AGAGU
Emri ose titulli i të paktën dy mbretërve të amalekitëve.
1. Në shprehjen e tij të tretë profetike, Balaami paratha se një mbret i Izraelit do të ngrihej ‘më lart se Agagu, dhe mbretëria e tij do të lartësohej’. (Nu 24:7) Kjo u shpall rreth vitit 1473 p.e.s. dhe pastaj Agagu nuk zihet më në gojë deri në epokën e mbretërimit të Saulit (1117-1078 p.e.s.). Për këtë arsye, disa studiues shtrojnë hipotezën se «agag» ishte një titull i mbretërve amalekitë, i ngjashëm me titullin faraon që përdornin mbretërit e Egjiptit. Ka mundësi të ishte edhe thjesht një emër i përveçëm që përdorej dendur. Sidoqoftë, mënyra si foli Balaami për Agagun tregon se në atë kohë mbretëria e tij ishte e fuqishme.—Nu 24:20; shih AMALEKU, AMALEKITËT.
2. Mbreti i Amalekut që u mund nga mbreti Saul, në përmbushje të dekretit të Jehovait. (Da 17:14; Lp 25:17-19; 1Sa 15:1-7) Megjithatë, Sauli nuk e ekzekutoi Agagun dhe lejoi që populli të mbante një pjesë të plaçkës së luftës. Si pasojë, Samueli shpalli se Perëndia e kishte hedhur poshtë Saulin si mbret. (1Sa 15:8-29) Pastaj Agagun e ekzekutoi Samueli, i cili i tha: «Ashtu si shpata jote ka lënë gra pa fëmijë, po kështu nëna jote do të mbetet pa fëmijë mes grave.»—1Sa 15:32, 33; krahaso Gjy 1:5-7.