PJESA 20
Jezu Krishtin e vrasin
Jezui themelon një kremtim të ri; atë e tradhtojnë dhe e vënë në shtyllë
PASI kaloi tre vjet e gjysmë duke predikuar e mësuar të tjerët, Jezui e kuptoi se jeta e tij në tokë së shpejti do të merrte fund. Udhëheqësit fetarë judenj po kurdisnin plane për ta vrarë, por kishin frikë mos krijohej trazirë në popull, pasi ata e konsideronin profet. Ndërkohë, Satanai shtyu Judë Iskariotin, një nga 12 apostujt, që të tradhtonte Jezuin. Për të bërë këtë, udhëheqësit fetarë i ofruan Judës 30 monedha argjendi.
Natën e fundit para se të vdiste, Jezui u mblodh me apostujt për të kremtuar Pashkën. Pasi largoi Judën, ai themeloi një kremtim të ri, Darkën e Zotërisë. Mori një bukë, bëri një lutje dhe ua kaloi 11 apostujve që kishin mbetur. U tha: «Kjo përfaqëson trupin tim, që do të jepet për ju. Vazhdoni ta bëni këtë në kujtimin tim.» Bëri të njëjtën gjë me një kupë verë dhe tha: «Kjo kupë përfaqëson besëlidhjen e re në bazë të gjakut tim.»—Luka 22:19, 20.
Atë natë Jezui kishte shumë gjëra për t’u thënë apostujve. U dha një urdhërim të ri: të tregonin dashuri altruiste për njëri-tjetrin. U tha: «Nga kjo do ta dinë të gjithë se jeni dishepujt e mi, nëse keni dashuri për njëri-tjetrin.» (Gjoni 13:34, 35) I nxiti të mos e linin zemrën t’u trazohej nga ngjarjet tragjike që do të ndodhnin pas pak. U lut me zjarr për ta. Kënduan lavde së bashku dhe dolën.
Në kopshtin e Getsemanisë, Jezui u ul në gjunjë dhe ia zbrazi zemrën Perëndisë në lutje. Pas pak mbërriti një turmë e armatosur ushtarësh, priftërinj e të tjerë, për ta arrestuar. Juda iu afrua Jezuit dhe e puthi që turma ta dallonte. Ndërsa ushtarët lidhnin Jezuin, apostujt ia mbathën.
Para gjykatës së lartë judaike, Jezui e identifikoi veten si Biri i Perëndisë. Gjykata e shpalli fajtor për blasfemi dhe tha se meritonte dënimin me vdekje. Pastaj Jezuin e çuan te guvernatori romak Ponc Pilati. Ndonëse e nxori të pafajshëm për çdo krim, Pilati ia dorëzoi turmës që kërkonte me britma vdekjen e tij.
Jezuin e çuan në Golgotë, ku ushtarët romakë e gozhduan në një shtyllë. Me një mrekulli, në mes të ditës u bë errësirë e thellë. Më vonë atë pasdite, Jezui vdiq dhe në çast ra një tërmet i madh. Trupin e tij e vunë në një varr të hapur në shkëmb. Ditën vijuese, priftërinjtë e mbyllën varrin me një gur dhe vunë një rojë në hyrje të tij. A do të mbetej në atë varr Jezui? Jo. Pas pak do të ndodhte mrekullia më e madhe e të gjithë kohëve.
—Bazuar te Mateu, kapitujt 26 dhe 27; Marku, kapitujt 14 dhe 15; Luka, kapitujt 22 dhe 23; Gjoni, kapitujt 12 deri 19.
a Për një shqyrtim të vlerës shlyese të vdekjes së Jezuit, shih librin Çfarë mëson vërtet Bibla?, kapitulli 5.