GJURI
Kjo nyjë e këmbës është e rëndësishme për mbajtjen e trupit. Kështu, gjunjët e këputur ose që dridhen tregojnë dobësi, kurse gjunjët që përplasen tregojnë frikë.—Jb 4:4; Ps 109:24; Is 35:3; Dn 5:6; He 12:12.
Nga 10.000 burrat e Gideonit, 9.700 u përkulën për të pirë në gjunjë, me sa duket, ulën kokën deri tek uji. Në këtë pozicion, ata s’mund të ishin vigjilentë e gati nëse i sulmonin në befasi. E kishin mendjen më shumë të shuanin etjen, sesa te çështja për të cilën ishin thirrur. Kurse 300 të tjerët qëndruan në këmbë, duke e çuar ujin në gojë me dorë e duke qëndruar me sytë katër e gati për sulm. Ja pse 9.700 të shkujdesurit i kthyen mbrapsht.—Gjy 7:3, 5-8.
Në mënyrë të figurshme, kur thuhej që një fëmijë ‘lindte në gjunjët’ e dikujt tjetër, e në këtë mënyrë gëzonte hirin dhe kujdesin e atij personi, ai pranohej si fëmija ose pasardhësi i tij, ashtu si fëmija i Bilhasë u quajt i Rakelës.—Zn 30:3-6; krahaso Zn 50:23.
Jehovai premtoi rimëkëmbjen e popullit të tij dhe e krahasoi me fëmijët e Sionit, pra të Jerusalemit. Ata ‘do t’i ledhatonin duke i mbajtur në gjunjë’, domethënë do të mbuloheshin me përkujdesje e do të ishin përsëri të miratuar.—Is 66:12, 13.
Në gjunjë. Fjala hebraike që do të thotë «në gjunjë» (barákh ) ndoshta ka të njëjtën rrënjë si fjala që do të thotë «bekim». Kjo mund të tregojë se të paktën në disa raste bekimi jepej ndërsa personi ishte në gjunjë.
Për të kërkuar hir. Një njeri mund të bjerë në gjunjë në shenjë respekti ose për të kërkuar hir, si në rastin kur ‘kreu i një pesëdhjetësheje’, që përfaqësonte mbretin Ahaziah, ra në gjunjë para Elijas duke iu lutur që t’i falte jetën atij dhe burrave që ishin me të. (2Mb 1:13, 14) Po ashtu, një i lebrosur iu përgjërua në gjunjë Jezuit që ta pastronte.—Mr 1:40-42; edhe Mr 10:17-22.
Për t’u lutur. Adhuruesit e vërtetë shpesh binin në gjunjë kur i luteshin Perëndisë. Ky pozicion tregonte përulësi. (Ezd 9:5; Ve 9:36, 40; 21:3-6) Solomoni qëndroi në gjunjë para kongregacionit të Izraelit gjatë lutjes për kushtimin e tempullit. (2Kr 6:13) Edhe pse mbreti Dar kishte dekretuar që për 30 ditë lutjet t’i drejtoheshin vetëm atij, Danieli i lutej në gjunjë Jehovait tri herë në ditë, me dritaret e dhomës mbi tarracë të hapura drejt Jerusalemit. (Dn 6:6-11) Vetë Jezu Krishti la shembullin duke iu lutur Jehovait në gjunjë. Natën kur e tradhtuan, në kopshtin e Getsemanisë Jezui «ra në gjunjë dhe filloi të lutej».—Lu 22:41.
Ata që praktikonin fenë e rreme përkuleshin në gjunjë para idhujve dhe perëndive të tyre. Por në kohën e Elijas, në Izrael kishin mbetur akoma 7.000 shërbëtorë besnikë, ‘gjunjët e të cilëve nuk ishin përkulur para Baalit’.—1Mb 19:18; Ro 11:4.
Për të nderuar ose për të pranuar pozitën e lartë të dikujt. Të biesh në gjunjë mund të tregojë nderim ose pranim të pozitës së lartë të dikujt. Ushtarët ranë në gjunjë para Jezuit dhe i bënë nderime, ndonëse për ta tallur.—Mt 27:27-31; Mr 15:16-20.
Jehovai i ka dhënë Jezu Krishtit besnik të ringjallur një pozitë më të lartë dhe një emër që është përmbi çdo emër, «në mënyrë që, në emër të Jezuit, të përkulet çdo gju i atyre në qiell, i atyre mbi tokë e nën tokë». Të gjithë ata që do të fitojnë jetën duhet të bien në gjunjë si shenjë adhurimi për Jehovain në emër të Jezu Krishtit dhe ta pranojnë atë si Zotëri në lavdi të Perëndisë. Këtu përfshihen edhe ata që janë «nën tokë», domethënë kjo vlen edhe për ata që do të ringjallen.—Fi 2:9-11; Gjo 5:28, 29; Ef 1:9, 10.
Pranimi i epërsisë dhe i sovranitetit të Jehovait u kërkohet para së gjithash atyre që duan të kenë pëlqimin e Perëndisë. Jehovai ka thënë: «Jam betuar për veten time . . . se para meje çdo gju do të përkulet.» (Is 45:23; Ro 14:10-12) Prandaj me të drejtë psalmisti i nxiti plot zjarr izraelitët: «Ejani ta adhurojmë e të përkulemi para tij! Le të biem në gjunjë para Jehovait, Bërësit tonë!»—Ps 95:6; shih POZICIONET DHE GJESTET.