AKANI
Dy emra hebraikë me shqiptim dhe kuptim të ndryshëm që transliterohen në të njëjtën mënyrë në shqip.
1. Një nga tre bijtë e sheikut Ezer, seiritit; përmendet i fundit. (Zn 36:20, 21, 27) Te 1 Kronikave 1:42 teksti masoretik e ka «Jakan», kurse Septuaginta greke (Kodiku Aleksandrin) dhe 22 dorëshkrime hebraike e kanë «Akan» në përputhje me Zanafillën 36:27.
2. [Në heb., ky emër lidhet nëpërmjet një loje fjalësh me emrin Ahar që do të thotë «ai që sjell telashe».] Biri i Karmit nga shtëpia e Zabdit, nga familja e Zerahut, nga fisi i Judës; quhet edhe Ahar.—1Kr 2:7.
Kur kaluan Jordanin, Jehovai i urdhëroi shprehimisht izraelitët që frytin e parë të pushtimeve, qytetin e Jerikosë, ‘ta shkatërronin pasi i përkiste Jehovait’. Argjendi dhe ari i tij duhej të shkonin në thesarin e Jehovait. (Js 6:17, 19) Mirëpo Akani gjeti dhe groposi poshtë tendës së tij një veshje të kushtueshme nga Shinari, një shufër ari me peshë 50 sikla (me vlerë rreth 6.400 dollarë) dhe 200 sikla argjendi (440 dollarë). (Js 7:21) Faktikisht, ai kishte vjedhur Perëndinë! Meqenëse urdhri i tij i qartë ishte shkelur, Jehovai nuk i bekoi izraelitët kur sulmuan qytetin tjetër, Ain, dhe Izraeli u detyrua t’ia mbathte. Kush ishte fajtori? Përderisa askush nuk e pranoi fajin, gjithë Izraeli kaloi në shoshë. Ata kaluan para Jehovait fis më fis, e më pas, nga fisi i Judës familje më familje dhe, në fund, kaluan burrat e shtëpisë së Zabdit njëri pas tjetrit, derisa «u zgjodh» Akani. (Js 7:4-18) Vetëm atëherë ai e pranoi mëkatin. Dënimi nuk vonoi. Akanin, familjen (që zor të mos kish qenë në dijeni të asaj që kishte bërë ai) dhe kopenë e tij fillimisht i vranë me gurë e pastaj i dogjën bashkë me gjithë zotërimet e tij, në ultësirën e Akorit që do të thotë «telash».—Js 7:19-26.