BIBLIOTEKA ONLINE Watchtower
Watchtower
BIBLIOTEKA ONLINE
shqip
Ë
  • Ë
  • ë
  • Ç
  • ç
  • BIBLA
  • BOTIME
  • MBLEDHJE
  • it “Eufrati”
  • Eufrati

Nuk ka video për këtë zgjedhje.

Na vjen keq, ka një problem në ngarkimin e videos

  • Eufrati
  • Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Material i ngjashëm
  • Hidekeli
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
  • Izraeli e harroi Jehovain
    Jeta dhe shërbimi ynë i krishterë—Fletëstudimi për mbledhje—2017
  • Udhëtimi i gjatë për në Babiloni
    Jehovai rivendos adhurimin e pastër!
  • Karkemishi
    Gjykim i thellë nga Shkrimet
Shih më tepër
Gjykim i thellë nga Shkrimet
it “Eufrati”

EUFRATI

Lumi më i gjatë dhe më i rëndësishëm i Azisë Jugperëndimore, i quajtur Firat Nehri në turqisht, emër që ngjason shumë me atë në hebraisht Peráth dhe në persishten e vjetër Ufratu. Përmendet për herë të parë te Zanafilla 2:14 si një prej katër lumenjve që buronin dikur nga Edeni.

Caku i territorit caktuar Izraelit. Kur bëri besëlidhjen me Abrahamin, Perëndia tha se do t’i jepte farës së Abrahamit vendin «nga lumi i Egjiptit deri në lumin e madh, lumin Eufrat». (Zn 15:18) Ky premtim iu përsërit kombit të Izraelit. (Da 23:31; Lp 1:7, 8; 11:24; Js 1:4) Te 1 Kronikave 5:9 tregohet se, para mbretërimit të Davidit, disa pasardhës të Rubenit banonin «deri në të hyrë të shkretëtirës, në lumin Eufrat». Gjithsesi, meqë Eufrati është rreth 800 km larg nëse udhëton «në lindje të Galaadit» (1Kr 5:10), kjo mund të nënkuptojë thjesht që rubenitët e shtrinë territorin e tyre në lindje të Galaadit deri buzë shkretëtirës së Sirisë, e cila shkon deri në Eufrat. (Dio thotë «deri në fillim të shkretëtirës nga kjo anë e lumit Eufrat»; DSF, «deri në hyrje të shkretëtirës që kufizohet me lumin Eufrat».) Pra, duket se premtimi i Jehovait u përmbush plotësisht për të parën herë gjatë mbretërimit të Davidit dhe atij të Solomonit, kur territori i Izraelit përfshiu mbretërinë aramaite të Zobahut, e kështu kufijtë u shtrinë deri në brigjet e Eufratit, me sa duket duke kaluar nëpër Sirinë Veriore. (2Sa 8:3; 1Mb 4:21; 1Kr 18:3-8; 2Kr 9:26) Prej rëndësisë që kishte, shpesh Eufrati quhej thjesht «Lumi».​—Js 24:2, 15; Ps 72:8.

Burimet dhe rrjedha. Me një gjatësi afro 2.700 km, Eufrati ka dy burime kryesore. Njëri prej tyre, i quajtur Kara su, zë fill në Turqinë Verilindore, afro 100 km nga skaji juglindor i Detit të Zi. Tjetri, Murat-Nehri, buron diku në gjysmë të rrugës mes liqenit Van dhe malit Ararat. Midis dy lumenjve shtrihet lugina e lumit Araks që, sipas disave, është lumi Gihon i Zanafillës 2:13. Kara su dhe Murat-Nehri rrjedhin thuajse paralel me njëri-tjetrin drejt perëndimit derisa bashkohen afër qytetit të Kebanit, në një lartësi rreth 610 m mbi nivelin e detit.

Që atje, nga dy rrjedhat formohet Eufrati. Pasi ka përshkuar rreth 640 km nëpër terren malor që nga vendburimi i Murat-Nehrit, lumi kthen drejt jugut. Për afro 480 km, rrjedha e tij ndërpritet nga ujëvara e pragje të rrëmbyera, gjersa del më në fund në rrafshinën e Sirisë, afër vendndodhjes së Karkemishit të lashtë.

