AMNONI
[i besueshëm; besnik; që zgjat].
1. Djali i parëlindur i Davidit; lindi në Hebron nga jezrelitja Ahinoami.—2Sa 3:2; 1Kr 3:1.
Amnoni u marros pas Tamarës së bukur, motrës së Absalomit, sa u dogj nga dashuria. Ai bëri si e këshilloi kushëriri i tij, Jehonadabi; u shtir si i sëmurë dhe e bindi mbretin David t’ia dërgonte Tamarën në shtëpi që t’i bënte «bukë ngushëllimi» para syve. Pastaj e përdhunoi gjysmëmotrën e tij, sado që ajo iu përgjërua dhe u mundua të arsyetonte me të që të mos ia bënte këtë të keqe. Rasti i tij tregon deri në ç’pikë mund të jetë egoiste dashuria erotike, sepse, pasi kënaqi dëshirën e tij, Amnoni e nxori Tamarën në rrugë si një njeri që i ngjallte neveri, dhe vetëm prania e saj me siguri e bënte të ndihej i ndotur.—2Sa 13:1-19.
Absalomi, vëlla i një barku me Tamarën, e urrente Amnonin për atë që bëri dhe, dy vjet më vonë, në festën e organizuar për qethjen e deleve, urdhëroi shërbëtorët e tij që ta vritnin kur ‘të vinte në qejf nga vera’. (2Sa 13:20-29) Përderisa Amnonit, djalit më të madh të Davidit, i takonte të trashëgonte fronin, Absalomi mund ta ketë dëshiruar vdekjen e tij, pasi kjo ia rriste mundësitë për të fituar fronin. Me këtë ngjarje filloi të përmbushej profecia që shpalli Natani pas kurorëshkeljes së Davidit me gruan e Uriahut.—2Sa 12:10; shih ABSALOMI.
2. Një nga katër bijtë e Shimonit nga fisi i Judës; ai renditet i pari.—1Kr 4:1, 20.