ISAKU
[qeshje].
Djali i vetëm i Abrahamit nga gruaja e tij, Sara, pra, një hallkë jashtëzakonisht e rëndësishme në vijën gjenealogjike të Krishtit. (1Kr 1:28, 34; Mt 1:1, 2; Lu 3:34) Isakut iu hoq gjiri rreth moshës 5-vjeçare, pothuaj sa s’u paraqit si flijim kur ishte ndoshta 25 vjeç, u martua kur ishte 40 vjeç, i lindën dy binjakë në moshën 60-vjeçare dhe vdiq kur ishte 180 vjeç.—Zn 21:2-8; 22:2; 25:20, 26; 35:28.
Lindja e Isakut ndodhi në rrethana krejt të pazakonta. I ati dhe e ëma ishin të dy shumë të moshuar dhe Sara kishte kohë që nuk i kishte më të përmuajshmet. (Zn 18:11) Kështu, kur Perëndia i tha se Sara do të lindte një djalë, Abrahami e mori me të qeshur dhe tha: «A do t’i lindë vallë një burri njëqindvjeçar një djalë? Po Sara, një grua nëntëdhjetëvjeçare, a do të lindë vallë?» (Zn 17:17) Kur mori vesh çfarë duhej të ndodhte, edhe Sara qeshi. (Shih E QESHURA.) Më pas, «në kohën e caktuar», domethënë vitin tjetër, fëmija lindi vërtet, dhe kjo tregoi se asgjë nuk është ‘e pamundur për Jehovain’. (Zn 18:9-15) Atëherë Sara thirri me zë të lartë: «Perëndia më ka bërë të qesh», dhe shtoi: «Kushdo që do të dëgjojë për këtë, do të qeshë me mua.» Kështu, siç kishte thënë Jehovai, djali u quajt me të drejtë Isak, që do të thotë «qeshje».—Zn 21:1-7; 17:19.
Përderisa bënte pjesë në shtëpinë e Abrahamit dhe ishte trashëgimtar i premtimeve, Isaku u rrethpre siç ishte e përshtatshme ditën e tetë.—Zn 17:9-14, 19; 21:4; Ve 7:8; Ga 4:28.
Ç’moshë kishte Isaku kur iu hoq gjiri?
Ditën kur Isakut iu hoq gjiri, Abrahami shtroi një gosti të madhe. Me sa duket, në atë rast, Sara vërejti që Ismaeli «po tallej» me gjysmëvëllanë e tij më të vogël, Isakun. (Zn 21:8, 9) Disa përkthime (JB, Mo, RS ) thonë se Ismaeli thjesht po «luante» me Isakun, domethënë po bënte lojëra fëmijësh. Megjithatë, fjala hebraike caħák mund të ketë edhe një ngjyrim fyes. Kështu, në vargje të tjera ku del kjo fjalë (Zn 19:14; 39:14, 17), këto versione e përkthejnë «përqesh», «shpotit» dhe «fyej».
Te Zanafilla 21:9, disa Targume, si edhe Peshita siriake, lënë të kuptohet se fjalët e Ismaelit kanë ngjyrimin e «poshtërimit». Për termin caħák, në një vepër të Kukut thuhet: «Në këtë fragment, sipas opinionit të përgjithshëm, termi ndoshta ka kuptimin e ‘qeshjes tallëse’. Ashtu si Abrahami qeshi për Isakun nga gëzimi dhe Sara ngaqë i dukej e pabesueshme, Ismaeli po qeshte për ta poshtëruar, ndoshta duke shfaqur një frymë përndjekjeje dhe shtypëse.» (Commentary) Për të hequr çdo dyshim, apostulli Pavël tregon qartë dhe nën frymëzim se Ismaeli nuk po luante, por po e bënte Isakun të vuante, po e përndiqte. (Ga 4:29) Duke u nisur nga vargu vijues (Zn 21:10), ku Sara këmbëngul që ‘djali i skllaves nuk do të jetë trashëgimtar bashkë me të birin, Isakun’, disa komentues thonë se Ismaeli, (14 vjet më i madh se Isaku), ndoshta zihej me të vëllanë ose e ngacmonte ngaqë ai ishte trashëgimtari.