Vau në Karkemish. Karkemishi mbronte vaun kryesor ku kalonin ushtritë e karvanët që rrugëtonin nga Mesopotamia Veriore për në Sirinë Veriore. Ishte qytet i rëndësishëm i fortifikuar që më pas u vu nën zgjedhën e Asirisë. (Is 10:5-9) Faraoni Neko e mori qytetin rreth vitit 629 p.e.s. Ndërsa marshonte për atje, u ndesh me ushtrinë e Josisë në Megido dhe e vrau mbretin e Judës. (2Mb 23:29; 2Kr 35:20-24) Pas 3-4 vjetësh (625 p.e.s.), trupat e Nabukodonosorit kaluan Eufratin dhe i mundën egjiptianët në Karkemish, e kështu nisi rënia përfundimtare e epërsisë së Egjiptit në Siri dhe Palestinë.​—Jr 46:2, 6, 10; 2Mb 24:7.

Nga Karkemishi në Gjirin Persik. Pranë Karkemishit, Eufrati është vetëm nja 160 km larg detit Mesdhe; megjithatë, pastaj lumi merr një kthesë dhe rrjedh drejt juglindjes, duke u drejtuar për në Gjirin Persik mbi 1.100 km larg. Rrjedha «e mesme» e Eufratit zbret nga Karkemishi në qytetin e Hitit, në zonën e puseve të bitumit, ku fryhet nga ujërat e lumenjve Balik dhe Kabur. Përtej Hitit, lumi rrjedh nëpër rrafshinën pjellore të Mesopotamisë dhe, afro 80 km poshtë Hitit, në afërsi të Bagdadit, është vetëm 40 km larg lumit Tigër. Në këtë pjesë të poshtme, lumi Eufrat shpërhapet nëpër kënetat e paana dhe kanalet e prishura, e rrjedha e tij bëhet e plogët.

Eufrati dhe Tigri më në fund bashkohen afër Basrës dhe, nga kjo pikë deri në gjirin Persik, lumi i formuar njihet me emrin Shat-al-Arab. Sipas Plinit dhe historianëve të tjerë të lashtësisë, në fillim Eufrati dhe Tigri kishin grykëderdhje të ndryshme në det. (Historia e natyrës, VI, XXVI, 128-131) Në përgjithësi mendohet se lymi i depozituar nga dy lumenjtë krijoi deltën në skajin e sipërm të Gjirit Persik dhe se fillimisht vija bregdetare shtrihej shumë më në veri, ndoshta deri në qytetin e lashtë të Urit të kaldeasve, vendbanimi i parë i Abrahamit.

Ujërat e Eufratit bien në nivelin më të ulët në shtator dhe pastaj ngrihen pareshtur deri në maj, kur arrijnë kulmin. Në pranverë, shkrirja e borës shkakton përmbytje. Pa dyshim që vërshimi i përvitshëm i Eufratit dhe i Tigrit duhet të jetë arsyeja pse Isaia e përshkroi Babiloninë si ‘shkretëtira e detit’. (Is 21:1, 2) Në kohët e lashta, këto përmbytje mbaheshin në fre me anë të ledheve e pritave që ia ndërronin drejtimin ujërave për në kanale vaditëse dhe rezervuarë. Kanalet formonin një rrjet vaditës mes Eufratit dhe Tigrit, që e bënte të begatë thuajse krejt Babiloninë e Poshtme. Me kalimin e shekujve, kanalet në përgjithësi janë bllokuar, duke i sjellë dëme bujqësisë; edhe grumbullimi i kripërave në dhé për shkak të ujërave të vaditjes ka ndikuar dalëngadalë në rrënimin e luginës dikur pjellore.

Qytetet kryesore. Përgjatë brigjeve të Eufratit ndodheshin shumë qytete të lashta, si: Uri, Ereku, Kishi dhe Babilonia. Me sa duket, rrjedha e lumit është zhvendosur disi më në perëndim, prandaj shumica e këtyre vendeve tani gjenden disa kilometra në lindje të tij.

