HOBABI
[ndoshta: i shtrenjtë].
Kunati i Moisiut; djali i Reuelit (Jetroit) dhe midianit, nga fisi i kenitëve. (Nu 10:29; Da 3:1; Gjy 1:16) Kur erdhi koha që izraelitët të largoheshin nga zona e Sinait drejt Tokës së Premtuar, Moisiu i kërkoi Hobabit që t’i shoqëronte e të ishte si ‘sy’ për ta, domethënë udhërrëfyes për kombin, pasi e njihte mirë atë zonë. Megjithëse në fillim nuk pranoi, me sa duket Hobabi shkoi me izraelitët, pasi pasardhësit e tij, kenitët, u vendosën me banim në shkretëtirën e Judës, në jug të Aradit, dhe thuhet se ata jetonin akoma në këtë zonë në kohën e Saulit dhe të Davidit.—Nu 10:29-32; Gjy 1:16; 1Sa 15:6; 27:10; 30:26, 29.
Megjithatë, te Gjykatësit 4:11, teksti masoretik e paraqet Hobabin si vjehrrin e Moisiut. (BR, Dio, ECM) Kështu Hobab mund të ketë qenë emri i dy personave të ndryshëm, domethënë, edhe i vjehrrit, edhe i kunatit të Moisiut. Kjo nuk është e pamundur, aq më tepër që vjehrri i Moisiut kishte më shumë se një emër.—Krahaso Da 2:16-22; 3:1.
Nga ana tjetër, nëse Hobab quhej vetëm biri i Reuelit, pra, ishte vetëm emri i kunatit të Moisiut, atëherë përmendja e tij si vjehrri i Moisiut duhet të nënkuptojë se Hobabi shihej si mëkëmbësi i të atit, Reuelit, i cili në këtë rast, ka shumë të ngjarë të kishte vdekur.—Shih JETROI; KENITËT.