Jehovai i tha Abrahamit që, si banorë të ardhur, pasardhësit e tij do të mundoheshin për 400 vjet, mundim që mori fund kur Izraeli u çlirua nga Egjipti në vitin 1513 p.e.s. (Zn 15:13; Ve 7:6) Ai mundim filloi 400 vjet më herët, domethënë në vitin 1913 p.e.s. Për pasojë, kjo e përcakton vitin 1913, si viti kur Isakut iu hoq gjiri, pasi të dyja ngjarjet, heqja e gjirit dhe keqtrajtimi nga Ismaeli, përmenden bashkë në të njëjtën ndodhi. Kjo do të thotë se Isaku ishte rreth pesë vjeç kur iu hoq gjiri, përderisa kishte lindur në vitin 1918 p.e.s. Vlen të përmendet se lindja e tij shënoi edhe fillimin e periudhës 450-vjeçare që përmendet te Veprat 13:17-20, e cila përfundoi rreth vitit 1467 p.e.s., kur mbaroi fushata e Josiut në Kanaan dhe toka u nda mes fiseve.
Sot, kur shumë gra në vendet perëndimore nuk i ushqejnë me gji fëmijët ose i ushqejnë vetëm për gjashtë deri në nëntë muaj, një periudhë 5-vjeçare mund të duket e pakonceptueshme. Megjithatë dr. Derik B. Xhelifi thotë se në shumë vende të botës fëmijëve nuk u hiqet gjiri pa mbushur moshën një vjeç e gjysmë ose dy, dhe në Arabi është normale që nëna ta ushqejë foshnjën me gji për një periudhë që shkon nga 13 deri në 32 muaj. Nga këndvështrimi mjekësor, prodhimi i qumështit dhe dhënia e gjirit mund të vazhdojë normalisht deri në muajt e parë të shtatzënisë tjetër.—Infant Nutrition in the Subtropics and Tropics, Gjenevë, 1968, f. 38.
Gjatë mesjetës, në Evropë mosha mesatare për heqjen e gjirit ishte 2 vjeç, kurse në kohën e Makabenjve (shekulli i parë dhe i dytë p.e.s.), nënat i ushqenin me gji bijtë e tyre për 3 vjet. (2 Makabenjve 7:27) Katër mijë vjet më parë njerëzit ishin të ngeshëm dhe nuk ekzistonte presioni ose nevoja që ekziston sot për të bërë shumë gjëra në më pak vite jetë. Kjo na e bën më të lehtë të kuptojmë pse Sara e ushqeu me gji Isakun për pesë vjet. Veç kësaj, ai ishte djali i saj i vetëm pas shumë vitesh që nuk lindte.
Gati për t’u flijuar. Pasi e ëma i hoqi gjirin, nuk tregohet më asgjë për fëmijërinë e Isakut. Ai përmendet përsëri kur Perëndia i tha të atit, Abrahamit: «Merre birin tënd, të lutem, birin tënd të vetëm që e do kaq shumë, Isakun, dhe merr udhën për në vendin e Moriahut. Atje flijoje si një blatim të djegur.» (Zn 22:1, 2) Pas tri ditësh rrugë, arritën te vendi që u kish thënë Perëndia. Isaku mbante drutë, kurse i ati zjarrin dhe kamën. «Por ku është delja për blatimin e djegur?»—pyeti Isaku. «Perëndia do ta sigurojë vetë delen»,—iu përgjigj Abrahami.—Zn 22:3-8, 14.
Sa arritën te vendi, ndërtuan një altar dhe rregulluan drutë mbi të. Pastaj, Abrahami e lidhi Isakun këmbë e duar dhe e vuri sipër druve. Kur ai ngriti thikën, engjëlli i Jehovait ia ndali dorën. Besimi i Abrahamit nuk kishte qenë i pavend; Jehovai siguroi një dash të ngecur në një shkurre që ta paraqiste si flijim të djegur në vend të Isakut. (Zn 22:9-14) Kështu, Abrahami që ishte i mendimit se «Perëndia ishte në gjendje ta ngrinte atë edhe nga të vdekurit», e mori Isakun nga të vdekurit në një mënyrë që shërbente «si një ilustrim».—He 11:17-19.
Ky episod dramatik dha prova jo vetëm për besimin dhe bindjen e Abrahamit, por edhe të të birit, Isakut. Sipas traditës judaike të shkruar nga Jozefi, një historian i njohur, në atë kohë Isaku ishte 25 vjeç. Në çfarëdo moshe të ketë qenë, ai ishte aq i rritur sa të ngjiste një sasi të konsiderueshme drush deri në mal. Pra, po të mos donte t’u bindej urdhërimeve të Jehovait, ai mund të mos e kishte lënë të atin, në atë kohë 125 vjeç, që ta lidhte. (Antikitete judaike, I, 227 [xiii, 2]) Përkundrazi, ai e lejoi urtësisht të atin ta paraqiste si flijim sipas vullnetit që kishte shprehur Perëndia. Falë besimit që tregoi Abrahami, Jehovai e përsëriti dhe e zgjeroi besëlidhjen e tij me të dhe, pas vdekjes së tij, ia transmetoi të birit, Isakut.—Zn 22:15-18; 26:1-5; Ro 9:7; Jk 2:21.
