HAZORI
[oborr; vendbanim].
1. Qyteti kryesor i Kanaanit Verior në kohën kur vendin e pushtoi Izraeli nën komandën e Josiut. (Js 11:10) Mendohet se ishte Tell-el-Kedahu (Tel-Hazori), rreth 11 km në jug-juglindje të vendndodhjes së mundshme të Kedeshit. Sipas arkeologut Jigael Jadin që drejtoi gërmimet atje në vitet 1955-1958 dhe 1968-1969, Hazori i epokës së Josiut zinte një sipërfaqe afro 60 ha dhe mund të mbante 25.000 deri në 30.000 banorë.
Jabini, mbreti i Hazorit, u priu ushtrive aleate të Kanaanit Verior në luftë kundër Josiut, por pësoi një humbje poshtëruese. Hazorit iu vu zjarri dhe ishte i vetmi që u dogj ndër qytetet e ndërtuara mbi kodrina në atë zonë. (Js 11:1-13) Edhe pse më pas iu caktua fisit të Neftalit (Js 19:32, 35, 36), në kohën e Deborës dhe Barakut ishte selia e një tjetër mbreti të fuqishëm kananit, i quajtur edhe ai Jabin.—Gjy 4:2, 17; 1Sa 12:9.
Në një periudhë të mëvonshme, Hazorin, si edhe Gezerin e Megidon, i fortifikoi mbreti Solomon. (1Mb 9:15) Zbulimet arkeologjike tregojnë se portat e këtyre tri qyteteve kishin ndërtim të ngjashëm. Ja çfarë shkruan Jigael Jadini për gërmimet në Hazor: «Kur porta e këtij muri nisi të shquhej mes pluhurit e dheut që po hiqeshin me kujdes, mbetëm gojëhapur nga ngjashmëria e saj me ‘Portën e Solomonit’ të zbuluar në Megido. Para se të vijonim gërmimet, piketuam vendin sipas një plani të përafërt të portës, të bazuar te porta e Megidos. Pas kësaj, u thamë punëtorëve të vazhdonin të hiqnin dheun e gurët sipër saj. Kur mbaruan punë, na shihnin të çuditur, si të ishim magjistarë a falltarë. Në fakt, para nesh gjendej porta që kishim skicuar përtokë, një kopje e përsosur e portës së Megidos. Kjo provoi jo vetëm se të dyja portat i kishte ndërtuar Solomoni, por edhe se ishin bërë të dyja sipas të njëjtit projekt.»—The Art of Warfare in Biblical Lands, 1963, vëll. II, f. 288.
Më shumë se 200 vjet pas vdekjes së Solomonit, kur në Izrael mbretëronte Pekahu, mbreti asirian Tiglath-Pileseri III e pushtoi Hazorin dhe i çoi në mërgim banorët e tij.—2Mb 15:29.
2. Qytet në Negeb që i përkiste fisit të Judës. Ndoshta ka lidhje me El Jebarijehun, që gjendet rreth 24 km në lindje-verilindje të vendndodhjes së mundshme të Kadesh-Barneas (mbase Kedeshi).—Js 15:21, 23.
3. Një emër tjetër i Keriot-Hezronit, një qytet i Judës që zakonisht e lidhin me Kirbet-el-Karjateinin (Tel-Kerijotin), rreth 20 km në jug të Hebronit.—Js 15:21, 25.
4. Qytet në territorin e Beniaminit. (Ne 11:31, 33) Është hedhur ideja se ishte Kirbet-Hazuri, rreth 7 km në veriperëndim të Malit të Tempullit në Jerusalem.
5. Rajon në shkretëtirën e Arabisë, në lindje të Jordanit. Profecia e Jeremisë tregonte se do ta plaçkiste mbreti Nabukodrezar (Nabukodonosor) i Babilonisë.—Jr 49:28-33.
[Figura në botimin e shtypur]
Rrënoja të portave në Hazor që duket se i përkasin kohës së Solomonit