MADMENI
[ndoshta nga rrënja e fjalës që do të thotë «pleh»].
Me sa duket, një vend në Moab për të cilin u paratha se do t’i vinte gjëma nga shpata. Te Jeremia 48:2, shprehja «edhe ti, o Madmen, duhet të heshtësh» është përkthim i shprehjes hebraike gam-madhmén tiddómmi. Shumë studiues janë të mendimit se germa e parë m e fjalës madhmén («Madmen») u përsërit padashur nga fjala para saj (gam). Pa germën e parë m, bashkëtingëlloret e Madmenit përkojnë me ato të Dimonit, prandaj Madmeni shpesh konsiderohet si Dimoni (ndoshta Dimna, rreth 10 km në veri të Karakut). Gjithsesi, ka mundësi që Madmen të mos jetë emri i një vendi të vërtetë, meqë në Septuagintën greke, Peshitën siriake dhe Vulgatën latine, teksti i lashtë hebraik përkthehet: ‘Po, ti [Moab] do të heshtësh një herë e mirë.’