KAPITULLI 32
Çfarë është e ligjshme në Sabat?
MATEU 12:9-14 MARKU 3:1-6 LUKA 6:6-11
JEZUI SHËRON NË SABAT NJË BURRË ME DORË TË PARALIZUAR
Një Sabat tjetër, Jezui shkon në një sinagogë, ndoshta në Galile. Atje është një burrë që e ka dorën e djathtë të paralizuar. (Luka 6:6) Skribët dhe farisenjtë po e shikojnë me vëmendje Jezuin. Pse? Qëllimi i tyre del në pah kur e pyesin: «A është e ligjshme të shërosh në Sabat?»—Mateu 12:10.
Krerët fetarë judenj besojnë se në Sabat është e ligjshme të shërosh vetëm nëse dikujt i rrezikohet jeta. Për shembull, të shërosh një gjymtyrë të thyer ose të ndrydhur nuk është e ligjshme, meqë s’është çështje për jetë a vdekje. Faktikisht, skribët dhe farisenjtë nuk po e pyesin Jezuin ngaqë u vjen keq për këtë burrë që po vuan. Përkundrazi, po përpiqen të gjejnë një pretekst që ta akuzojnë.
Gjithsesi, ai e kupton arsyetimin e tyre të shtrembër. E di se pikëpamja e tyre për çka nuk lejohet në Sabat, është ekstreme dhe bie në kundërshtim me Shkrimet. (Eksodi 20:8-10) Nuk është hera e parë që Jezui kritikohet më kot për veprat e mira që bën. Megjithatë, ajo që thotë tani, e ndez situatën. Ai i thotë burrit me dorë të paralizuar: «Ngrihu dhe hajde këtu në mes.»—Marku 3:3.
Duke u kthyer nga skribët dhe farisenjtë, Jezui i pyet: «Po të kishit një dele të vetme dhe ajo të binte në gropë ditën e Sabatit, kush nga ju nuk do ta kapte e ta nxirrte që andej?» (Mateu 12:11) Një dele nënkupton pará, prandaj askush nuk do ta linte në gropë deri ditën tjetër, pasi mund të ngordhte e të sillte humbje financiare. Gjithashtu, Shkrimet thonë: «I drejti kujdeset për kafshët e veta.»—Proverbat 12:10.
Jezui përfundon me këtë paralelizëm të goditur: «Sa më shumë vlen një njeri se një dele! Prandaj është e ligjshme të bësh një të mirë në Sabat.» (Mateu 12:12) Pra, Jezui nuk po shkelte ligjin nëse shëronte këtë burrë në Sabat. Meqë s’e kundërshtojnë dot arsyetimin e tij logjik e të dhembshur, krerët fetarë heshtin.
Pikëpamja e tyre e shtrembër e indinjon dhe e hidhëron Jezuin. Ai sheh përreth dhe i thotë burrit: «Shtrije dorën!» (Mateu 12:13) Ndërsa burri shtrin dorën, ajo shërohet. Sa i lumtur që është! Por si reagojnë ata që po përpiqen ta kapin në gabim Jezuin?
Në vend që të gëzohen që burrit iu shërua dora, farisenjtë dalin dhe nisin të komplotojnë ‘me përkrahësit e partisë së Herodit, që ta vrasin Jezuin’. (Marku 3:6) Kjo parti politike përfshin edhe pjesëtarë të grupit fetar të saducenjve. Megjithëse saducenjtë dhe farisenjtë janë kundërshtarë, në këtë rast bëhen bashkë për ta vrarë Jezuin.