MËSIMI 5
Çfarë do të gjesh në mbledhjet tona?
Shumë njerëz nuk shkojnë më në shërbesa fetare, ngaqë nuk gjejnë udhëheqje shpirtërore ose ngushëllim. Atëherë, pse duhet të shkosh në mbledhjet e Dëshmitarëve të Jehovait? Çfarë do të gjesh atje?
Do të gëzosh mes njerëzve të dashur që interesohen për ty. Në shekullin e parë, të krishterët ishin të organizuar në kongregacione dhe mbanin mbledhje që të adhuronin Perëndinë, të studionin Shkrimet dhe të inkurajonin njëri-tjetrin. (Hebrenjve 10:24, 25) Duke u mbledhur në një atmosferë plot dashuri, e ndienin se ishin mes miqve të vërtetë—vëllezërve të tyre në besim. (2 Selanikasve 1:3; 3 Gjonit 14) Edhe ne ndjekim të njëjtin model dhe provojmë të njëjtin gëzim.
Do të mësosh si t’i zbatosh parimet biblike. Ashtu si në kohët biblike, në mbledhje rrinë bashkë burra, gra e fëmijë. Mësues të kualifikuar përdorin Biblën që të na ndihmojnë të kuptojmë si t’i zbatojmë parimet e saj në jetën e përditshme. (Ligji i përtërirë 31:12; Nehemia 8:8) Të gjithë mund të marrim pjesë gjatë diskutimeve me auditorin dhe të këndojmë. Këto gjëra na japin mundësi ta shprehim shpresën tonë të krishterë.—Hebrenjve 10:23.
Do të të forcohet besimi te Perëndia. Apostulli Pavël i tha një kongregacioni të kohës së tij: «Po digjem nga dëshira që t’ju shoh, . . . që të inkurajojmë njëri-tjetrin, secili me anë të besimit të tjetrit, unë me anë të besimit tuaj dhe ju me anë të besimit tim.» (Romakëve 1:11, 12) Kur shoqërohemi rregullisht me bashkëbesimtarët në mbledhje, na forcohet besimi dhe vendosmëria për të jetuar si të krishterë.
Pse të mos e pranosh ftesën për të ndjekur mbledhjen tonë të ardhshme të kongregacionit që t’i provosh vetë këto gjëra? Do të të mirëpresim me ngrohtësi. Të gjitha mbledhjet janë falas—asnjëherë nuk mblidhen para.
Cili model ndiqet në mbledhjet e kongregacionit?
Si mund të nxjerrim dobi ndërsa ndjekim mbledhjet e krishtere?