MAGOGU
1. Bir i Jafetit dhe nip i Noesë. Emri i tij shfaqet mes krerëve të familjeve, nga të cilët erdhën kombet e para që u përhapën në tokë pas Përmbytjes.—Zn 10:1, 2, 5; 1Kr 1:5.
2. Emër që del në profecinë e Ezekielit rreth sulmit të stuhishëm të ‘Gogut të vendit të Magogut’ kundër popullit të Jehovait të mbledhur sërish. Me sa duket, profeti e përdori këtë emër për një vend a rajon në «viset më të thella të veriut», prej nga del hordhia e Gogut, forcat e tij plaçkitëse ‘të hipura në kuaj, një turmë e madhe dhe një ushtri e madhe’ me shpata e harqe.—Ezk 38:2-4, 8, 9, 13-16; 39:1-3, 6.
Që nga koha e Jozefit, historianit jude, është hedhur ideja se ‘vendi i Magogut’ lidhej me skithasit, disa fise që jetonin në Evropën Verilindore dhe në Azinë Qendrore. (Antikitete judaike, I, 123 [vi, 1]) Shkrimtarët klasikë të epokës greke dhe romake i përshkruanin skithasit si barbarë të veriut, njerëz grabitqarë e luftarakë, me një kalorësi të madhe, të armatosur gjer në dhëmbë dhe harkëtarë të zotë. Ndonëse fillimisht emri skithas mund të ketë ardhur nga «Ashkenaz», një tjetër pasardhës i Jafetit (Zn 10:2, 3), një enciklopedi (Encyclopædia Britannica, botimi i vitit 1959, vëll. 20, f. 235) vëren se «kudo në literaturën klasike, Skithia zakonisht nënkuptonte gjithë zonat në veri e verilindje të Detit të Zi dhe skithas (Skuthes) ishte çdo barbar që vinte nga ato anë». Edhe vepra të tjera referimi tregojnë se kuptimi i termit «skithas» ishte i ndryshueshëm dhe përfshinte në përgjithësi fiset nomade që jetonin në veri të Kaukazit (rajoni mes Detit të Zi dhe detit Kaspik), pak a shumë siç ka përdorime të ndryshme sot fjala «barbar». Prandaj në një enciklopedi tjetër thuhet: «Ndër të moçmit, emri ‘skithas’ merrte kuptime të ndryshme, e po ashtu edhe emri hebraik ‘Magog’.»—The New Schaff-Herzog Encyclopedia of Religious Knowledge, nga S. Xheksoni, 1956, vëll. V, f. 14.
Përdorimi simbolik. Fakti që në Bibël (dhe në historinë jobiblike) vendndodhja e «vendit të Magogut» lihet e turbullt dhe e papërcaktuar, si edhe fakti që profeti flet për «vitet e fundit» (Ezk 38:8) e që, me sa dihet, sulmi i përshkruar kundër Izraelit nuk është bërë vërtet, tregojnë se profecia për Magogun lidhet me një periudhë të ardhshme gjatë ‘kohës së fundit’ të përmendur në Bibël. Për këtë arsye, shumë komentues e shohin si profeci të sulmit përfundimtar të fuqive botërore kundër Mbretërisë së Perëndisë dhe e konsiderojnë vendin e Magogut si simbol «të botës armiqësore ndaj popullit dhe mbretërisë së Perëndisë».—Funk and Wagnalls New Standard Bible Dictionary, 1936, f. 307.
Pra është e qartë se vendi i Magogut ka kuptim simbolik. Përderisa termi «skithas», me të cilin e lidhin zakonisht Magogun, u bë sinonim i diçkaje të pashpirt e të degjeneruar, duket logjike që «Magogu» të tregojë një pozitë a gjendje të poshtëruar, të ngjashme me pozitën poshtëruese ku ranë Satanai dhe engjëjt e tij pas luftës në qiell, pozitë nga e cila ai lufton gjithë tërbim «me mbetjen e farës së [gruas]», siç tregon Zbulesa 12:7-17.—Shih GOGU nr. 2.
3. Emër i përdorur te Zbulesa 20:8 në lidhje me ngjarjet që do të ndodhin pasi mbaron Mbretërimi Mijëvjeçar i Krishtit Jezu dhe pas lirimit të Satanait nga humnera. Këtu shprehja «Gog dhe Magog» nuk tregon ndonjë vend të veçantë, por përshkruan ata njerëz në tokë që do të ndikohen nga Kundërshtari i liruar dhe do të rebelohen kundër sundimit të Perëndisë që ushtrohet nëpërmjet ‘të shenjtëve dhe qytetit të dashur’.—Zb 20:3, 7-10.