LUGINA E PËRROIT TË ARABAHUT
Tek Amosi 6:14, profeti e paralajmëron mbretërinë e Judës dhe atë të Izraelit se një fuqi e huaj do ta shtypë vendin që nga ‘Hamathi deri te lugina e përroit të Arabahut [rrafshinës së shkretë]’. (Krahaso 2Mb 14:25.) Ndonëse «Arabah» quhet mbarë Lugina e Riftit që nga deti i Galilesë deri në Detin e Kuq, këtu ky emër përdoret në veçanti për zonën në jug të Detit të Vdekur deri në gjirin e ʽAkabës. Kështu, edhe pse shprehja «lugina e përroit të Arabahut» mund të nënkuptojë një vad si lugina e përroit të Zeredit, që derdhet në skajin jugor të Detit të Vdekur (‘deti Arabah’, Lp 3:17), vlen të përmendet se shprehja e përdorur nga Amosi është identike me emrin në arabisht të rajonit që nga skaji jugor i Detit të Vdekur deri në gjirin e ʽAkabës, pra «Vadi-el-ʽArabah». Profecia e Amosit tregonte se do të pushtohej tërë vendi që zotëronte dikur Juda dhe Izraeli, nga veriu në jug. Shekullin pasues, pushtimet që bënë mbretërit asirianë, ndër të cilët Tiglath-Pileseri III, Shalmaneseri V, Sargoni II dhe Senakeribi, e plotësuan këtë profeci.