KAPITULLI 96
Jezui i përgjigjet një kreu të pasur
MATEU 19:16-30 MARKU 10:17-31 LUKA 18:18-30
NJË I PASUR PYET PËR JETËN E PËRHERSHME
Jezui është akoma duke udhëtuar drejt Jerusalemit përmes Peresë. Një i ri i pasur vjen me vrap dhe bie në gjunjë para tij. Ai është «një nga krerët», ndoshta i pari i ndonjë sinagoge ose anëtar i Sinedrit. I riu e pyet Jezuin: «Mësues i mirë, çfarë duhet të bëj që të trashëgoj jetën e përhershme?»—Luka 8:41; 18:18; 24:20.
Jezui i përgjigjet: «Pse më quan ‘i mirë’? Askush nuk është i mirë përveç njërit, Perëndisë.» Ndoshta ky i ri e përdor fjalën «i mirë» si titull, siç bëjnë zakonisht rabinët. Por, edhe pse Jezui është mësues i mirë, i tregon të riut se titulli «i mirë» i takon vetëm Jehovait.
Më pas, Jezui e këshillon: «Prandaj, nëse dëshiron të fitosh jetën, vazhdo të zbatosh urdhërimet.» I riu e pyet: «Cilat?» Jezui i citon pesë nga Dhjetë Urdhërimet: mos vrit, mos kryej kurorëshkelje, mos vidh, mos jep dëshmi të rreme dhe ndero prindërit. Pastaj shton një urdhërim më të rëndësishëm: «Duaje të afërmin tënd si veten.»—Mateu 19:17-19.
I riu thotë: «I kam zbatuar të gjitha këto. Çfarë më mungon akoma?» (Mateu 19:20) Ndoshta mendon se duhet të bëjë ndonjë vepër të mirë ose akt heroik që të marrë jetën e përhershme. Jezui e dallon sinqeritetin që ka në zemër, ndaj ‘ndien dashuri për të’. (Marku 10:21) Megjithatë të riun e pengon diçka.
Meqë ky i ri është goxha i lidhur me zotërimet e tij, Jezui i thotë: «Vetëm një gjë të mungon: shko, shit gjithçka që ke dhe jepua paratë të varfërve, e atëherë do të kesh një thesar në qiell. Pastaj eja e bëhu dishepulli im.» Ai mund t’ua japë paratë të varfërve, të cilët s’ia kthejnë dot, dhe të bëhet dishepull i Krishtit. Ndoshta Jezui ndien keqardhje tek e sheh që ngrihet dhe largohet i trishtuar. Kaq i dhënë është pas pasurisë, pas ‘zotërimeve të shumta’, sa nuk e dallon dot thesarin e vërtetë. (Marku 10:21, 22) Jezui thotë: «Sa e vështirë do të jetë për ata që kanë pará të hyjnë në Mbretërinë e Perëndisë!»—Luka 18:24.
Dishepujt habiten kur dëgjojnë këto fjalë dhe ato që thotë më pas Jezui: «Në fakt, është më e lehtë që një deve të kalojë nëpër një vrimë gjilpëre, sesa një i pasur të hyjë në Mbretërinë e Perëndisë.» Ndaj pyesin: «Atëherë kush mund të shpëtojë?» Ata po mendojnë se është e pamundur që dikush të shpëtojë. Por Jezui i shikon në sy dhe u përgjigjet: «Ato që janë të pamundura me njerëzit, janë të mundura me Perëndinë.»—Luka 18:25-27.
Pjetri tregon sa ndryshon zgjedhja e tyre nga ajo e të pasurit, me këto fjalë: «Ja, ne lamë gjithçka dhe të ndoqëm. E ç’do të marrin ne, pra?» Jezui tregon rezultatin e zgjedhjes së tyre të mençur: «Vërtet po ju them se kur të përtërihet krijimi dhe Biri i njeriut të ulet në fronin e tij të lavdishëm, ju që më keni ndjekur, do të uleni në 12 frone dhe do të gjykoni 12 fiset e Izraelit.»—Mateu 19:27, 28.
Është e qartë se Jezui po flet për të ardhmen, kur kushtet në tokë do të përtërihen, siç ishin në fillim në kopshtin e Edenit. Në atë kohë, Pjetri dhe dishepujt e tjerë do të qeverisin me Jezuin mbi Parajsën tokësore, një shpërblim për të cilin ia vlen çdo lloj sakrifice.
Megjithatë, dishepujt po marrin që tani disa shpërblime. Jezui pohon: «Nuk ka njeri që të ketë lënë shtëpi, grua, vëllezër, prindër ose fëmijë për hir të Mbretërisë së Perëndisë, e të mos marrë në këtë kohë shumë herë më tepër, dhe në sistemin që po vjen, jetën e përhershme.»—Luka 18:29, 30.
Po, kudo që të shkojnë, dishepujt do të gjejnë një familje me bashkadhurues dhe do të gëzojnë një miqësi më të fortë e më të çmuar se me familjarët e tyre. Sa keq që ky i ri i pasur s’do ta marrë këtë bekim dhe as do të jetë pjesë e Mbretërisë qiellore të Perëndisë!
Jezui shton: «Por shumë që janë të parët, do të jenë të fundit, dhe të fundit do të jenë të parët.» (Mateu 19:30) Ku e ka fjalën?
Ky i pasur është mes ‘të parëve’, ngaqë është një nga krerët judenj. Meqë i zbaton urdhërimet e Perëndisë, duket se ka shumë potencial që të bëhet dishepull i Krishtit dhe të bëjë shumë vepra të mira. Megjithatë, ai vë në vend të parë pasurinë. Krejt ndryshe, njerëzit e thjeshtë e dallojnë se Jezui mëson të vërtetën dhe udhën drejt jetës. Ata kanë qenë si të thuash «të fundit», por tani do të bëhen «të parët». Në të ardhmen, do të ulen në frone në qiell dhe do të qeverisin tokën parajsore bashkë me Jezuin.