KAPITULLI 114
Krishti mbret gjykon delet dhe cjeptë
JEZUI TREGON ILUSTRIMIN E DELEVE DHE TË CJEPVE
Në Malin e Ullinjve, Jezui sapo ka treguar ilustrimin e dhjetë virgjëreshave dhe të talentave. Po flet ende me apostujt në lidhje me shenjën e pranisë së tij e të përfundimit të sistemit, dhe në fund u tregon ilustrimin për delet dhe cjeptë.
Jezui fillon me përshkrimin e rrethanave ku zhvillohet ngjarja: «Kur Biri i njeriut të vijë në lavdinë e tij, dhe bashkë me të edhe të gjithë engjëjt, atëherë ai do të ulet në fronin e tij të lavdishëm.» (Mateu 25:31) Jezui nuk lë fije dyshimi se është figura kryesore në këtë ilustrim. Ai e ka quajtur shpesh veten «Biri i njeriut».—Mateu 8:20; 9:6; 20:18, 28.
Kur do të përmbushen fjalët e ilustrimit? Kur Jezui «të vijë në lavdinë e tij» bashkë me engjëjt dhe të ulet «në fronin e tij të lavdishëm». Jezui ka folur tashmë për ‘Birin e njeriut që vjen në retë e qiellit me fuqi dhe lavdi të madhe’ dhe me engjëjt e tij. Kur do të ndodhë kjo? «Menjëherë pas shtrëngimit.» (Mateu 24:29-31; Marku 13:26, 27; Luka 21:27) Këto fjalë do të përmbushen kur Jezui të vijë në lavdinë e tij në të ardhmen. Çfarë do të bëjë ai në atë kohë?
Jezui shpjegon: «Kur Biri i njeriut të vijë . . . , tërë kombet do të mblidhen para tij, dhe ai do t’i ndajë njerëzit njërin nga tjetri, ashtu si ndan bariu delet nga cjeptë. Delet do t’i vërë në të djathtë, kurse cjeptë në të majtë.»—Mateu 25:31-33.
Në lidhje me delet, Jezui thotë: «Pastaj Mbreti do t’u thotë atyre në të djathtë: ‘Ejani, ju që u bekuat nga Ati im, trashëgoni Mbretërinë e përgatitur për ju që nga themelimi i botës.’» (Mateu 25:34) Pse delet marrin miratimin e mbretit?
Mbreti shpjegon: «Pata uri dhe më dhatë për të ngrënë, pata etje dhe më dhatë për të pirë. Isha i huaj dhe ju më mirëpritët, isha i zhveshur dhe më veshët. U sëmura dhe u kujdesët për mua. Isha në burg dhe ju erdhët tek unë.» Kur delet, pra «të drejtët», e pyesin se në ç’mënyrë i kanë bërë gjithë këto vepra të mira, ai u përgjigjet: «Nëse i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, i keni bërë edhe për mua.» (Mateu 25:35, 36, 40, 46) Këto vepra të mira nuk i bëjnë në qiell, pasi atje nuk ka as të sëmurë dhe as të uritur. Ndaj duhet të jenë vepra që i bëjnë për vëllezërit e Krishtit në tokë.
Ç’të themi për cjeptë që vihen në të majtë? Jezui thotë: «Atëherë [mbreti] do t’u thotë edhe atyre në të majtë: ‘Largohuni nga unë, ju të mallkuar, në zjarrin e përhershëm të përgatitur për Djallin dhe engjëjt e tij, sepse pata uri, por s’më dhatë asgjë për të ngrënë, pata etje, por s’më dhatë asgjë për të pirë. Isha i huaj, por nuk më mirëpritët, i zhveshur, por nuk më veshët, i sëmurë dhe në burg, por nuk u kujdesët për mua.’» (Mateu 25:41-43) Ky gjykim është i merituar, sepse cjeptë nuk i kanë trajtuar me dashamirësi vëllezërit e Krishtit, siç duhej të bënin.
Apostuj mësojnë se pasojat e gjykimit të ardhshëm do të jenë të përhershme. Jezui vazhdon: «Prandaj [mbreti] do t’u thotë: ‘Vërtet po ju them: nëse nuk i keni bërë këto për një nga vëllezërit e mi më të vegjël, nuk i keni bërë as për mua.’ Ata do të përfundojnë në vdekjen e përhershme, kurse të drejtët do të marrin jetën e përhershme.»—Mateu 25:45, 46.
Përgjigjja që Jezui u jep apostujve i nxit të gjithë dishepujt të mendojnë e të shqyrtojnë qëndrimet e veprimet e tyre.