Por më e rëndësishmja, kjo ishte një tablo profetike e madhe që tregonte se si Krishti Jezu, Isaku Më i Madh, në kohën e caktuar do të pranonte të jepte jetën e tij njerëzore si Qengji i Perëndisë për të shpëtuar njerëzimin.—Gjo 1:29, 36; 3:16.
Martesa dhe familja. Pas vdekjes së nënës së Isakut, Abrahami doli në përfundimin se ishte koha që i biri të martohej. Megjithatë, ai kishte vendosur që Isaku të mos martohej me një kananite pagane. Kështu, duke ndjekur zakonin patriarkal, Abrahami dërgoi shërbëtorin e tij të besuar te të afërmit e vet në Mesopotami, për t’i zgjedhur Isakut një grua me origjinë semitike që ishte njëkohësisht edhe adhuruese e Jehovait, Perëndisë së tij.—Zn 24:1-9.
S’kish si të ndodhte ndryshe! Ky mision do të realizohej, sepse që në fillim zgjedhja i ishte lënë në dorë Jehovait. Doli se Perëndia kishte zgjedhur Rebekën, kushërirën e Isakut. Ajo la me dëshirë familjen dhe të afërmit e saj për t’u bashkuar me karvanin që do të kthehej në Negeb, ku jetonte Isaku. Tregimi përshkruan takimin e tyre të parë dhe shton: «Pastaj, Isaku e çoi Rebekën në tendën e Sarës, nënës së tij. Kështu e mori Rebekën dhe ajo u bë gruaja e tij. Ai ra në dashuri me të dhe gjeti ngushëllim pas humbjes së nënës.» (Zn 24:10-67) Në këtë kohë, Isaku ishte 40 vjeç, pra, martesa u bë në vitin 1878 p.e.s.—Zn 25:20.
Nga historia e Isakut mësojmë se Rebeka nuk lindi fëmijë për 20 vjet. Kjo i krijoi mundësinë Isakut të tregonte që edhe ai, njësoj si i ati, kishte besim te premtimi i Jehovait se do t’i bekonte të gjitha kombet e tokës nëpërmjet një fare që ende duhej të lindte. Ai e tregoi këtë besim duke iu përgjëruar pareshtur Jehovait që t’i jepte një djalë. (Zn 25:19-21) Njësoj si në rastin e vetë Isakut, u bë përsëri e qartë se fara e premtuar nuk do të vinte nga rrjedha e zakonshme e ngjarjeve, por vetëm me ndërhyrjen e fuqisë së Jehovait. (Js 24:3, 4) Përfundimisht, në vitin 1858 p.e.s., në moshën 60-vjeçare, Isaku u bekua dyfish me dy binjakë, Esaun dhe Jakobin.—Zn 25:22-26.
Për shkak të një zie buke, Isaku e çoi familjen në Gerar, një territor filistin, pasi Perëndia i kishte thënë të mos shkonte në Egjipt. Në këtë rast, Jehovai ripohoi qëllimin që nëpërmjet tij të plotësonte premtimin që i kishte bërë Abrahamit. Duke përsëritur kushtet e atij premtimi, Jehovai tha: «Do ta shumoj farën tënde si yjet e qiejve dhe do t’i jap asaj gjithë këto vende. Me anë të farës sate do të arrijnë të marrin bekime gjithë kombet e tokës.»—Zn 26:1-6; Ps 105:8, 9.
Në këtë vend filistin jo shumë miqësor, Isaku përdori të njëjtën strategji si i ati, Abrahami, duke thënë se gruaja e tij ishte e motra. Pas njëfarë kohe, bekimi që mori Isaku nga Jehovai ngjalli zilinë e filistinëve, dhe kjo e bëri të nevojshme që ai të ikte fillimisht në luginën e përroit të Gerarit, pastaj në Beer-Shebë që ishte në skaj të zonës së thatë të Negebit. Gjatë kohës që ishte atje, filistinët, që dikur ishin treguar armiqësorë me të, vajtën tek Isaku që ‘të zinte be’ ose të bënte me ta një pakt paqeje, sepse siç e pranuan edhe vetë, ‘ai ishte tani i bekuari i Jehovait’. Njerëzit e tij kishin gjetur ujë në këtë vend dhe Isaku e quajti Shibah. «Ja përse emri i qytetit është Beer-Shebë [që do të thotë «pusi i betimit; ose pusi i të shtatëve»] sot e kësaj dite.»—Zn 26:7-33; shih BEER-SHEBA.
