KRYESIA
Parimi bazë i kryesisë gjendet te 1 Korintasve 11:3: «Kreu i çdo burri është Krishti, kreu i gruas është burri, dhe kreu i Krishtit është Perëndia.»
Vendi i burrit. Pjesa e parë e kësaj këshille për kryesinë flet për burrin; ai nuk është i pavarur dhe ka nevojë të pranojë se ka një ‘krye’. Burri është i detyruar të ndjekë udhëzimet dhe modelin që la kreu i tij, Krishti. (1Gjo 2:6) Kjo nuk vlen vetëm për aktivitetet e tij fetare (Mt 28:19, 20), por edhe për ato personale. Për shembull, nëse është familjar, nga respekti për kreun, Krishtin, ai duhet të ndjekë këshillën që të banojë me gruan e tij sipas njohurisë, ‘duke e nderuar si një enë më të dobët’; gjithashtu, do të përpiqet me gjithë shpirt që t’i stërvitë fëmijët siç duhet. (1Pj 3:7; Ef 6:4) Kjo këshillë u shkrua në Bibël për të gjithë pjesëtarët e kongregacionit të Krishtit; pra, zbatimi i saj nënkupton respekt për parimin e kryesisë.—Ef 5:23.
Përderisa u krijua i pari, burrit i është dhënë një rol parësor kundrejt gruas. (1Ti 2:12, 13) Gruaja u bë nga një brinjë që u mor nga burri dhe ishte kockë e kockave të tij e mish i mishit të tij. (Zn 2:22, 23) Ajo u krijua për hir të burrit dhe jo burri për hir të gruas. (1Ko 11:9) Prandaj, Perëndia e organizoi familjen në atë mënyrë që gruaja të ishte gjithnjë e nënshtruar ndaj të shoqit e të mos merrte autoritetin e tij. (Ef 5:22, 23; 1Pj 3:1) Po ashtu, në kongregacionin e krishterë gruaja nuk i mëson pjesëtarët meshkuj të kushtuar dhe nuk ushtron autoritet mbi ta.—1Ti 2:12.
Hebrenjtë e lashtë e pranonin pozitën më të lartë që kishte burri në familje dhe brenda fisit. Sara ishte grua e nënshtruar dhe e quajti Abrahamin ‘zotëri’, ndaj përmendet si shembull i pranimit të kryesisë. (Zn 18:12; 1Pj 3:5, 6) Edhe besëlidhja e Ligjit e theksonte këtë rol parësor të meshkujve. Vetëm ata ishin urdhëruar të mblidheshin për tri festat e Jehovait, në një vend që e zgjidhte Perëndia, ndonëse shkonin edhe gratë. (Lp 16:16) Kur lindte vajzë, gruaja ishte «e papastër» në kuptimin ceremonial dyfishin e kohës që ishte kur lindte djalë.—Le 12:2, 5.
Vendi i gruas. Në kohët e lashta, kishte rrethana kur një grua mbulonte kokën me diçka në shenjë nënshtrimi. (Zn 24:65) Duke folur për kryesinë në kongregacionin e krishterë, apostulli Pavël shpjegoi se, nëse gruaja lutet ose profetizon në kongregacion, duke marrë kështu rolin që Perëndia i ka caktuar burrit, ajo duhet të mbulojë kokën. Kur përkohësisht bën këto gjëra, ngaqë nuk ka ndonjë të krishterë mashkull të kushtuar për t’i bërë, edhe sikur të ketë flokë të gjatë, gruaja nuk duhet të pretendojë se flokët e gjatë mjaftojnë për të treguar nënshtrimin e saj. Përkundrazi, duhet të tregojë me veprime se është e nënshtruar dhe e pranon kryesinë e burrit. Një grua e krishterë e bën këtë duke mbajtur një mbulesë për kokën si «një shenjë nënshtrimi». Duhet të veprojë kështu «për shkak të engjëjve», të cilët vëzhgojnë veprimet e çdo të krishteri dhe kujdesen për kongregacionin e krishterë, të cilit i shërbejnë. Duke mbajtur një mbulesë për kokën, atëherë kur është e nevojshme për arsye frymore, gruaja e krishterë tregon se e pranon rregullin e kryesisë që ka vendosur Perëndia.—1Ko 11:5-16; He 1:14.
