ATHINA
[lidhet me emrin e perëndeshës Athina].
Kryeqyteti i sotëm i Greqisë dhe qyteti më i shquar i saj gjatë antikitetit. Ndodhet në skajin jugor të rrafshinës së Atikës, rreth 8 km larg detit Egje, dhe furnizohet nga porti fqinj i Pireut, me të cilin në epokën para krishterimit lidhej nëpërmjet mureve të gjata, thuajse paralele. Pozita gjeografike e qytetit ndikoi mjaft në vendin e rëndësishëm që zuri në histori. Malet përqark qytetit krijonin një mbrojtje natyrore dhe qafat e maleve ndodheshin aq larg, sa e bënin të pamundur ndonjë sulm të befasishëm nga toka. Gjithashtu, ishte aq larg detit, sa nuk rrezikohej nga sulmet e flotave armike, ndërkohë që nga qyteti shkohej kollaj në tri limanet natyrore të Pireut fqinj.
Qendër kulturore dhe fetare. Ndonëse në shekullin e pestë p.e.s. Athina gëzonte njëfarë fame ushtarake si kryeqytet i një perandorie të vogël dhe si fuqi ushtarako-detare, ajo shquhej kryesisht si qendra e dijes, e letërsisë dhe artit grek. U bë qytet universitar plot profesorë, pedagogë e filozofë. Po ashtu, ishte qyteti i filozofëve me emër, si Sokrati, Platoni dhe Aristoteli. Atje u hapën katër shkolla filozofike—platonike, peripatetike (aristoteliane), epikuriane dhe stoike (Ve 17:18)—që në epokën romake i ndiqnin studentë nga të katër anët e perandorisë.
Athina ishte edhe një qytet mjaft fetar, e kjo e nxiti apostullin Pavël të thoshte se athinasit dukeshin «më të dhënë se të tjerët pas frikës nga hyjnitë». (Ve 17:22) Sipas historianit Jozef, athinasit ishin ‘grekët më të devotshëm’. (Kundër Apionit, II, 130 [12]) Shteti e kishte nën kontroll fenë dhe e inkurajonte duke paguar flijimet publike, ritet dhe procesionet për nder të perëndive. Idhujt i gjeje nëpër tempuj, në sheshe e në rrugë, dhe njerëzit u luteshin rregullisht perëndive para «gostive» intelektuale që ata i quanin simpoziume, para kuvendeve politike dhe garave sportive. Për të mos fyer ndonjë perëndi, athinasit madje i kishin ngritur altarë edhe «Një Perëndie të Panjohur», siç vëren Pavli te Veprat 17:23. Gjeografi Pauzania i shekullit të dytë e vërteton këtë duke shpjeguar se, teksa udhëtonte nga limani i gjirit të Faleronit për në Athinë (rrugë që ndoshta e përshkoi edhe Pavli kur vajti atje), vuri re «altarë të perëndive të quajtur të Panjohur dhe të heronjve».—Përshkrim i Greqisë, Atika, I, 4.
Historia e lashtë. Qyteti shtrihej përqark Akropolit, një kodër katërkëndëshe rreth 150 m e lartë, me shpate të thepisura në tri anë. (FIGURA, vëll. 2, f. 749 në botimin anglisht) Në shekullin e shtatë p.e.s., atje qeverisnin fisnikët ose aristokratët e quajtur eupatridë, të cilët kishin monopolin e pushtetit politik dhe udhëhiqnin Areopagun, gjykatën më të lartë penale të asaj epoke. Mirëpo, në fillim të shekullit të gjashtë p.e.s., një ligjvënës me emrin Solon bëri reforma kushtetuese që ia përmirësuan jetën të varfërve dhe hodhën themelin e një qeverie demokratike. Gjithsesi, demokracia ishte vetëm për shtetasit e lirë, ndërsa një pjesë e madhe e popullsisë përbëhej nga skllevër.
Pas fitoreve kundër persëve në shekullin e pestë p.e.s., Athina u bë kryeqyteti i një perandorie të vogël. Ajo kishte nën kontroll thuajse gjithë zonën bregdetare të detit Egje dhe tregtia e ndikimi i saj u shtrinë nga Italia e Sicilia në perëndim deri në Qipro e Siri në lindje. Me arritjet e shkëlqyera në letërsi e art, qyteti u bë kryeqendra kulturore e botës antike. Në atë kohë u ngritën shumë ndërtesa publike të bukura e tempuj, si Partenoni (tempulli i Athinasë) dhe Erekteu, rrënojat e të cilëve mund të shihen ende majë Akropolit në Athinën e sotme. Partenoni konsiderohej monumenti kryesor arkitektonik i fesë së lashtë pagane dhe zbukurohej nga një statujë e Athinasë prej ari e fildishi, 12 m e lartë.
Por këto objekte të bukura nuk u sollën kurrfarë dobie frymore athinasve, sepse perënditë e perëndeshat që nderoheshin atje, përshkruheshin në mitologjinë greke sikur kryenin çdo vepër imorale e kriminale të njohur nga njeriu. Në fakt, në ditët e Pavlit, filozofi grek Apolon i kritikoi athinasit për vallet e orgjitë në festën e Dionisit (Bakut) dhe për entuziazmin e tyre kur derdhej gjak njeriu në ndeshjet e gladiatorëve.