Qyteti i madh i Babilonisë ishte ndërtuar në mënyrë të tillë që Eufrati të kalonte përmes tij. Ujërat e lumit u përdorën për të mbushur një hendek të gjerë e të thellë që rrethonte qytetin dhe për të krijuar një rrjet kanalesh brenda mureve të qytetit. Në vitin 539 p.e.s., kur ra Babilonia, Kiri u ndërroi drejtimin ujërave të Eufratit, që trupat e tij të kalonin nëpër shtratin e lumit dhe të hynin në qytetin që as e priste fare rrezikun. Pra, ujërat e Eufratit ‘u thanë’. (Is 44:27, 28; 45:1) Në kuptimin simbolik, është profetizuar se e njëjta gjë ndodh pasi engjëlli i gjashtë derdh «kupën» mbi «lumin e madh Eufrat», siç tregohet në Zbulesën 16:12. Kapitulli vijues përshkruan shkatërrimin e ‘Babilonisë së Madhe’ simbolike, e cila «rri ulur mbi shumë ujëra» që përfaqësojnë «popuj, turma, kombe dhe gjuhë».​—Zb 17:1, 5, 15-18.

Kufi; udhëtimi i Jeremisë. Në rajonin e Palestinës dhe Sirisë, për të cilin luftonin Egjipti e Babilonia, lumi Eufrat ishte kufiri verior. Po ashtu, në epokën e Perandorisë Perse, ai ndante Lindjen nga Perëndimi, siç e tregon shprehja «matanë Lumit». (Ezd 4:10, 11; 5:3; 6:6; Ne 2:7) Me kohë, Eufrati u bë edhe kufiri lindor i Perandorisë Romake.

Shkrimi i Jeremisë 13:1-7 ka qenë objekt debatesh, pasi për të shkuar nga Jerusalemi deri në lumin Eufrat—qoftë edhe deri në pikën më të afërt në jug të Karkemishit—Jeremisë i duhej të bënte mbi 500 km vetëm në rrugën e vajtjes, dhe vargjet tregojnë se duhet ta ketë bërë dy herë këtë udhëtim (edhe pse nuk thuhet gjë pas sa kohe). Një përkthim nga Jewish Publication Society thjesht transliteron fjalën hebraike «Perath» dhe disa hedhin idenë se nuk bëhet fjalë për Eufratin, por për qytetin e Parahut (Js 18:23) afër Anatothit, pak kilometra larg Jerusalemit. Sidoqoftë, përsëritja katër herë e emrit Peráth (Eufrat) patjetër që tregon se vendi i përmendur luante rol të rëndësishëm në atë tablo profetike, kurse qyteza e humbur e Parahut zor se do t’i jepte ndonjë domethënie të veçantë asaj ngjarjeje. Disa theksojnë se në këtë shkrim nuk përdoret fjala hebraike nahár (lumë) bashkë me Peráth. Megjithatë, ajo mungon edhe te Jeremia 51:63, ku është e qartë se flitet për lumin Eufrat. Pra, duket që nuk ka asnjë arsye të fortë për t’u hamendur se në tregimin e Jeremisë 13:1-7 nuk bëhet fjalë për lumin Eufrat.

Ka shumë mundësi që vendi pranë lumit ku fshehu rripin Jeremia, të ishte pak a shumë në zonën ku forcat babilonase nën komandën e Nabukodonosorit kaluan Eufratin në marshimin që përfundoi me shkretimin e Judës dhe të Jerusalemit. Sido që të jetë, udhëtimi i Jeremisë deri në Eufrat (a ndoshta dy udhëtimet) sigurisht që do t’i ketë dhënë peshë të madhe mesazhit paralajmërues që duhej t’i përcillte ai veprim popullit të korruptuar frymësisht të mbretërisë së Judës.​—Krahaso Jr 2:18, 19.

    Botimet shqip (1993-2026)
    Shkëputu
    Hyr me identifikim
    • shqip
    • Dërgo
    • Parametrat
    • Copyright © 2026 Watch Tower Bible and Tract Society of Pennsylvania
    • Kushtet e përdorimit
    • Politika e privatësisë
    • Parametrat e privatësisë
    • JW.ORG
    • Hyr me identifikim
    Dërgo