Ky rregull i përshtatshëm teokratik në kongregacion dhe në familje nuk e pengon gruan t’i shërbejë Perëndisë, dhe as i ndalon përpjekjet e saj për të kryer punët dhe për të përmbushur përgjegjësitë që ka në familje. I jep asaj lirinë e plotë biblike që të shërbejë në rolin e vet, ndërkohë që fiton pëlqimin e Perëndisë në përputhje me këshillën: «Perëndia ka vendosur në trup gjymtyrët, secilën ashtu si i pëlqeu.» (1Ko 12:18) Në kohët e lashta, shumë gra patën privilegje të shkëlqyera ndërsa pranonin kryesinë e burrit dhe gëzuan një jetë të lumtur e të kënaqshme. Mes tyre ishin Sara, Rebeka, Abigaila dhe gra të krishtere, si Prishila e Feba.
Përgjegjësitë. Ushtrimi i kryesisë së autorizuar i jep personit disa të drejta, por përfshin edhe disa punë ose detyrime. «Krishti është kreu i kongregacionit», prandaj ka të drejtën të marrë vendime e të ushtrojë autoritet mbi të. (Ef 5:23) Nga ana tjetër, kryesia e detyron të pranojë detyrën që të kujdeset për kongregacionin e të mbajë përgjegjësi për vendimet që merr. Në mënyrë të ngjashme, ushtrimi i kryesisë i jep njëfarë të drejte burrit që të ketë fjalën e fundit në marrjen e vendimeve dhe në mbikëqyrjen e familjes. Mirëpo, nga ana tjetër, ai ka detyrimin të marrë mbi vete përgjegjësinë për familjen e vet. Përgjegjësia e tij kryesore është të sigurojë gjërat materiale dhe frymore për pjesëtarët e shtëpisë.—1Ti 5:8.
Burri i krishterë duhet ta ushtrojë kryesinë me mençuri, duke e dashur gruan si veten. (Ef 5:33) Në këtë mënyrë e ushtron edhe Jezu Krishti kryesinë mbi kongregacionin e krishterë. (Ef 5:28, 29) Si kreu i fëmijëve, babai nuk duhet t’i acarojë, por t’i rritë «në disiplinën dhe në normën mendore të Jehovait». (Ef 6:4) Po ashtu, si barinj të kopesë së Perëndisë, ‘pleqtë’ e kongregacionit të krishterë nuk duhet të sillen si zotër me delet e Tij, por të mbajnë ndër mend se janë të nënshtruar ndaj Jezu Krishtit dhe Perëndisë Jehova. (1Pj 5:1-4) Jezu Krishti ka vepruar gjithnjë në përputhje me parimin e kryesisë, duke treguar me fjalë e me vepra se e pranon plotësisht kryesinë e Atit të tij. Edhe pasi të ketë sunduar tokën për një mijë vjet, ai do të tregojë se e pranon kryesinë e Jehovait mbi gjithë universin, duke i dorëzuar Mbretërinë dhe duke iu nënshtruar «Atij që i nënshtroi çdo gjë, që Perëndia të jetë gjithçka për të gjithë». (1Ko 15:24-28; Gjo 5:19, 30; 8:28; 14:28; Fi 2:5-8) Si ithtarë të Jezu Krishtit, edhe të krishterët e pranojnë kryesinë supreme të Jehovait, duke ia drejtuar lutjet atij si Atit dhe Perëndisë të Plotfuqishëm.—Mt 6:9; Zb 1:8; 11:16, 17; shih BURRI; FAMILJA.