ‘Unë nuk erdha që të më shërbejnë të tjerët, por që t’u shërbej atyre.’—Mateu 20:28.
Prandaj, ç’duhet të bëjmë në qoftë se duam të jemi si Mësuesi i Madh? . . . Duhet t’u shërbejmë të tjerëve. Duhet të bëjmë gjëra të mira për ta. Është e vërtetë se shumë njerëz nuk e bëjnë këtë. Shumica e njerëzve duan gjithnjë që të tjerët t’u shërbejnë atyre. Dikur edhe dishepujt e Jezuit mendonin kështu. Secili prej tyre donte të ishte më i madhi ose më i rëndësishmi.
Një ditë Jezui po udhëtonte me dishepujt e tij. Pasi hynë në qytetin e Kapernaumit, afër detit të Galilesë, shkuan që të gjithë në një shtëpi. Atje Jezui u bëri një pyetje: «Për çfarë po debatonit rrugës?» Ata s’folën, sepse rrugës kishin debatuar se kush ishte më i madhi.—Marku 9:33, 34.
Jezui e dinte se asnjëri nga dishepujt e tij nuk e kishte mirë që mendonte se ishte më i madhi. Prandaj, siç e pamë në kapitullin e parë të këtij libri, mori një fëmijë të vogël, e vuri mes tyre dhe u tha se duhej të ishin të përulur si ai fëmijë. Por ata nuk mësuan nga kjo. Prandaj, pak para se të vdiste, Jezui u dha një mësim që nuk do ta harronin kurrë. Çfarë bëri? . . .
Kur ishin të gjithë bashkë duke ngrënë bukë, Jezui u ngrit nga tryeza, mori një peshqir dhe e lidhi te mesi. Pastaj mori një legen dhe hodhi ujë në të. Dishepujt e tij ndoshta pyetnin veten se çfarë do të bënte. Ata po shikonin, kur Jezui shkoi te të gjithë një nga një, u ul dhe u lau këmbët. Pastaj ua thau këmbët me peshqir. Mendo pak për këtë. Po të kishe qenë ti atje, si do të ishe ndier? . . .
Dishepujt mendonin se nuk ishte e drejtë që Mësuesi i Madh t’u shërbente atyre në këtë mënyrë. Ndiheshin në siklet. Madje Pjetri nuk donte ta linte Jezuin që t’i shërbente në këtë mënyrë të përulur. Por Jezui tha se ishte e rëndësishme që ta bënte këtë.
Sot zakonisht nuk i lajmë këmbët njëri-tjetrit. Por kjo ishte e zakonshme kur ishte Jezui në tokë. A e di përse? . . . Në vendin ku jetonte Jezui dhe dishepujt e tij, njerëzit në këmbë vishnin vetëm sandale, pa çorape. Prandaj kur ecnin nëpër rrugët me pluhur, këmbët u bëheshin pis. Kur në shtëpi vinte një njeri për vizitë, ishte mirësjellje t’ia laje këmbët për t’i hequr pluhurin.
Por kësaj radhe asnjëri nga dishepujt e Jezuit nuk ishte treguar i gatshëm për t’u larë këmbët të tjerëve. Prandaj Jezui e bëri vetë këtë. Duke vepruar kështu, u dha një mësim të rëndësishëm dishepujve. Ata kishin nevojë për këtë mësim, por edhe ne sot kemi nevojë për të.
Çfarë mësimi u dha Jezui atyre? . . . Pasi shkoi prapë te vendi i tij në tryezë, Jezui u shpjegoi: «A e dini çfarë kam bërë me ju? Ju më quani ‘Mësues’ dhe ‘Zotëri’ dhe mirë thoni, sepse jam i tillë. Prandaj, nëse unë, ndonëse Zotëri dhe Mësues, ju lava këmbët, edhe ju duhet t’ia lani këmbët njëri-tjetrit.»—Gjoni 13:2-14.
Me këtë gjë Mësuesi i Madh tregoi se donte që dishepujt e tij t’i shërbenin njëri-tjetrit. Nuk donte që të mendonin vetëm për vete. Nuk donte të mendonin se ishin kaq të rëndësishëm, saqë të tjerët duhet t’u shërbenin atyre gjithnjë. Donte që ata të ishin të gatshëm t’u shërbenin të tjerëve.
A s’ishte ky një mësim shumë i mirë? . . . A do të jesh edhe ti si Mësuesi i Madh dhe t’u shërbesh të tjerëve? . . . Të gjithë ne mund të bëjmë gjëra të mira për të tjerët. Kjo do t’i bëjë ata të lumtur. Por, mbi të gjitha, do të bëjë të lumtur Jezuin dhe Atin e tij.
Nuk është e vështirë t’u shërbejmë të tjerëve. Po të shikosh me kujdes, do të kuptosh se ka shumë gjëra që mund të bësh për ta. Mendo, për shembull: a mund të bësh ndonjë gjë për të ndihmuar mamanë? Ti e di se ajo bën shumë gjëra për ty dhe për familjen. A mund ta ndihmosh? . . . Pse të mos e pyesësh çfarë të bësh?
Ndoshta mund të shtrosh tryezën para se të uleni për të ngrënë si familje. Ose ndoshta mund ta pastrosh tryezën, duke hequr pjatat pas ngrënies. Disa fëmijë derdhin plehrat çdo ditë. Çfarëdo gjëje që arrin të bësh, ti po u shërben të tjerëve, ashtu si bëri Jezui.
A ke vëllezër më të vegjël e motra më të vogla, të cilëve mund t’u shërbesh? Mos harro se Jezui, Mësuesi i Madh, u shërbeu edhe dishepujve të tij. Kur u shërben vëllezërve më të vegjël e motrave më të vogla, po imiton Jezuin. Çfarë mund të bësh për ta? . . . Ndoshta mund t’i ndihmosh që të mësojnë t’i vënë lodrat nëpër vende pasi të mbarojnë së luajturi. Ose ndoshta mund t’i ndihmosh që të vishen a të rregullojnë krevatin. Të vjen ndër mend ndonjë gjë tjetër që mund të bësh për ta? . . . Ata do të të jenë mirënjohës ngaqë po bën këto gjëra, ashtu si dishepujt e Jezuit i ishin mirënjohës atij.
Edhe në shkollë mund t’u shërbesh të tjerëve, për shembull shokëve të klasës ose mësuesit. Në qoftë se ndonjërit i bien librat nga dora, do të tregoheshe i sjellshëm po ta ndihmoje për t’i ngritur. Mund të tregohesh i gatshëm për të pastruar dërrasën e zezë ose për ta ndihmuar mësuesin me diçka tjetër. Edhe duke mbajtur derën hapur që të kalojnë të tjerët po u shërben atyre me mirësjellje.
Nganjëherë njerëzit nuk do të na falënderojnë që u kemi shërbyer. A mendon se kjo duhet të na pengojë që t’u bëjmë mirë të tjerëve? . . . Jo. Shumë njerëz nuk e falënderuan Jezuin për veprat e tij të mira, por kjo nuk e ndali atë që t’u bënte mirë të tjerëve.
Prandaj, asnjëherë të mos ngurrojmë që t’u shërbejmë të tjerëve. Le ta mbajmë në mend Mësuesin e Madh, Jezuin, dhe të përpiqemi gjithnjë të ndjekim shembullin e tij.
Ka edhe shkrime të tjera që na tregojnë se duhet t’i ndihmojmë të tjerët, për shembull, lexo Proverbat 3:27, 28; Romakëve 15:1, 2 dhe Galatasve 6:2.