Shteti i Athinës u shpërbë pas disfatës me spartanët në Luftën e Peloponezit, në fund të shekullit të pestë p.e.s., por për hir të kulturës së qytetit, pushtuesit treguan mëshirë dhe nuk e rrënuan plotësisht. Në vitin 86 p.e.s., qytetin e pushtuan romakët dhe aktivitetet tregtare e industriale u ndalën; kështu në kohën që jetuan në Palestinë Jezui dhe të krishterët e parë, rëndësia e Athinës qëndronte kryesisht në universitetet dhe shkollat e saj filozofike.
Veprimtaria e Pavlit në Athinë. Rreth vitit 50 të e.s. apostulli Pavël vizitoi Athinën gjatë udhëtimit të dytë misionar. Ai kishte lënë pas në Bere Silën dhe Timoteun, që duhej ta ndiqnin sa më parë të mundeshin. (Ve 17:13-15) Tek priste ata, Pavli ziente përbrenda ndërsa shihte sa shumë perëndi të rreme adhuroheshin në qytet, prandaj nisi të arsyetonte me njerëzit edhe në sinagogën e judenjve, edhe në sheshin e pazarit. (Ve 17:16, 17) Vitet e fundit, gërmimet e bëra nga Shkolla Amerikane e Studimeve Klasike e kanë nxjerrë plotësisht në dritë këtë shesh pazari ose agorë, që ndodhet në veriperëndim të Akropolit. Duket se agora nuk ishte thjesht një vend ku bëhej tregti, por edhe një vend ku rriheshin mendime dhe trajtoheshin çështje administrative të qytetit. Kureshtja e athinasve, e përshkruar te Veprat 17:18-21, duket në kritikat e Demostenit ndaj bashkëqytetarëve athinas, që vdisnin të vinin vërdallë në sheshin e pazarit duke pyetur pareshtur: «Ç’të reja kemi?»
Ndërsa Pavli ndodhej në sheshin e pazarit, e provokuan me fjalë disa filozofë stoikë dhe epikurianë, që e shihnin me dyshim si «lajmëtar hyjnish të huaja». (Ve 17:18) Në Perandorinë Romake kishte lloj-lloj fesh, por ligji greko-romak e ndalonte futjen e perëndive të huaja dhe të zakoneve të reja fetare, sidomos kur këto binin ndesh me fenë e vendit. Në qytetin e Filipisë që ndiqte zakonet romake, Pavli hasi vështirësi për shkak të intolerancës fetare. (Ve 16:19-24) Banorët e Athinës ishin më skeptikë dhe më tolerantë se filipianët, por prapëseprapë kishin merak si mund të ndikonte ai mësim i ri te siguria e shtetit. Pavlin e çuan në Areopag, mirëpo s’mund të thuhet prerazi nëse foli apo jo para gjykatës së atjeshme. Disa pohojnë se në kohën e Pavlit gjykata nuk mblidhej më lart në kodër, por në agorë.
Dëshmia tërë gojëtari e Pavlit para burrave të ditur të Athinës na mëson shumë si të flasim me takt dhe si të tregojmë aftësi dalluese. Ai shpjegoi se nuk po predikonte rreth ndonjë hyjnie të re, por rreth Krijuesit të qiellit e të tokës dhe përmendi me takt ‘Perëndinë e Panjohur’, altarin e të cilit e kishte parë. Madje citoi edhe nga vepra Fenomenet e Aratit, një poet nga Kilikia, dhe nga Himn për Zeusin e Kleanthit. (Ve 17:22-31) Edhe pse shumica e vunë në lojë, disa athinas u bënë besimtarë, mes të cilëve edhe Dionisi, gjykatës i Areopagut, dhe një grua që quhej Damaris.—Ve 17:32-34.
Ndoshta Timoteu e arriti Pavlin në Athinë dhe pastaj iu tha të udhëtonte për në Selanik; por ka më shumë të ngjarë që Pavli t’i ketë çuar fjalë Timoteut në Bere që të bënte atë udhëtim, e kështu mbeti i vetëm në Athinë. Duket se vetën e parë shumës te 1 Selanikasve 3:1, 2 Pavli e përdor si shumës të autorit, pra, thjesht nënkuptonte veten. (Krahaso 1Se 2:18; 3:6.) Nëse ishte kështu, atëherë Pavli është nisur i vetëm nga Athina për në Korint, ku shkuan së fundi edhe Sila e Timoteu. (Ve 18:5) Ka mundësi që Pavli të ketë vajtur prapë në Athinë gjatë udhëtimit të tretë misionar (viti 55 ose 56 i e.s.), meqë Bibla thotë se atëherë ai kaloi tre muaj në Greqi.—Ve 20:2, 3.
[Figura në botimin e shtypur]
Athina e sotme ku spikat kodra e Likabetit