Isaku e kishte dashur gjithmonë Esaun, pasi atij i pëlqente jeta jashtë, ishte gjahtar e njeri i fushave dhe i sillte mish gjahu. (Zn 25:28) Kështu, duke qenë se po e linin sytë dhe mendonte se s’kishte edhe shumë jetë, Isaku u përgatit t’i jepte Esaut bekimin e të parëlindurit. (Zn 27:1-4) Nuk dihet nëse Isaku ishte në dijeni që Esau ia kishte shitur të vëllait, Jakobit, të drejtën e të parëlindurit apo nuk kujtonte se, sipas dekretit hyjnor të dhënë para se të lindnin dy djemtë, ‘më i madhi do t’i shërbente më të voglit’. (Zn 25:23, 29-34) Sido që të ketë qenë, Jehovai e kujtonte, e po ashtu edhe Rebeka, e cila mori menjëherë masat që Jakobi të merrte bekimin. Kur mori vesh dredhinë që ishte përdorur për ta arritur këtë, Isaku nuk pranoi ta ndryshonte atë që ishte pa dyshim vullneti i Jehovait për këtë çështje. Gjithashtu, Isaku profetizoi që Esau dhe pasardhësit e tij do të banonin larg fushave pjellore, do të jetonin me anë të shpatës dhe në fund do ta thyenin nga qafa zgjedhën skllavëruese të Jakobit.—Zn 27:5-40; Ro 9:10-13; shih ESAU.
S’kaloi shumë dhe Isaku e dërgoi Jakobin në Padan-Aram që të sigurohej se nuk do të martohej me një kananite si kishte bërë i vëllai, gjë që brengosi prindërit e tij. Kur Jakobi u kthye shumë vite më vonë, Isaku banonte në Kiriat-Arbë, domethënë në zonën kodrinore të Hebronit. Pikërisht atje, në vitin 1738 p.e.s., një vit para se nipi i tij, Jozefi, të bëhej i dyti në Egjipt për nga pozita, Isaku vdiq «i moshuar e i ngopur me ditë» në moshën 180-vjeçare. Ai u varros në shpellën e Makpelahut, ku ishin varrosur edhe prindërit dhe gruaja e tij, e ku më vonë do të varrosej edhe i biri, Jakobi.—Zn 26:34, 35; 27:46; 28:1-5; 35:27-29; 49:29-32.
Referime të tjera të rëndësishme për Isakun. Në të gjithë Biblën, Isaku është përmendur me dhjetëra herë në shprehjen e njohur ‘Abrahami, Isaku dhe Jakobi’. Shpesh kjo shprehje përdoret kur flitet për Jehovain si Perëndia që këta patriarkë adhuruan dhe i shërbyen. (Da 3:6, 16; 4:5; Mt 22:32; Ve 3:13) Herë të tjera përmendet në lidhje me besëlidhjen që bëri Jehovai me ta. (Da 2:24; Lp 29:13; 2Mb 13:23) Edhe Jezui e përdori këtë shprehje për të bërë një shembull. (Mt 8:11) Në një rast, patriarku Isak përmendet në një paralelizëm hebraik bashkë me pasardhësit e tij, kombin e Izraelit.—Am 7:9, 16.
Isaku si fara e Abrahamit paraqet Krishtin përmes të cilit do të vijnë bekimet e përhershme. Në fakt, është shkruar: «Premtimet iu thanë Abrahamit dhe farës së tij. Nuk thuhet ‘dhe farërave’, sikur të ishin shumë të tilla, por si të ishte një: ‘Për farën tënde’, që është Krishti.» Në kuptim më të gjerë, Isaku përfaqëson edhe ata që ‘i përkasin Krishtit’, që ‘janë vërtet fara e Abrahamit, trashëgimtarë sipas një premtimi’. (Ga 3:16, 29) Veç kësaj, dy djemtë, Isaku dhe Ismaeli, bashkë me nënat e tyre «janë si një dramë simbolike». Ndërkohë që Izraeli fizik (ashtu si Ismaeli) «lindi sipas mishit», ata që bëjnë pjesë në Izraelin frymor ‘janë fëmijë që i përkasin premtimit, njëlloj siç ishte Isaku’.—Ga 4:21-31.
Isaku bën pjesë në ‘renë e madhe të dëshmitarëve që na rrethon’, sepse edhe ai ishte ndër ata që ‘prisnin qytetin që ka themele të vërteta, ndërtuesi dhe bërësi i të cilit është Perëndia’.—He 12:1; 11:9, 10, 13-16, 20.